Qyteti i Gjilanit ka dy prej klubeve më të mira të futbollit në vend. Por, për shumë vjet nuk ka stadium të denjë të futbollit. Stadiumi i qyteti në Gjilan kishte nisur të rinovohej, por punimet ishin ndalur dhe nuk kanë vazhduar për kohë të gjatë. Në shtator të vitit të kaluar Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit kishte njoftuar se “stadiumi i Gjilanit po bëhet”. Megjithatë hapja e stadiumit në Gjilan nuk pritet edhe shumë vjet.
Të martën MKRS-ja lëshoi një tjetër njoftim që ka të bëjë me sportin e Gjilanit. Njoftoi se palestra “Bashkim Selishta – Petriti” do të rinovohet dhe më pas do të ofrojë kushte moderne për sportistët.
“Për këtë sot është nënshkruar memorandum bashkëpunimi nga sekretari i MKRS-së, Xheladin Krasniqi, dhe kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, në praninë e ministrit Hajrulla Çeku dhe drejtorit të sportit në MKRS, Ibër Alaj”, ka njoftuar MKRS-ja.
Rinovimi i palestrës në Gjilan do të kushtojë plot 2,3 milionë euro. Është investim i përbashkët i MKRS-së dhe Komunës së Gjilanit.
“Përmirësimi i infrastrukturës sportive në gjithë vendin është ndër prioritetet kryesore të Ministrisë së Sportit”, ka shkruar MKRS-ja.
Nuk është dhënë ndonjë njoftim se kur do të nisin punimet dhe kur do të përfundojnë ato.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka shkruar se bëhet fjalë për investim prej 2,4 milionë euro.
“Komuna do të financojë 400 mijë euro, ndërsa MKRS-ja dy milionë euro. Për jetësimin e projekteve dhe kushteve më të mira në zhvillimin e sportit”, ka shkruar Hyseni.
Më 11 shkurt kryetari i Gjilanit, Hyseni, kishte shkruar për stadiumin e qytetit, që ende nuk ka nisur të rindërtohet.
“Tashmë janë trajtuar dy ankesa dhe presim përgjigjen e OSHP-së për të vazhduar me shpalljen e fituesit dhe fillimin e punimeve. Pas shumë sfidave stadiumi po jetësohet”, kishte shkruar Alban Hyseni.
Rindërtimi i stadiumit në Gjilan do të kushtojë 15 milionë euro.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, më 16 shtator të vitit të kaluar kishte shkruar se stadiumi në Gjilan “po bëhet”
“Projekti përfundimtar i Stadiumit të Gjilanit, i cili mungonte, tash është hartuar dhe është i gatshëm për zbatim ndërsa buxheti i nevojshëm për financimin e zbatimit veçse është siguruar. Në marrëveshjen e sotme me kryetarin Alban Hyseni zotuam 15 milionë euro për ndërtimin e stadiumit. Procedurat e nevojshme për zbatimin e projektit do të fillojnë menjëherë dhe punimet në tërësi do të nisin sa më parë. Për shkeljet që janë gjetur në të kaluarën e këtij stadiumi, tanimë të kualifikuara si të tilla edhe nga Zyra Kombëtare e Auditimit, ndaj palëve të përfshira po përgatitet kallëzim penal”, kishte shkruar ministri Çeku.
Qindra miliona euro janë investuar në infrastrukturën sportive në Kosovë në dy dekadat e fundit. Por, ajo vazhdon të jetë larg gjendjes së duhur. Kosova aktualisht nuk e ka asnjë stadium të gatshëm për ndeshje evropiane. Sa u takon sporteve të tjera, shumica e aktiviteteve ndërkombëtare zhvillohen në palestrën e vogël të Pallatit të Rinisë në Prishtinë, që mezi plotëson kriteret minimale për ngjarje ndërkombëtare. Ndërkohë MKRS-ja njofton vazhdimisht për nisje të punimeve në objekte të ndryshme të sportit.