Sport

Siguroi Evropën, tani Gjilani kërkon Kupën e Kosovës

Gjilani të shtunën siguroi pjesëmarrjen në garat evropiane të edicionit të ardhshëm. Pas pak ditësh, do ta zhvillojë edhe finalen e Kupës së Kosovës në futboll kundër Prishtinës.

Por për të siguruar daljen në Evropë dhe paraqitjen në finale të Kupës, Gjilani bëri një rrugëtim të vështirë.

“Ishte një rrugëtim me shumë sakrifica nga ana jonë, futbollistëve, stafit e po ashtu edhe familjeve tona. Por, me dëshirë, luftë, punë dhe vullnet për të bërë më të mirën ia arritëm të gjithë së bashku, duke besuar që do të vijë shpërblimi prej Zotit”, ka thënë trajneri i Gjilanit, Zekirija Ramadani të dielën për KOHËN.

Verën e vitit të kaluar, Gjilani u përball me probleme të mëdha si financiare ashtu edhe organizative. E ardhmja e klubit ishte në dyshim pas dorëheqjes së Florim Zukës nga posti i kryetarit. Zuka ishte pranë shitjes së klubit.

Por në fillim të vitit Gjilani u mobilizua dhe vazhdoi garat në Superligë. Ka pasur rezultate të mira pas riorganizimit. Më 5 qershor do të paraqitet në finale të Kupës së Kosovës kundër Prishtinës. Ndeshja do të luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” nga ora 18:00.

Trajneri Ramadani thotë se presionin për pjesëmarrje në Evropë e kanë larguar. Por, jo edhe presionin e finales së Kupës.

“Finalja gjithmonë ka emocione të veçanta. Si futbollist kam luajtur në shtatë të tilla dhe e di që janë shumë me emocion sidomos kur bëhet fjalë që ajo ndeshje të jep biletën për Evropë. Por ne nuk e kemi këtë presion të sigurimit të Evropës, por kemi presionin e 22 vjetëve pa trofe. Dhe, pikërisht për këtë trofe do të japim atomin e fundit brenda fushës për ta fituar dhe t’i gëzuar të gjithë ‘Skifetarat’. Besoj edhe presidenti Zuka e meriton ta fitoj një trofe”, ka theksuar Ramadani.

Ramadani në krye të Gjilanit erdhi më 7 qershor të vitit të kaluar. Me Gjilanin ka nënshkruar kontratë dyvjeçare me mundësi vazhdimi. Në fakt, Ramadani në fund të dhjetorit u përshëndet me Gjilanin. Pati thënë se organi më i lartë i futbollit, FIFA, ia kishte shkëputur kontratën me klubin. Por, u kthye dhe tani synon trofe edhe me Gjilanin. Ai ka fituar shtatë trofe në Kosovë me Trepçën ’89, Feronikelin dhe Prishtinën.

“Momenti vendimtar i kampionatit ka qenë telefonata që mora nga drejtuesit e klubit më 9 janar ku thanë që presidenti Zuka do të vazhdojë ta financojë klubin. Dhe, pastaj ishin dy ditë shumë të lodhshme për t’i bindur futbollistët që do të bëhet mirë. Pra, për mua këto dy ditë, 9 dhe 10 janari kanë qenë momentet vendimtare të Gjilanit që është sot”, ka thënë Ramadani.

Deri në fund të kampionatit aktual ka mbetur vetëm edhe xhiroja e 36-të. Gjilani e luan në shtëpi ndeshjen ndaj kampionit të Kosovës, Ballkanit. Ballkani ishte deri të shtunën në garë me Dritën për titull të kampionit.

Trajneri Ramadani thotë se Gjilani do të ishte kandidat serioz për titull nëse nuk do t’i kishte telashet e stinorit vjeshtor.

“E them duke u bazuar në fakte. Ne e nisëm furishëm kampionatin. Në gjashtë xhirot e para ishim në vendin e parë. Pastaj kishte shumë hapa falsë të dy skuadrave pretendente për titull që kanë bërë gjatë kampionatit, dhe jam i bindur që do të ishim ne afër titullit kampion me ekipin që e kishim në fillim të edicionit”, ka thënë Ramadani.

Edhe sulmuesi Mevlan Zeka është i lumtur që me Gjilanin siguroi kualifikimet e Ligës së Konferencës. Zeka thotë se synimi i madh mbetet triumfi në Kupë.

“Ashtu siç na quajtën ‘Sklifterat’ si ‘djemtë e nderit’ për shkak të sakrificës, arritëm që në momentet më të vështira të klubit të bëhemi bashkë dhe ta mbajmë klubin për të vazhduar tutje. Gjatë rrugës ne treguam karakter të madh duke arritur objektivin që kemi pasur. Jemi edhe në finale të Kupës. Gjilanit i mungon të paktën një trofe ku do të përqendrohemi maksimalisht që këtë vit ta dërgojmë Kupën e Kosovës në Gjilan. Skuadra ka karakter shumë të fortë dhe kjo u dëshmua. Ishim të bashkuar dhe nuk mbetëm vetë falë edhe tifozëve të zjarrtë”, ka thënë Zeka.

Zeka ka qenë vendimtar, sidomos në ndeshjet e fundit me golat që i ka shënuar për Gjilanin. Shpreson që njëjtë të jetë edhe në kupë dhe në ndeshjet evropiane.