Sulmuesi Kreshnik Uka i është bashkuar sërish Prishtinës. Ai këtë herë ka firmosur për dy vjet me klubin e kaltër. Uka edhe më herët ka luajtur për Prishtinën, por për një periudhë ishte i huazuar te Drenica. Te Drenica ka shpërthyer në edicionin e kaluar, duke realizuar 19 gola. Dhe me formë të njëjtë sulmuesi 27-vjeçar shpreson të vazhdojë te skuadra e kaltër.
Periudha e kaluar te Prishtina nuk ishte e suksesshme për Ukën. Ai asnjëherë nuk ka shfaqur te skuadra e kaltër nivelin që shfaqi te Drenica. Por është i bindur se këtë herë do të jetë ndryshe.
“Prishtina është klubi më i madh në Kosovë dhe tashmë e ka bërë një projekt interesant. Për këtë kam diskutuar me drejtuesit e klubit dhe me trajnerin Ismet Munishi. Jam bindur që të bëhem sërish pjesë e Prishtinës”, ka thënë Uka për KOHËN, të premten.
“Gjithmonë është kënaqësi të jesh pjesë e Prishtinës. Futbollistët kanë ndonjëherë luhatje në karrierë. Tashmë jam në një pozitë tjetër, duke e njohur mirë ambientin dhe po ndihem sikur në shtëpi. Besoj dhe shpresoj se do ta jap më të mirën”, ka shtuar Uka.
Prishtina ka bërë ndryshime të mëdha gjatë verës. Në krye të skuadrës ka ardhur Ismet Munishi që ka angazhuar shumë lojtarë, pas largimeve të shumta.
“Sigurisht që do të jap maksimumin në secilën ndeshje që më jepet mundësia. Te Drenica kam shfaqur formë shumë të mirë dhe shpresoj se nuk do të kem lëndime dhe formën e mirë do ta vazhdoj edhe te Prishtina. Jam gati për të dhënë më të mirën time. Pres që me ndihmën e bashkëlojtarëve të tregojmë futboll të bukur dhe të kemi rezultate”, ka theksuar Kreshnik Uka.