Sport

Pasojat e ndarjes - karateistët rrezikojnë Evropianin

Federata e Karatesë e Kosovës (FKK) ka paraqitur 27 garues për pjesëmarrje në Kampionatin Evropian për kadetë, juniorë dhe U21. Por Kosova mund të mos paraqitet në këtë turne që do të mbahet në Tbilisi të Gjeorgjisë. FKK-ja nuk ka buxhet për t’i dërguar karateistët në Evropianin që mbahet nga data 9 deri më 11 shkurt. Sekretari i përgjithshëm i FKK-së, Nazmi Gashi, nuk e di nëse do të arrijnë t’i sigurojnë mjetet financiare për t’i dërguar garuesit në Tbilisi.

“Ne i kemi paraqitur në sportdata garuesit, por rrezikojmë pjesëmarrjen në Evropianin që mbahet në shkurt në Tbilisi të Gjeorgjisë. Mund të mos udhëtojmë për shkak të mjeteve financiare, sepse nuk jemi përkrahur nga MKRS-ja e as nuk na janë ndarë mjetet e tremujorit të tretë dhe tremujorit të katërt. Po ashtu, kemi borxh mbi 10 mijë euro”, ka thënë Gashi të enjten për KOHËN.

Federata e Karatesë e Kosovës nga korriku i vitit të kaluar u përball me ndarje të madhe. U krijuan dy grupe. Njërin grup e udhëhiqte Nazmi Gashi e Besart Baruti dhe tjetri grup drejtohej nga Avni Gashi. Por dy grupet janë “pajtuar” dhe më 27 janar do të zgjedhin udhëheqjen e re – kryetarin, dy nënkryetarë dhe nëntë anëtarë të Bordit.

Pasojat për ndarjen në dy grupe kanë qenë të mëdha. Federata e Karatesë e Kosovës nuk ka licencë. E ka të pezulluar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS). Si federatë pa licencë FKK-ja humbi të drejtën e mjeteve të shumta financiare nga MKRS-ja e po ashtu edhe sponsorëve. Situata në karate krijoi edhe ndarje te sportistët. Melos Gashi, i biri i Avni Gashit, vendosi të largohej nga Kosova dhe tashmë përfaqëson Shqipërinë. Ndërkohë kishte vendim për ta lënë jashtë Botërorit edhe Fortesa Oranën, pasi ishte rreshtuar me grupin që udhëhiqej nga Avni Gashi. Por vetëm pasi hoqi dorë nga pozita e anëtares së Bordit, Orana u fut në listën e pjesëmarrësve në Botëror. Ajo udhëhoqi më pas Kosovën drejt medaljes së bronztë në garat ekipore. Gashi ka bërë të ditur se një tjetër pengesë, nëse veç sigurohen mjetet për të udhëtuar, mund të jetë edhe shteti i Gjeorgjisë. Gjeorgjia nuk e njeh shtetësinë e Kosovës dhe mund t’i diskriminojë sportistët e Kosovës. Pra, të mos i lejojë të paraqiten me simbole shtetërore, ashtu siç ka ndodhur edhe në të kaluarën nga shtete që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

“Ne jemi në kontakt me udhëheqësit e Federatës së Gjeorgjisë dhe Federatës Evropiane. Ata kanë garantuar pjesëmarrjen dhe ne po presim konfirmimin zyrtar për pjesëmarrje në garë”, ka thënë Gashi.

Ai thotë se Kosova ka potencial për t’u kthyer me medalje nga Gjeorgjia. Por insiston se duhet kaluar fillimisht pengesat jashtë tatamit.

“Ne kemi garues me shumë potencial të paraqitur në këtë garë dhe gjithmonë jemi pretendues për medalje në kampionatet evropiane dhe botërore. Prandaj është mëkat mospjesëmarrja e karateistëve për shkak të mjeteve financiare në një kampionat Evropian e posaçërisht që mbahet në një shtet që nuk i njeh as pasaportat, as shtetësinë e Kosovës”, ka thënë Gashi.