Sport

Peja kërkon t’i revanshohet Vëllaznimit

Skuadra e Pejës synon ta mbyllë vitin 2023 me fitore në Superligën e Kosovës në basketboll, në mënyrë që ta mbajë hapin për mbrojtjen e titullit të kampionit. Megjithatë, në xhiron e fundit të këtij viti, Peja nuk do të ketë aspak ndeshje të lehtë. E pret Vëllaznimin, ekip që ia shkaktoi humbjen e parë këtë edicion Pejës pas serisë prej shtatë fitoreve rresht. Në Gjakovë, Vëllaznimi pati triumfuar me shifrat 100:99 dhe aktualisht ka bilanc prej shtatë fitoreve e po aq humbjeve pas 14 xhirove të zhvilluara. Dueli i xhiros së 15-të, i cili është edhe më interesanti, zhvillohet në palestrën “Karagaçi” në Pejë dhe nis në orën 19:00. Peja është e dyta në tabelë me 24 pikë të mbledhura, tri më shumë se Vëllaznimi, të cilin synon ta mposhtë për t’iu revanshuar për humbjen e shkaktuar para shtatë xhirosh. Fundori i ekipit pejan, Jay Jay Chandler beson në një tjetër paraqitje të mirë të skuadrës së drejtuar nga Rami Hadar. Peja në xhiron e fundit triumfoi bindshëm në Prizren ndaj Bashkimit dhe dëshiron që këtë vit ta përmbyllë me fitore para tifozëve të saj.

“Jemi të gatshëm për këtë ndeshje, e cila nuk do të jetë aspak e lehtë duke pasur parasysh se Vëllaznimi po luan mirë dhe na ka shkaktuar humbjen e parë pas serisë fantastike prej shtatë fitoreve. Jemi munduar të përgatitemi dhe pas fitores vikendin e shkuar, duam edhe një fitore tjetër për ta mbyllur vitin në mënyrën më të mirë të mundshme. Sigurisht, presim edhe përkrahjen e tifozëve tanë dhe besoj se do të jetë një ndeshje e fortë, në të cilën do të kënaqemi të gjithë”, tha ai.

Edhe te Vëllaznimi pranojnë se përballja në Pejë nuk do të jetë aspak e lehtë. Mirëpo insistojnë se do të udhëtojnë për rezultat pozitiv, duke pasur parasysh se në xhiron e fundit pësuan në udhëtim nga Sigal Prishtina në sekondat e fundit. Trajneri Josip Plantak është i bindur se Vëllaznimi edhe në këtë ndeshje nuk do të dorëzohet deri në fund dhe se do ta kërkojë fitoren prej fillimit. Ai pranon forcën e ekipit të Pejës, por shton se edhe Vëllaznimi ka ekip të mirë dhe se këtë e ka dëshmuar tashmë.

“Sërish na pret një udhëtim tepër i vështirë. Peja është forcuar këtë javë dhe atë para duelit me ekipin tonë. Duhet të jemi të fokusuar dhe të luajmë shumë më mirë në mbrojtje sesa kundër Prishtinës. Peja është njëri prej ekipeve më të mira në ligë dhe ne duhet të jemi në nivelin më të lartë të mundshëm. Pra, duhet të japim maksimumin për një paraqitje tjetër të mirë”, është shprehur Plantak.

Të enjten, por prej orës 17:00, zhvillohet edhe një ndeshje tjetër. Në palestrën “13 Qershori” në Suharekë, Golden Eagle Ylli përballet me skuadrën e Bashkimit. Ylli është i katërti në tabelë me 22 pikë dhe në këtë ndeshje futet pas humbjes që e pësoi nga Trepça në shtëpi. Në anën tjetër, Bashkimi nuk ka treguar aspak formë të mirë. Renditet i parafundit në tabelë dhe në dhjetë ndeshjet e fundit ka vetëm një fitore karshi nëntë humbjeve. Kjo xhiro e elitës së basketbollit kosovar hapet të mërkurën, ku po ashtu do të luhen dy ndeshje. Dueli i parë është ai mes Istogut dhe Trepçës, i cili nis në orën 17:00. Istogu është vendas, por në mungesë të palestrës ka vendosur që këtë përballje ta zhvillojë në Mitrovicë. Istogu është i fundit në tabelë me vetëm një fitore, ndërsa Trepça tashmë është kampione e stinorit vjeshtor. Prin në tabelë me 26 pikë të mbledhura dhe është në seri prej shtatë fitoreve rresht. Ndërkohë, prej orës 19:00, Sigal Prishtina luan në shtëpi kundër Proton Cable Prizrenit. Skuadra e Prishtinës është e treta në tabelë me 23 pikë, katër më shumë se ekipi prizrenas që zë vendin e gjashtë dhe ka 5 fitore e nëntë humbje deri më tani.


Superliga – XV

E mërkurë

Istogu – Trepça (17:00)
S. Prishtina – P.C. Prizreni (19:00)

E enjte

G.E. Ylli – Bashkimi (17:00)

Peja – Vëllaznimi (19:00)

1. Trepça 14 26

2. Peja 14 24

3. S. Prishtina 14 23

4. G.E. Ylli 14 22

5. Vëllaznimi 14 21

6. P.C. Prizreni 14 19

7. Bashkimi 14 18

8. Istogu 14 15