Sport

Pas triumfit në Superkupë, Prishtina premton garë të fortë në kampionat dhe Kupë

Te skuadra e Prishtinës i janë gëzuar triumfit në Superkupën e Kosovës në futboll. Suksesi në Superkupë thonë se do t’iu shërbejë si motiv për të bërë garë të fortë në kampionat dhe për Kupë.

Prishtina të shtunën mposhti 2:1 kampionin në fuqi, Ballkanin, dhe iu gëzua Superkupës. Ndeshja u zhvillua në Antalia të Turqisë, ku Prishtina, Ballkani dhe shumë skuadra kosovare po i zhvillojnë përgatitjet për stinorin pranveror të Superligës.

Prishtina ka mbetur prapa në garën për titull të kampionit. Është në vendin e pestë me 26 pikë, 14 më pak se lideri, Ballkani.

Por kapiteni i Prishtinës, Mërgim Pefqeli, thotë se do të zhvillojnë një garë të fortë.

“Çdo trofe ka rëndësinë e vet, posaçërisht kur dihet që do të ndikojë shumë pozitivisht në atmosferën e ekipit dhe vazhdimin e përgatitjeve. Synimin kryesor si klub e kemi daljen në Evropë, qoftë nëpërmjet kampionatit apo Kupës. Prishtina gjithmonë lufton për trofe. Kemi mbetur prapa në kampionat, por besoj që triumfi në Kupë do të ishte qershia mbi tortë. Mirëpo do të luftojmë fort që të jemi sa më lart në kampionat, sepse kemi ekip për ta bërë një gjë të tillë”, ka thënë Pefqeli të dielën për KOHËN.

Prishtina ka ecuri prej tetë ndeshjeve pa humbje. Klubi duket se është riorganizuar pas telasheve financiare dhe organizative që e kanë munduar gjatë.

Në skuadër ka ofruar lojtarë të rinj, ndërsa për trajner ka emëruar Emmanuel Egbon. Ardhja e Egbos kishte ndikimin e vet sa u takon rezultateve.

“Është kupa ime e parë prej se jam bashkuar me Prishtinën. U thashë edhe lojtarëve që duhet ta fitojmë këtë trofe, pasi Prishtina meriton trofe si klubi më i madh në Kosovë. Pra, futet për të fituar në çdo garë trofe. Nuk është për t’u habitur që kemi fituar Superkupën. Ka mbaruar kjo dhe duhet ta vazhdojmë punën për fillimin e edicionit. Jam i kënaqur me formën fizike të lojtarëve. Duhet të vazhdojmë kështu”, ka thënë Egbo pas ndeshjes.

Në ndeshjen për Superkupë golat e fitores i shënuan Egzon Sinani dhe Leotrim Kryeziu. Asistues në të dy golat ishte Kreshnik Uka. Prishtina ka pasur edhe raste të tjera, ndërsa në fund është përballur me presion të shtuar të suharekasve. Por mbajti epërsinë.

Dy golashënuesit premtojnë angazhim edhe në kampionat dhe në garën për Kupë.

“Po ndihem shumë mirë për këtë trofe dhe, po ashtu, po më vjen shumë mirë që më në fund dola triumfues në një finale pas tri finale më parë i kam të humbura. Ky ekip më jep shumë shpresë dhe besoj që do të jemi befasia e pranverës”, ka thënë mbrojtësi Sinani.

Kryeziu thotë se triumfi ndaj Ballkanit është arritje e madhe.

“Kjo është edhe një arritje për klubin. Ishte ndeshje shumë e vështirë, por shumë mirë e analizuar dhe përgatitur nga ne”, është shprehur Kryeziu.

Siç ka njoftuar klubi, Prishtina nga viti 1992 ka fituar 30 trofe. Synon edhe shumë të tjerë në të ardhmen.