Ecurinë pozitive që e nisi në xhiron e dhjetë të Superligës së Kosovës në basketboll, Sigal Prishtina po synon ta vazhdojë edhe në duelin ndaj skuadrës së Pejës.
Përballja e këtyre dy skuadrave është derbi i xhiros së 22-të. Prishtina në këtë ndeshje futet pas një serie prej 12 fitoreve.
Dueli mes Pejës dhe Prishtinës zhvillohet në palestrën “Karagaçi” të dielën prej orës 17:00.
Seria e Prishtinës ka bërë që ekipi nga kryeqyteti ta mbajë pozitën e parë në tabelë me 37 pikë, sa i ka edhe Golden Eagle Ylli në vendin e dytë.
Peja vitin 2022 e mbylli e para në tabelë, por tani është e treta me dy pikë më pak se Prishtina. Kjo është përballja e fundit e këtyre dy skuadrave në pjesën e rregullt të këtij edicioni. Në tri duelet e mëparshme, Peja ka dy fitore karshi një humbjeje të thellë, të cilën Prishtina ia shkaktoi javë më parë në kryeqytet me shifrat 83:43. Prishtina këtë vit nuk di për humbje nën drejtimin e Ahmet Kandemirit dhe dueli me Pejën do të jetë testi i fundit para “Final 8” të Kupës së Kosovës, që nis javën tjetër në Rahovec.
“Sigurisht që presim një lojë të fortë sikurse në çdo derbi, po ashtu duke pasur parasysh edhe ndryshimet që i ka bërë Peja. Besoj që edhe atmosfera do të jetë e mirë dhe dy ekipet do të tregojnë basketboll cilësor. Natyrisht, synimi i Prishtinës është që të rikthehet me rezultat pozitiv, në mënyrë që të jetë e motivuar për ndeshjet e Kupës që na presin javën tjetër”, ka thënë kapiteni i Prishtinës, Dardan Berisha, të premten për KOHËN.
Skuadra e Pejës ka bërë ndryshime këtë javë, pas rënies së madhe në formë . Ka afruar tre lojtarë të huaj, pasi u nda me Isiah Umipig, Rodney Purvis, Khaliq Spicer e Ivan Koleviq. Lojtarë të rinj të Pejës janë Devoe Joseph, Larry Thomas e Marvin Jefferson, që pritet të debutojnë kundër Prishtinës. Edhe Prishtina ka bërë një përforcim ditë më parë, duke angazhuar krah-qendrën Nate Grimes.
Pas dy humbjeve rresht, Peja është rikthyer xhiron e shkuar te fitorja. E mposhti Rahovecin dhe tani po shpreson ta ndalë serinë pozitive të Prishtinës.
“E kemi parasysh se Prishtina po luan mirë dhe në radhët e veta ka lojtarë cilësorë, gjë që e dëshmojnë edhe rezultatet e fundit. Por, edhe ne kemi bërë ndryshime së fundmi në ekip dhe jemi përgatitur mirë për këtë përballje. Luajmë në shtëpi dhe me ndihmën e tifozëve tanë besoj se do ta ndërpresim këtë seri pozitive të Prishtinës”, ka thënë basketbollisti i Pejës, Alban Veseli.
Të dielën prej orës 19:00 në palestrën “13 Qershori” në Suharekë, Golden Eagle Ylli e pret Rahovecin. Rahoveci është i fundit në tabelë me vetëm dy fitore deri më tani, dhe kjo e bën Yllin favorit të madh. Xhiroja do të fillojë të shtunën me ndeshjen që luhet në Mitrovicë mes Ponte Prizrenit dhe Trepçës. Ponte Prizreni ka zgjedhur palestrën “Minatori” për të luajtur me Trepçën, pasi palestra në Prizren është në rinovim. Ponte prej 16 dhjetorit ka stërvitur dhe ka luajtur në Suharekë, por zhvendoset në Mitrovicë, të paktën për këtë ndeshje.
Ponte Prizreni është i parafundit me 28 pikë. Trepça ka fituar tri ndeshjet e fundit me trajnerin Engin Gençoglu.
Të shtunën prej orës 19:00 në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë do të luhet ndeshja mes Vëllaznimit dhe Bashkimit. Të dyja ekipet kanë pësuar humbje xhiron e fundit dhe po luftojnë për një vend që dërgon në garat e plejofit. Vëllaznimi zë vendin e gjashtë me 29 pikë, një më pak se Bashkimi që është i pesti.
Superliga – 22
E shtunë
P. Prizreni – Trepça (17:00)
Vëllaznimi – Bashkimi (19:00)
E diel
Peja – S. Prishtina (17:00)
G.E. Ylli – Rahoveci (19:00)
1. S. Prishtina 21 37
2. G.E. Ylli 21 37
3. Peja 21 35
4. Trepça 21 33
5. Bashkimi 21 30
6. Vëllaznimi 21 29
7. P. Prizreni 21 28
8. Rahoveci 21 23