Sport

Peja kthehet në Superligë me synimin për fitore të madhe në Prishtinë

Pas dy fitoreve të shënuara në mesjavë në kuadër të Ligës Ballkanike, Peja të shtunën luan derbin e madh me Sigal Prishtinën me synim për të vazhduar me suksese.

Prishtina e Peja takohen nga ora 17:00 në Pallatin e Rinisë dhe Sportit. Është kjo kryendeshja e xhiros së 20-të të Superligës së Kosovës në basketboll.

Në kampionat Peja ka fituar dy ndeshjet e kaluara. Në kuadër të xhiros së gjashtë e kishte mposhtur Prishtinën në kryeqytet me rezultatin 95:80. Ndërkohë Prishtina kishte fituar në Pejë në kuadër të xhiros së 13-të.

Prishtina në xhiron e kaluar mori fitore shumë të vështirë ndaj Bashkimit, ndërsa është në seri prej tri fitoresh.

“Na pret një ndeshje e fortë, derbi i vërtetë. Kemi pasur një javë të ngjeshur me ndeshje, por jemi gati për Prishtinën. Do të jetë ndeshje e fortë, si gjithmonë, pasi Prishtina ka ekip të mirë. Por synojmë rezultatin pozitiv”, ka thënë basketbollisti i Pejës, Arian Qallaku.

Kampionia në fuqi, Peja, është e dyta në tabelë me 33 pikë. Prishtina është e treta me 32 pikë. Në tabelë udhëheq Trepça me 36 pikë.

“Është derbi i madh. Peja është kampione aktuale, ekip serioz dhe me synime të mëdha. Atmosfera do të jetë e mirë, ndërsa pres ndeshje të fortë dhe basketboll të bukur. Ne ende nuk jemi plotësisht të kompletuar, por deri në garën për Kupë do të jemi”, ka thënë basketbollisti kroat i Prishtinës, Henrik Shirko.

Interesante pritet të jetë edhe ndeshja mes Bashkimit dhe Trepçës, që zhvillohet në Prizren të shtunën nga ora 19:00. Skuadra e Bashkimit synon t’i japë fund serisë së mitrovicasve prej 12 fitoreve.

Të dielën janë ndeshjet Istogu – Vëllaznimi dhe Golden Eagle Ylli – Proton Cable Prizreni.

Është kjo xhiroja e parafundit para turneut final të Kupës së Kosovës.

Superliga – XX

E shtunë

Sigal Prishtina – Peja (17:00)

Bashkimi – Trepça (19:00)

E diel

Istogu – Vëllaznimi (17:00)

Golden Eagle Ylli – Proton Cable Prizreni (19:00)


1. Trepça 19 36

2. Peja 19 33

3. S. Prishtina 19 32

4. G.E. Ylli 19 30

5. Vëllaznimi 19 27

6. Bashkimi 19 26

7. P.C. Prizreni 19 24

8. Istogu 19 20