Sport

Peja mbi 1,3 milionë nga sponsorizimi, Trepça e Prishtina mbi 1,1 milionë

Ku po shkojnë paratë e ndara në bazë të Ligjit për Sponsorizime në Sport?

Miliona euro shkojnë në klube të basketbollit. Pra, shumë prej këtyre milionave te lojtarë e trajnerë të huaj. Natyrisht, nëse nuk keqpërdoren paratë, gjë për të cilën ka dyshime të mëdha.

Janë tri klube të basketbollit kosovar që gjatë vitit 2023 kanë realizuar të hyra prej mbi 1 milion eurosh në bazë të Ligjit për Sponsorizime në Fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Pra, paratë që kompanitë e ndryshme është dashur t’i paguajnë tatim shtetit, i kanë destinuar ato për zhvillim të sportit, në bazë të ligjit që e mundëson këtë. Janë mbi 15 milionë euro që janë ndarë për sport gjatë vitit kalendarik 2023, bazuar në këtë ligj. Në vitin 2022 ishin ndarë rreth 11 milionë.

Mbi tre milionë e gjysmë euro kanë shkuar në vetëm tri klube të basketbollit.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka ofruar për KOHËN, pas disa kërkesave, listën e plotë të marrëveshjeve për sponsorizim, përkatësisht vërtetimet e lëshuara në bazë të të cilave nënshkruhen marrëveshjet. Në listë janë përfshirë edhe disa marrëveshje për të cilat kërkesa ishte bërë në nëntor e dhjetor të vitit 2022, por për të cilat vërtetimet janë lëshuar gjatë vitit 2023.

Në bazë të listës zyrtare, klubi i basketbollit Peja ka përfituar nga sponsorizimi plot 1 milion e 372 mijë e 200 euro. Është rekord sa u takon të hyrave nga një klub i basketbollit nga Ligji për Sponsorizim në periudhën njëvjeçare.

Pason klubi i basketbollit Trepça me 1 milion e 143 mijë e 900 euro. Sigal Prishtina është aty pranë, me 1 milion e 106 mijë e 379 euro.

Milionëshit i është afruar edhe klubi nga Suhareka, Golden Eagle Ylli. Në bazë të marrëveshjeve nga sponsorizimi, të realizuara gjatë vitit 2023, Golden Eagle Ylli ka regjistruar të hyra prej 868 mijë eurove. Klubet e tjera të Superligës së Kosovës në basketboll kanë të hyra dukshëm më të vogla nga sponsorizimi.

Bashkimi i Prizrenit ka përfituar 268 mijë euro. Proton Cable Prizreni kishte të hyra në bazë të këtij ligji prej 231 mijë e 800 euro. Vëllaznimi ka realizuar të hyra prej 144 mijë euro, ndërsa Istogu 49 mijë e 500 euro.

Plot 1519 vërtetime janë lëshuar në sport për realizim të marrëveshjeve për sponsorizim. Pra, janë bërë 1519 marrëveshje në bazë të cilave bizneset e ndryshme e përkrahin sportin, përkatësisht klubet sportive dhe federatat. Shumica e parave kanë përfunduar në futboll e në basketboll.

Disa prej marrëveshjeve të klubeve të basketbollit kanë vlerë shumë të madhe.

Për shembull, Golden Eagle Ylli e ka një marrëveshje prej 300 mijë eurove me kompaninë Frutex. Kontrata për këtë marrëveshje ishte e vlefshme deri më 30 nëntor 2023. Me të njëjtën kompani, Ylli ka marrëveshje tjetër prej 200 mijë euro.

Peja ka tri marrëveshje prej 100 mijë eurosh me Liridoni Construction, Liridoni Distribution dhe Qendra Tregtare Liridoni. Ka marrëveshje prej 200 mijë euro me Artmotion e një tjetër prej 280 mijë euro me Ventius International.

Një marrëveshje e Trepçës me kompaninë “Speex” është e vlefshme 200 mijë euro. Me IPKO, Trepça ka marrëveshje sponsorizimi prej 180 mijë eurosh.

Sigal Prishtina ka dy marrëveshje prej 90 mijë eurosh me Sigalin, ndër të tjera.

Marrëveshjet prej dhjetëra mijëra eurosh janë të shumta e nga shumë klube.

Ka fare pak transparencë, e në shumë raste aspak, lidhur me këto para. Pak prej klubeve mbajnë kuvende, e edhe kur i mbajnë janë më shumë formalitet. Raport të auditimit nuk publikon thuajse asnjë klub. Në shumicën e klubeve për paratë dinë dy-tre persona, ndërsa shumica e klubeve nuk kanë kryesi të mirëfillta e kuvende që kërkojnë përgjegjësi.

Të hyrat nga sponsorizimi nuk janë të vetmet për klubet. Shumica përfitojnë nga përkrahja komunale, pastaj nga shitja e biletave, të drejtat televizive. Por Ligji për Sponsorizim është burimi kryesor tash e shumë vjet.

Ka dyshime të shumta nëse mjetet vërtet shërbejnë për zhvillimin e sportit në vend. Nëse ato përfundojnë te sportisti apo diku tjetër. Mungesa e transparencës sjell dyshime të mëdha.

Ligji parasheh që me këto mjete të përkrahen aktivitetet kulturore, rinore dhe sportive. Ligji parasheh që “të realizohet interesimi i përgjithshëm i cili sjell përmirësimin e jetës individuale dhe shoqërore të qytetarëve, organizatave biznesore, fondacioneve, personave fizik dhe juridik në Republikën e Kosovës”.

“Sponsorizuesit për sponsorizimet në aktivitet e sportit u njihet zbritja tridhjetë për qind (30 %) nga tatimi në fitim”, shkruan në nenin 12 të Ligjit.

Në ligj shkruan se ATK-ja dhe organet kompetente mbikëqyrin dhënien, pranimin dhe shfrytëzimin e sponsorizimit.

Zërat që ligji të plotësohet e të ndryshohet sa shkojnë e shtohen. Me prioritet vlerësohet kontrolli se ku shkojnë paratë, nëse kompanitë apo persona në kompani kanë hise ilegale në atë që e ndajnë për klubet sportive. Vlerësohet se vendosja e një “tavani” se sa mund të përfitojë një klub është e nevojshme e po ashtu saktësimi se sa mund të jenë pagat e sportistëve e të trajnerëve me mjetet që realisht i takojnë shtetit e që destinohen për sport.

Të hyrat e klubeve të Superligës së basketbollit nga sponsorizimi gjatë vitit 2023

Trepça: 1,143,900 euro

Peja: 1,372,200

Sigal Prishtina 1,106,379

Golden Eagle Ylli 868,000

Vllaznimi 144,000

Bashkimi 268,000

Proton Cable Prizreni 231,800

Istogu 49,500