Sulmuesi kosovar, Arb Manaj, shënoi katër gola në fitoren e skuadrës turke Bandirmas, por kundër Sanliurfasporit me rezultatin 5:0. Kjo ndeshje i takoi fazës së 1/32 të finales të Kupës së Turqisë dhe u zhvillua të martën mbrëma.
Në fakt, Manaj ka pesë gola në total për Bandirmasporin dhe që të gjitha i ka realizuar në kuadër të Kupës në vetëm dy ndeshje. Në kampionat, në tri ndeshjet e fundit nuk i është dhënë mundësia fare të luajë. Ai ka qëndruar në bankën e rezervistëve, derisa ka nëntë paraqitje në kategorinë e dytë të futbollit turk. Manaj është i huazuar te Bandirmaspori deri në fund të sezonit nga skuadra tjetër turke Ankara Keciorengucu. Për huazimin njëvjeçar të Manajt, Bandirmaspori ka paguar rreth 40 mijë euro. Për KOHËN, sulmuesi nga Klina ka thënë të mërkurën, se është hera e parë që realizon katër gola në një ndeshje të vetme. Ai ndihet i lumtur që me golat që ka shënuar, e ka ndihmuar ekipin që të kalojë në fazën tjetër.
“Të martën arritëm një fitore të thellë, falë angazhimit të gjithë lojtarëve. Shënova katër gola dhe e ndihmova ekipin që të kalojë në raundin tjetër të Kupës së Turqisë. Është hera e parë që shënojë katër gola në Turqi dhe në karrierën profesionale. Është ndjenjë shumë e mirë kur arrin të shënosh dhe ta ndihmosh klubin që të jetë brenda objektivave”, tha Manaj.
23-vjeçari mendon se e ka merituar që të luajë më shumë këtë sezon. Por, thekson se sa herë që t’i jepet rasti, do ta shfrytëzojë për të treguar cilësitë dhe se meriton të luajë.
“Normalisht, që jam i gatshëm të tregojë cilësitë e mia. Në fillim të kampionatit kam luajtur në disa ndeshje. Atëherë, ekipi nuk ka qenë i kompletuar, pasi kemi pasur disa lojtar të infektuar me koronavirus. E di që kam merituar shumë më shumë, por është trajneri ai që vendos. Unë jam i gatshëm gjithmonë të japë më të mirën kur të dalë në fushë. Të martën mua dha rasti në Kupë dhe e shfrytëzova në mënyrën më të mirë, duke shënuar katër gola”, deklaroi Manaj.
Ai pret që pas golave që ka shënuar në Kupë, të ketë më shumë minuta edhe në kampionat dhe ta ndihmojë skuadrën drejt synimit të madh. Manaj beson shumë se me Bandirmasporin, do të inkuadrohen direkt në Superligën e Turqisë.
“Unë pres më shumë minuta në ndeshjet e radhës. Dua që të jap më të mirën nga vetja. Por, duhet thënë se ne kemi një ekip shumë të mirë dhe cilësor. Mund të them se i kemi dy ekipe. Konkurrenca në skuadër është shumë e madhe. Mendoj që do të futemi në Superligë direkt, pasi kemi ekip për ta bërë këtë. Ky edhe është synimi ynë këtë sezon”, deklaroi ai.
Manaj ka qenë pjesë e Kosovës U21, kurse në miqësoret e muajit qershor, ishte ftuar edhe nga Përfaqësuesja A. Madje, kishte shënuar një gol kundër Guinesë në humbjen 2:1. Në total, Manaj ka tri paraqitje me Përfaqësuesen A të Kosovës, ku ka shënuar një gol. Ai shpreson që të vazhdojë me formën e mirë dhe pret që të ftohet sërish nga Kosova.
“Unë kam qenë i ftuar për ndeshje miqësore te Kosova. Edhe pse kam pasur pak minuta, kam arritur edhe të shënojë një gol. Gjithë punën që e bëjë, është që të japë më të mirën për klubin dhe të marrë ftesë nga Kosova. Shpresoj që të vazhdojë me formë të mirë dhe pse jo të jep pjesë e Kosovës në ndeshjet e radhës. Kjo do të varet nga forma që unë do të kem në vazhdim”, përfundoi Manaj.
Arb Manaj është zhvilluar te Dukagjini përpara se të kalojë te Trepça ’89, klub në të cilin shkëlqeu dhe në tetor të vitit 2020 u transferua te Ankara Keciorengucu. Për gjashtë muaj ka qenë i huazuar edhe te Belikesirspori. Manaj ka qenë edhe pjesë e rëndësishme e grupmoshave të reja të Shqipërisë.