Sport

Pas shpërthimit në kualifikime, Rrahmani kërkon golin e parë në fazën grupore

Sulmuesi Albion Rrahmani është i fokusuar që të japë më të mirën në dy ndeshjet e radhës në mënyrë që Ballkani të shënojë fitore dhe të kalojë në fazën nokaut të Ligës së Konferencës.

Të enjten në stadiumin “Fadil Vokrr” Ballkani luan kundër Slavia Pragës. Ndërkaq ndeshjen e fundit në kuadër të Grupit G e luan në udhëtim te Cluji, në fillim të nëntorit.

Rrahmani ishte golashënuesi më i mirë në ndeshjet kualifikuese. Ka realizuar shtatë gola. Kishte edhe një asistim. Ndërkaq në fazën e grupeve në katër ndeshje deri më tani nuk ka shënuar. I ka dy asistime dhe kontribut tjetër, por jo edhe gola.

21-vjeçari ka thënë për KOHËN se faza e grupeve dallon shumë nga faza kualifikuese. Sa u përket golave, thekson se më e rëndësishme është fitorja e Ballkanit.

“Faza e grupeve me ndeshjet kualifikuese dallon shumë, pasi në fazën e grupeve nuk ka ekipe të lehta. Unë jam lojtar i Ballkanit dhe më e rëndësishme për mua është që të fitojë skuadra se sa të shënoj unë. Kam bërë dy asistime në fazën e grupeve deri tani. Në dy ndeshjet e radhës do ta jap më të mirën nga vetja që ta ndihmoj ekipin, qoftë me gola apo me asistime. Ballkani mbi të gjitha”, u shpreh Rrahmani.

Sulmuesi është i lumtur me atë që ka treguar deri tani skuadra nga Suhareka në garat evropiane.

Dy ndeshjet e radhës, Rrahmani i quan finale që duhet të fitohen për të kaluar tutje.

“Mendoj që deri tani e kemi prezantuar Suharekën dhe futbollin e Kosovës në mënyrën më të mirë. Ballkani do të japë maksimumin deri në fund dhe do të kërkojë kalimin tutje. Nuk do të jetë e lehtë, por është e arritshme. Na presin dy ndeshje që janë si dy finale. Jemi përgatitur për ndeshjen e radhës që e kemi të enjten. Tashmë e njohim kundërshtarin nga ndeshja e parë që e kemi luajtur. Në Ligën e Konferencës nuk ka ndeshje të lehta. Por mendoj që ne kemi treguar paraqitje shumë të mira dhe shpresoj që të luajmë mirë edhe të enjten. Me përkrahjen edhe të tifozëve mund t’ia dalim”, tha Rrahmani.

Ballkani ka shënuar fitore në udhëtim te Sivasspori 4:3, dhe ka arritur një barazim në Prishtinë kundër Clujit 1:1. Kampioni kosovar ka pësuar dy humbje, nga Slavia 3:2 në Pragë dhe nga Sivasspori në Prishtinë, 2:1.

Me katër pikë renditet në pozitën e fundit në grupin G. Ka tri pikë më pak se Sivasspori dhe Cluji, që zënë dy vendet e para. Katër pikë i ka edhe Slavia.