Boksieri kosovar Haxhi Krasniqi është kthyer me sukses në ring. Krasniqi 35-vjeçar nuk kishte boksuar që nga 9 tetori i vitit 2021. Të shtunën mbrëma në Munih, Krasniqi fitoi ndaj Timur Nikarkohevit. Nikarkohev është nga Rusia dhe jeton në Belgjikë. Ai nuk doli për të boksuar në raundin e gjashtë, për shkak të një frakture në brinjë që e pësoi në raundin e katërt. Pra, e dorëzoi meçin.
Krasniqi po dominonte në ring, ndërsa përkrahjen nga tribunat e kishte shumë të madhe. Shumica e shikuesve ishin shqiptarë.
Junikasi Krasniqi është mësuar me përkrahje të madhe të shqiptarëve në meçet në Gjermani. Por shpreson që meçin e ardhshëm ta zhvillojë në Kosovë, përkatësisht në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
“Ky meç ishte shumë i rëndësishëm për kthimin tim pas një pauze prej një viti e gjysmë. Kam punuar shumë që të kthehem dhe nuk ka qenë aspak e lehtë. Sigurisht që kjo fitore më motivon edhe më shumë për t’u përgatitur që të jem i gatshëm të luftoj për tituj”, ka theksuar Krasniqi për KOHËN pas meçit.
Në tetor të vitit 2021, Krasniqi ishte mposhtur nga gjermani Dominic Boesel, në një duel shumë diskutabil.
Krasniqi tani ka 52 fitore në boksin profesionist, prej tyre 20 me ndërprerje. I ka edhe shtatë humbje. Krasniqi synon që sërish të luftojë për titull të botës. Por në planet e tij të afërta është edhe një duel në Prishtinë, ku beson fuqishëm se do të ketë përkrahje të madhe të shikuesve.
“Është dëshirë e imja e kamotshme që një meç ta realizoj në Kosovë. Shpresoj që meçin e ardhshëm ta zhvilloj në Kosovë, është ëndërr e imja. Shpresoj që kjo të realizohet gjatë verës. Dua të boksoj në vendlindjen time, para popullit tim”, ka thënë Krasniqi, që njihet me emrin Robin.
“Dua t’i mundësoj edhe popullit tim të më shohë nga afër duke boksuar pasi jo të gjithë kanë mundësi që të vijnë të më shohin në meçet që i zhvilloj në Evropë. Sigurisht që dua të jem pranë popullit tim dhe të boksoj në ajrin e vendit tim. Kërkesën për ta realizuar një meç në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ e kemi bërë në Ministrinë e Sportit dhe shpresoj që të më mundësohet ta realizoj këtë ëndërr. Jemi në pritje të përgjigjes për të filluar përgatitjet për të organizuar gjithçka në mënyrën më të mirë”, ka theksuar Krasniqi.
Ai ka luftuar dy herë për tituj të botës, ndërsa më pas ka mbajtur titullin e përkohshëm të botës në versionin WBA në kategorinë gjysmë të rëndë. Edhe të shtunën boksoi në kategorinë gjysmë të rëndë.
“Mua më mbetet që të stërvitem fuqishëm që të paraqitem edhe më mirë në të ardhmen”, ka theksuar Krasniqi.
Në Munih, të shtunën mbrëma, fituan gjithë shqiptarët që u paraqitën në ring. Shumë diskutabile dhe e komentuar ishte fitorja e Shefat Isufit ndaj argjentinasit Hernan David Perez.