Bleron Ademi është vlerësuar shumë lart në Suedi për talentin që kishte shfaqur ndër vite në sportin e taekwondos.
Duke e përfaqësuar Suedinë, Bleroni kishte fituar medalje në ngjarje të mëdha për të rinj. Vitin e kaluar fitoi medalje të bronztë në Kampionatin Botëror të juniorëve që u mbajt në Sofje të Bullgarisë dhe po ashtu në Kampionatin Evropian të grupmoshës U21, që ishte mbajtur në Tiranë.
Tani Bleron Ademi po garon për Kosovën, vendin prej nga e ka prejardhjen. Dhe menjëherë ka fituar medalje të madhe, më të madhen deri më tani për taekwondon kosovare.
Ai të enjten fitoi medalje të argjendtë në Kampionatin Evropian për taekwondistët deri 21 vjet. Evropiani për këtë grupmoshë po mbahet në Bukuresht të Rumanisë.
Për taekwondon kosovare është medalje historike. Sukses historik.

Ademi 18-vjeçar është krenar që ka fituar medalje të rëndësishme duke përfaqësuar Kosovën. Madje medaljen e argjendtë evropiane e siguroi në garën e parë në të cilën përfaqësoi Kosovën.
“Më është dukur shumë mirë, por kam qenë nervoz. Por çfarë të bëjmë. Jam gëzuar shumë, sepse e mora medaljen e parë për Kosovën dhe ekipi im është gëzuar shumë. Edhe pse nuk e zura vendin e parë, jam krenar edhe me vendin e dytë”, ka thënë të premten për KOHËN taekwondisti i talentuar.
Bleron Ademi ka falënderuar familjen, ekipin dhe trajnerët që i kanë qëndruar afër gjatë gjithë kohës. Ai shtoi se falë tyre është arritur ky sukses. Synon të mos ndalet me kaq, por të vazhdojë me sukses. Synim të madh e ka edhe të jetë pjesëmarrës në Olimpiadë.
“Dua t’i hap dyert edhe për taekwondistët e tjerë”, thotë me krenari Ademi, që kujton edhe medaljet e arta olimpike të fituara nga xhudoja. Të arta në Olimpiadën e Rios dhe të Tokios janë Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi.
“Këtë vit ishte gara e fundit. Vitin e ardhshëm të shohim se në çfarë gare do të marrë pjesë. Besoj se do të shkojmë për kualifikime olimpike”, ka deklaruar Ademi.
Ai thotë se në Suedi janë sjellë mirë, ani pse morën lajmin se ai do ta përfaqësojë Kosovën në të ardhmen. Suedia kështu ka mbetur pa një garues me shumë potencial, ndërsa Kosova ka fituar potencialisht taekwondistin më të mirë në histori.
Ademi është me prejardhje nga Mitrovica, ndërsa jeton në Trollhatan, afër Goteborgut, në Suedi. Thotë se jeta e një taekwondisti nuk është e lehtë. Pas angazhimit në shkollë, vazhdon në stërvitje menjëherë gjashtë ditë të javës.

Gjithë puna e madhe e bërë për shumë vjet Ademit iu shpagua të enjten në Bukuresht. Të enjten edhe nisi Evropiani për grupmoshën U21.
Ademi garoi në kategorinë deri në 54 kilogramë. Në luftën e parë mposhti sllovenin Aljaz Miklavçiq. Më pas fitoi ndaj garuesit nga Azerbajxhani, Khidir Mammadov.
Fitoi edhe ndaj spanjollit Isaac Vives Saez. Që të tre i mposhti me rezultatin 2:0 në raunde.
Me rezultatin 2:1 fitoi ndaj grekut të suksesshëm, Konstantinos Dimitropoulos, në gjysmëfinale. Humbi në finale nga spanjolli, Ivan Escolar Parra. Parra fitoi 2:1.
“Në finale jam rrahur me një spanjoll. Në raundin e parë humba me vërejtje. Nëse i bën 5 vërejtje, përfundon raundi. Raundi i dytë përfundoi me barazim. Në finale kam pasur ngërçe në të dyja këmbët, nuk munda t’i ngrija këmbët mirë. U mundova, por nuk pata sukses. Energji kisha në trup, por jo edhe në këmbë. Nuk munda t’i ngrija këmbët, sepse menjëherë më kapte ngërç. Kondicionin e kisha mirë. Ngërçi luajti rol dhe nuk kisha çfarë të bëja”, ka treguar Bleron Ademi.
Kosova ka fituar edhe në të kaluarën medalje në sporte luftarake, në taekwondo po ashtu, por vetëm me grupmoshat e reja.
Të enjten garuan edhe Jon Gashi, Elion Agushi dhe Arnis Agushi. Por, që të tre u mposhtën në luftërat e para.
Të premten garoi Denis Bllaca në kategorinë deri në 58 kilogramë. Edhe ai u mposht në xhiron e parë. Ndërkohë, të dielën garimin për Kosovën e mbyll Mal Sahiti, në kategorinë deri në 68 kilogramë.
Ademi është rritur si taekwondist në Suedi, ku vazhdon zhvillimin. Por prej këtij zhvillimi Kosova në të ardhmen mund të fitojë shumë. Pse jo edhe medalje olimpike.