Adoleshentja ruse Kamila Valieva është lejuar të garojë në patinazhin artistik në Lojërat Olimpike Dimërore “Pekini 2022”, pavarësisht dështimit të saj në testin e dopingut para kësaj ngjarjeje. Kështu që, Valieva e ka rastin për ta fituar edhe medaljen e dytë në artë në Pekin.
Megjithatë, Valieva edhe nëse fiton nuk do të ketë ceremoni për marrjen e medaljes, e po ashtu as për garueset që përfundojnë në tri vendet e para. Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) e la të lirë Valievan të garojë pas një seance që zgjati deri të hënën në mëngjes.
Një panel gjyqtarësh mori vendim që Valieva 15-vjeçare që edhe është favorite për medaljen e artë në konkurrencën individuale, nuk ka nevojë të pezullohet përkohësisht përpara një hetimi të plotë. CAS-i, i dha asaj një vendim të favorshëm pjesërisht sepse ajo ishte e mitur apo siç njihet në zhargonin olimpik si “person i mbrojtur” dhe i nënshtrohet rregullave tjera.
“Paneli konsideroi se parandalimi i sportistes për të garuar në Lojërat Olimpike do të shkaktonte dëm të pariparueshëm të saj në këto rrethana”, tha shkurt Matthieu Reeb, drejtori i përgjithshëm i CAS-it. Tani, Valieva ka rastin ta fitojë medaljen e artë në ngjarjen që nis të martën me programin e shkurtër dhe përfundon të enjten me patinazhin e lirë. Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) tha të hënën se nëse Valieva përfundon në podium, nuk do të ketë ceremoni të medaljeve. Nuk do të ketë as ceremoni për garën ekipore të fituar nga Valieva dhe ekipi rus.
“Nuk do të ishte e përshtatshme për të mbajtur ceremoninë e medaljeve”, tha IOC-ja.