“Kur isha 14 vjeç, Barcelona më ofroi një kontratë 10-vjeçare. Ronaldinho ishte lojtari im i preferuar në atë kohë, kështu që ata më dërguan një poster të nënshkruar prej tij. Unë ende e mbaj atë në shtëpinë time në Londër. Shkruante: ‘Për Johnin nga’”.
Nëse dikush ka njohuri për emrin John Bostock, atëherë duhet ta dini se ai nuk e firmosi atë marrëveshje që ia kishte ofruar Barcelona. Në vend të kësaj, më shumë se një dekadë më vonë, udhëtimi i tij në botën e futbollit ka përfshirë 13 ndalesa për 13 vjet - Crystal Palace, Tottenham, Brentford, Hull City, Sheffield Wednesday, Sëindon Toën, Toronto FC, Royal Antwerp, OH Leuven, Lens, Bursaspor, Toulouse dhe Nottingham Forest.
Mesfushori i lindur në jug të Londrës - tani 28 vjeç - është në kërkim të klubit të tij të 14-të dhe insiston se ishte quajtur nga të gjithë “talenti i madh i ardhshëm i futbollit”, flet për parashikimet si “talenti i madh i futbollit”, refuzimin e kontratës së Barcelonës dhe pse pothuajse ishte pranë tërheqjes nga loja e futbollit.
Talent i jashtëzakonshëm
Bostocku u bashkua me Crystal Palacen, klubin që ai dhe familja e tij e përkrahnin, kur ai ishte pesëvjeçar.
Teknikisht i talentuar, me fizik atleti dhe këmbë të majtë fantastike, ai shpesh aktivizohej me gjenerata më të mëdha, duke luajtur kundër lojtarëve tre ose katër vjet më të vjetër. Ai u quajt një “çudibërës” - një talent i jashtëzakonshëm i gjeneratës së tij.
“Pothuajse, prej secilit klub kisha oferta. Barcelona, Real Madridi, Interi, Manchester Unitedi, Chelsea, Liverpooli dhe të gjitha ekipet e tjera të mëdha të Evropës”, kujton Bostock.
Në moshën 14-vjeçare, ndërsa shumica e shokëve të tij po merreshin me provimin final të shkollës, Bostocku po vendoste se në cilin prej klubeve elitare të Evropës do të dëshironte të luante. Bostocku bëri vetëm pak paraqitje me ekipin e parë për Palacet – debutoi si 15-vjeçar në humbjen 2:0 nga Watfordi në vitin 2007.
“Mbaj mend që isha shumë i ri për t’u ndërruar në të njëjtën dhomë zhveshjeje me shokët e mi të skuadrës, sepse isha ende e mitur. Unë u futa në 20 minutat e fundit dhe ishte një ndjenjë e jashtëzakonshme pasi unë e kisha përcjellë këtë ekip për shumë vite nga tribunat dhe tani po luaja për të. Është një moment, të cilin nuk do ta harroj kurrë”, insiston Bostocku.
Kërcënimet me vdekje dhe ndalesa në “Selhurst Park”
Nëse ardhja e tij në Crystal Palace ishte një ëndërr, atëherë largimi i tij ishte një makth, sipas Bostockut, transferimi i parë i të cilit e çoi atë në Tottenham.
“Familja ime dhe agjenti im menduan se ishte në interesin tim më të mirë të shkoja në Tottenham. Plani, përbërja, lojtarët me të cilët do të stërvitesha. Ata menduan se do të ishte zgjidhja më e mirë për zhvillimin tim. Unë nuk mund të vendosja asgjë, isha 15-vjeçar dhe pashë një letër në tavolinë që më thanë ta nënshkruaj”, kujton Bostocku.
Si adoleshent, Bostocku e dinte që çdo vendim që merrte prekte jo vetëm atë, por familjen dhe miqtë e tij. Edhe atëherë, ai e kuptoi që futbolli ishte një nga profesionet e pakta ku një kontratë mund të vendoste për jetën. Palace dhe Tottenham nuk ishin në gjendje të dakordoheshin për dëmshpërblim, që do të thotë se çështja shkoi në një gjykatë, e cila vendosi një tarifë prej dy milionë funtesh. Presidenti i Palacet në atë kohë, Simon Jordan, shprehu hapur zhgënjimin e tij për vendimin - madje duke kërcënuar me tërheqje të biletës sezonale të familjes së Bostockut.
"Ne nuk e prisnim reagimin e ashpër. Padyshim që futbolli është një biznes dhe të gjithë duhet ta respektojnë dhe kuptojnë këtë”, thotë Bostock.
Ai thotë se do të vizitonte rregullisht forume të bisedave në internet ku tifozët do të diskutonin për transferimin e tij. Dhe, aty kuptoi për kërcënimet me jetë që do t’i bëheshin, si dhe ndalesa për t’u futur në stadiumin e Crystal Palacet – “Selhurst Park”.
“Nuk mund të besoja se po kërcënohesha me jetë. Pas kësaj, frikësohesha edhe për të dalë në rrugë. Por, jam shumë mirënjohës që kisha rrjetin tim familjar, aq më shumë mendërisht. Disa njerëz e shohin lojën e futbollit për atë që është, por prapa saj ka një jetë, presion dhe pritje. Unë isha thjesht një djalë i ri që përpiqesha t’i ndiqja ëndrrat e mia ”, shprehet Bostocku.
Kthimi në ekipin e dytë
Bostocku bëri debutimin e tij në një garë zyrtare për Tottenhamin në Kupën e UEFA-s kundër Dinamos së Zagrebit në vitin 2008. Me 16 vjeç e 295 ditë, gjithashtu u bë edhe lojtari më i ri që debutoi te Tottenhami, sikurse te Palace. Por, adoleshenti e gjeti veten të paaftë të siguronte një vend në formacionin bazë të ekipit.
“Në atë kohë, Tottenhami nuk ndihej më i madh se Palace. Por ishte një madhësi e ndryshme e klubit. Kur e them këtë, mendoj për lojtarët që luaja përkrah, Luka Modriq dhe Gareth Bale. Në çdo pozitë kishte të paktën dy reprezentues të një vendi që konkurronin për të qenë titullar”, pranon ai.
Bostockut iu tha se një kthim në ekipin e të rinjve mund të ishte më i miri për zhvillimin e tij. Ky lajm e shkatërroi atë.
“Që kur mbaj mend, unë doja të isha lojtari më i mirë në botë dhe të fitoja ‘Topin e Artë’. Unë pashë Ronaldinhon të fitonte këtë trofe dhe thjesht mendova se dua të jem ai djali. Madje, mendova se nuk do ta fitoja këtë trofe, do të ishte dështim për mua”, shtoi Bostocku.
Rrugëtimi i huazimeve
Bostock pranon që largimi nga ekipi i parë i Tottenhamit dhe kthimi te të rinjtë, ndikoi dukshëm në vetëbesimin dhe paraqitjet e tij. Ai shpesh mundohej të jepte më të mirën nga vetja për t’i bindur drejtuesit e klubit se gabuan me një vend të tillë, por thuajse gjithmonë dështonte. Gjatë pesë vjetëve të kaluar te Tottenhami, Bostocku u huazua nëpër disa klube, ku pati suksese të ndryshme.
“Fillova të dyshoj në aftësitë e mia dhe nuk mund të besoja se prej ekipit pësova një rënie të tillë. Këto mendime edhe ndikuan shumë në lojërat e mia, të cilat pastaj më kushtuan me huazime nëpër klube të ndryshme”, thotë Bostocku. “Pastaj filluan mendimet e njerëzve të tjerë, që fillova t’i dëgjoj dhe kjo më dëmtoi dukshëm në karrierë. Nuk besoja më në vete se isha ai lojtari i talentuar për të cilin flisnin të gjithë”.
Kur kontrata i përfundoi te Tottenhami, Bostocku nisi të mendonte nëse futbolli ishte sporti i duhur për të. Pas një periudhe të vështirë, si një besimtar i devotshëm, Bostocku gjeti forcën dhe vullnetin për të vazhduar me futboll, por më nuk ishte ai futbollisti i dikurshëm.
“Nuk e di, thjesht ndodhën disa gjëra që më shkatërruan karrierën që ishte shumë premtuese”, tha ai. “Ndoshta, është dashur ta pranoja ofertën e Barcelonës, sepse aty do të kisha pasur një trajtim tjetër”.
I penduar
Pas Tottenhamit, Bostocku ra në divizionin e dytë të Belgjikës përpara aventurave në Turqi dhe Francë.
Ai bën shaka se me 13 klube në karrierën e tij, ai dhe gruaja e tij janë bërë mjaft ekspertë në përgatitjen e valixheve për qëndrim të shkurtër.
“Unë kam qenë i martuar për 10 vjet dhe ajo ka qenë shoqja ime më e mirë, ndihma ime, kampionia ime. Ajo ka besuar në mua disa herë më shumë sesa kam besuar unë në veten time”, krenohet Bostocku.
Çifti, së bashku me djalin e tyre të ri, tani janë përsëri në Mbretërinë e Bashkuar, ku Bostocku thotë se ai dëshiron të mbetet. Ai tashmë është një kërkim të një skuadre për pjesën e dytë të edicionit 2020/21. Pranon se ka bërë disa gabime që nuk mund të përmirësohen më.
“Unë jam penduar. Ndoshta keqardhja më e madhe nuk është që nuk iu bashkova Barcelonës, por që u largova nga Crystal Palace. Largimi nga ky ekip më kushtoi shumë”, pranon ai. “Unë mendoj se kjo është pjesë e jetës, duke e ditur që kam mundur të marr një vendim më të mirë. Por, në të vërtetë nuk isha në gjendje t’i marr ato vendime, sepse isha i ri. Kisha njerëz që i merrnin ato për mua dhe e di se ata kishin interesin tim më të mirë në zemër”.
Edhe pse pranon se ky udhëtim në botën e futbollit nuk ka qenë aspak i mirë, Bostocku thotë se nuk do ta ndryshonte fare.
“Ka qenë një udhëtim i pakëndshëm, por që ndoshta nuk do ta ndryshoja”, thotë ai duke aluduar se luajti për 13 skuadra të ndryshme në disa vende të botës. \ BBC