Paraqitja e mirë e Përfaqësueses së Kosovës në duelin ndaj Qipros në Ligën e Kombeve, ka dhënë shenja se ekipi është gati për t’i mësuar kundërshtarët dhe për t’u përballur me ta në kualifikimet për “Euro 2024”.
“Dardanët” të martën mbrëma shkëlqyen kundër Qipros në stadiumin “Fadil Vokrri” duke e mposhtur me rezultatin e thellë 5:1. Me këtë fitore, Kosova e konfirmoi pozitën e dytë në Grupin e 2 të Ligës C, me nëntë pikë të mbledhura pas gjashtë ndeshjeve të zhvilluara.
Në fakt, dueli me Qipron ishte edhe i fundit në kuadër të edicionit të tretë të Ligës së Kombeve. Regjistroi tri fitore karshi po aq humbjeve në grup, të cilin e fitoi Greqia me 15 pikë për t’u promovuar në Ligën B të Ligës së Kombeve për sezonin tjetër.
“Dardanët” pësuan dy humbje nga Greqia dhe një nga Irlanda e Veriut, ndërsa triumfuan dy herë ndaj Qipros dhe një fitore e patën me Irlandën e Veriut. Në fakt, te Kosova kanë pranuar se synimi ishte ta fitonin grupin, ndërsa kampanja nuk është vlerësuar si shumë e suksesshme për shkak se nuk është arritur objektivi. Kështu që, Kosova edhe në edicionin e ardhshëm do të luajë në Ligën C të Ligës së Kombeve.
Do të jetë sezoni i tretë rresht që do të paraqitet në Ligën C, pasi në edicionin e parë luajti në Ligën D dhe u ngrit për një ligë më lart pasi e fitoi grupin. Mirëpo përpara se të mendojnë për kampanjën e re në Ligën e Kombeve, te Kosova kanë mendjen te një garë tjetër e rëndësishme, saktësisht te shorti për kualifikimet e “Euro 2024”. Më 9 tetor do të bëhet tërheqja e shortit në Frankfurt për kualifikimet e Evropianit, i cili pas dy vjetësh do të mbahet në Gjermani. E në këto kualifikime “Dardanët” kanë synime dhe këtë e ka pranuar edhe përzgjedhësi Alain Giresse pas ndeshjes me Qipron.
“Ishte një lojë shumë e mirë. Na ka kënaqur të gjithëve, kishte ritëm dhe efikasitet”, tha Giresse përpara se të flasë për kualifikimet e Evropianit. “Do të jemi në një vazo më lart për shkak të vendit të dytë, dhe pse të mos kërkojmë kualifikimin”.
Për Kosovën, kjo do të jetë hera e dytë që do të paraqitet në kualifikimet për Kampionatin Evropian. Herën e parë u paraqit në kualifikimet për “Euro 2020”, por përfundoi e treta në grup që përbëhej edhe nga Anglia, Çekia, Bullgaria e Mali i Zi. “Dardanët” tubuan 11 pikë pas tetë ndeshjeve të zhvilluara, ku regjistruan tri fitore, dy barazime dhe tri humbje.
Përfunduan para Bullgarisë e Malit të Zi, ekipe që u renditën në dy vendet e fundit. Në shortin për kualifikimet e “Euro 2024”, Kosova do të jetë në vazon e katërt së bashku me Turqinë, Gjeorgjinë, Kazakistanin, Luksemburgun, Greqinë, Azerbajxhanin, Ishujt Faroe, Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut. 53 përfaqësueset e përfshira në short janë vendosur nëpër vazo në bazë të renditjes së tyre në edicionin e sapopërfunduar të Ligës së Kombeve.
Të gjitha ekipet pjesëmarrëse janë shpërndarë në shtatë vazo, ku njëra prej tyre përbëhet nga katër përfaqësueset e fazës finale të Ligës së Kombeve: Kroacia, Spanja, Italia e Holanda.
Përfaqësueset do të ndahen në dhjetë grupe kualifikuese, ku shtatë prej tyre do të përbëhen prej pesë ekipeve dhe tri të tjerat do t’i kenë nga gjashtë skuadra. Dhjetë fituesit e grupeve dhe dhjetë nënkampionët do të kualifikohen për “Euro 2024”, ndërsa tri vendet e mbetura do të vendosen përmes ndeshjeve të plejofit që luhen në mars të vitit 2024. Ndeshjet e para kualifikuese për Evropianin 2024 do të zhvillohen në fund të muajit mars të vitit të ardhshëm.
Ndërsa cikli do të mbyllet me xhiron e dhjetë kualifikuese, ndeshjet e së cilës janë në program më datat 19-21 nëntor. Kosova, po ashtu, është paraqitur edhe në kualifikimet për dy Botërorët e fundit, por nuk ka pasur sukses. Në kualifikimet për botërorin “Rusia 2018” që ishte edhe në debutim pas pranimit në FIFA e UEFA, Kosova përfundoi e fundit në grup me vetëm një pikë pas dhjetë ndeshjeve të luajtura.
Ndërkohë, edhe në kualifikimet për kampionatin botëror “Katari 2022” që nis në fund të muajit nëntor, përfundoi e fundit në grup, por këtë herë tuboi pesë pikë në tetë ndeshje.