Sport

Pas vërejtjeve nga auditori, ATK-ja reagon për sponsorizimin në sport

KB Bashkimi - KB Peja

Pamje nga ndeshja KB Bashkimi - KB Peja

Tatimpaguesit që kanë dhënë dhe japin sponsorizime në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit janë të obliguar që të dorëzojnë në Administratën Tatimore të Kosovës vërtetimin e lëshuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe dëshmitë e pagesave në emër të sponsorizimit.

Kjo është bërë e ditur nga ATK-ja të mërkurën.

Në fakt është obligim ligjor që tatimpaguesi që jep sponsorizime të dëshmojë se ka dhënë para në emër të sponsorizimit si kontribut për aktivitete me interes publik.

“Administrata Tatimore e Kosovës u bënë thirrje të gjithë tatimpaguesve të cilët kanë shfrytëzuar zbritjen e Tatimit në të Ardhurat e Korporatave për vlerën e sponsorizimeve të dhëna dhe nuk posedojnë dokumentacionin në rregull ashtu siç kërkohet me ligj, që të bëjnë korrigjimet e tyre në deklaratat tatimore për periudhën përkatëse, në të kundërtën ATK detyrohet që të ndërmarrë masat e përcaktuara me Ligj”, thuhet në komunikatë.

Sporti përfiton shumë miliona nga ligji për sponsorizime. Por ka pasur dhe ka dyshime që ligji po keqpërdoret dhe se paratë nuk përfundojnë te sportisti kosovar. Po ashtu nuk është e saktësuar mirë se çka nënkuptohet me “interes publik”.

Më 13 mars Zyra Kombëtare e Auditimit ka prezantuar vërejtje të shumta që kanë të bëjnë me ligjin për sponsorizime. Disa prej vërejtjeve ishin edhe për ATK-në.

Auditori ka konkluduar se aktivitetet e sponsorizuara nuk i arrijnë qëllimet e tyre dhe nuk realizohen si duhet. Sipas auditorit, ka munguar edhe mbikëqyrja dhe monitorimi i proceseve të sponsorizimit në sport nga ana e MKRS-së dhe ATK-së, ndonëse këtë e kërkon ligji.

Për më tepër, auditori ka vlerësuar se ka mungesë të dëshmive që milionat e ndara për sportin në bazë të këtij ligji, kanë përmirësuar cilësinë e sportit në Kosovë.

“Sponsorizimi dhe lirimi i 30% të tatimit në fitim për kompanitë private kanë rezultuar me shmangie tatimore. Nga 45 mostrat e testuara kemi gjetur se mbi 490 mijë euro nuk janë transferuar fare te klubet sportive si sponsorizim nga kompanitë private edhe pse në ATK kompanitë kishin raportuar se i kishin dhënë këto mjete për sponsorizim. Këto kompani sponsorizuese janë liruar nga tatimi dhe si rrjedhojë nuk i kanë paguar tatim shtetit. Përveç kësaj, klubet sportive kanë përfituar sponsorizim mbi 1 milion euro nga kompanitë private e për të cilat nuk kanë pasur vërtetim për sponsorizim nga ana e MKRS-së”, shkruan në raportin e auditorit.

Dhe pas këtyre gjetjeve, ATK-ja reagoi të mërkurën me kërkesa shtesë.

490 mijë euro nuk kanë përfunduar në sport vetëm nga mostrat e testuara. Rrjedhimisht shifra mund të jetë dukshëm më e madhe.

Auditori ka vlerësuar se nuk ka koordinim mes MKRS-së dhe ATK-së dhe se kjo pamundëson kontrollin e duhur.

Gjatë vitit 2023, në bazë të ligjit për sponsorizime, për sport janë ndarë plot 15 milionë euro. Katër klube kishin përfituar mbi 1 milion euro: KB Peja, KB Trepça, KB Sigal Prishtina dhe KF Ballkani.

Ka dyshime të mëdha se shumë prej këtyre 15 milionëve nuk shkojnë për “interes publik”, por në xhepat e përfituesve ilegalë.