Sport

Pasi nuk gjeti hapësirë te Hajduku, Dellova erdhi në Kosovë për ta fituar titullin

Mbrojtësi Lumbardh Dellova do të luajë sërish në futbollin e Kosovës. Shtatlarti nga Krusha e Madhe ka firmosur kontratë trevjeçare me Ballkanin nga Suhareka.

Kjo do të jetë hera e dytë brenda një viti e gjysmë që Dellova kthehet për të luajtur në Kosovë nga futbolli kroat. Ai kthehet nga i njëjti klub, Hajduku i Splitit.

Në shtator të vitit 2020, Dellova ishte huazuar te Prishtina nga Hajduku. Pas paraqitjeve të mira me ekipin kosovar, ku e fitoi titullin e kampionit dhe u paraqit edhe në parakualifikimet e Ligës së Kampionëve, Dellova fitoi kontratë të re te Hajduku. Me klubin e njohur splitas firmosi deri në vitin 2025.

Megjithatë, qëndrimi i tij te Hajduku nuk ishte i gjatë. Ai u largua pas gati gjashtë muajsh.

“Hajduku dhe mbrojtësi Lumbardh Dellova kanë rënë dakord për të shkëputur kontratën. Ai bëri gjithsej tri paraqitje zyrtare për bardhezinjtë. I urojmë Lumbardhit shumë fat dhe suksese në vazhdimin e karrierës”, thuhej në njoftimin e Hajdukut.

Detajet e tjera nuk janë bërë të ditura nga klubi kroat. Dellova thotë se e ka kërkuar largimin për shkak se nuk i besuan dhe nuk i dhanë hapësirën që sipas tij e meritonte. Thotë se ka pasur vlerësime të shumta në Kroaci.

“Unë u largova nga Hajduku pikërisht për shkak të hapësirës së vogël që kisha. Tash e tre vjet, edhe pse kam marrë vlerësimet më të larta të trajnerëve kroatë në Hajduk të Splitit, nuk më është dhënë hapësira e duhur t’i tregoj vlerat e mija dhe mora vendim që të largohem”, u shpreh Dellova të enjten.

Në këtë edicion Dellova është paraqitur në vetëm tri ndeshje me Hajdukun në kampionatin kroat. Ka luajtur në total 72 minuta.

22-vjeçari thotë se ka pasur oferta në Kroaci, Slloveni dhe në Kosovë. Sipas tij, ofertat e klubeve në Kosovë kanë qenë më serioze dhe në fund ka zgjedhur Ballkanin.

“Kam pasur oferta nga disa klube në Kroaci dhe Slloveni. Por, ofertat nuk kanë qenë edhe shumë serioze dhe për këtë arsye nuk i kam pranuar. Nuk kanë qenë oferta më serioze, sesa e Ballkanit. Kam pasur oferta edhe nga disa klube të tjera në Kosovë, por për hir të korrektësisë nuk do të doja t’i përmendi”, tha Dellova.

“Mund të them se arsyeja më e madhe e kthimit tim në Kosovë ka qenë vlerësimi i klubeve kosovare që kanë ndaj meje. Ato më kanë vlerësuar shumë”.

Për Dellovën ishin të interesuara edhe Prishtina, Drita, Gjilani dhe Llapi.

Dellova thekson se titulli i kampionit është synimi që ka me Ballkanin. Pohon se është pritur shumë mirë nga drejtuesit e klubit.

“Synimi me Ballkanin është titulli i kampionit, ashtu siç ka qenë edhe në vitin e kaluar kur kam ardhur në Kosovë e ku me Prishtinën e kemi fituar titullin. Te Ballkani më ka pëlqyer projekti që ka klubi. Më kanë pritur shumë mirë dhe së bashku me të gjithë në skuadër do të japim më të mirën që të arrihen objektivat e klubit. Ballkani është klub i organizuar me lojtarë cilësorë”, deklaroi mbrojtësi më i ri i ekipit nga Suhareka. Ballkani është në garë për titull të kampionit. Në stinorin vjeshtor është renditur në vendin e tretë me 33 pikë, dy më pak se Gjilani që është lider.

Dellova thekson se nuk do të ndalet derisa të jetë lojtar i rëndësishëm në ndonjë klub evropian. Kësaj radhe këtë synon ta arrijë përmes Ballkanit dhe futbollit kosovar.

“Vitin e kaluar kam qenë i huazuar te Prishtina. Arsyeja e ardhjes sime ka qenë që të kem më shumë lojë dhe kjo ka qenë dëshirë e imja. Evropa nuk është e pakapshme për lojtarët që e kanë ëndërr të luajnë në Evropë, pavarësisht se ku gjenden. Sigurisht synoj të luaj në Evropë edhe me Ballkanin”, thotë Dellova.

Dellova në Kosovë ka luajtur edhe te Liria e Prizrenit. Ka qenë edhe pjesë e Kosovës U-21 dhe është paraqitur në dy ndeshje, ndaj Anglisë dhe Austrisë. Ka qenë i ftuar edhe te seniorët për miqësoren ndaj Guinesë, por për shkak të angazhimit me Prishtinën në garat evropiane nuk ka mundur të bashkohet me “Dardanët”.