Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, e ka vlerësuar lart skuadrën e Prishtinës. Ramadani ka thënë në konferencën për shtyp të premten se ndeshjet ndaj kryeqytetasve janë gjithmonë të vështira.
Edhe Drita është vlerësuar kundërshtare e vështirë te Prishtina.
Drita e Prishtina takohen të shtunën prej orës 13:00 në derbin e xhiros së 24-t të Superligës së Kosovës në futboll. Ndeshja zhvillohet në fushën me bari sintetik në Gjilan.
Trajneri shkupjan, Ramadani, ka thënë se Drita nuk guxon të bëjë dy gabime rresht në kampionat, ndërsa ka shtuar se skuadra ka harxhuar shumë energji në ditët e fundit. Drita në fundjavën e kaluar u mposht 1:0 nga Fushë Kosova, ndërsa në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës kaloi në mesjavë pasi i zhvilloi 120 minuta në duelin kundër Dukagjinit. Fitoi vetëm pas ekzekutimit të penalltive.
Prishtina pati dy duele më të lehta. Fitoi ndaj Lirisë në ndeshjen e kaluar në Superligë, kurse në Kupë e eliminoi Trepçën ’89 pas fitores së thellë 5:1.
Drita është në vendin e tretë në Superligë me 43 pikë të mbledhura. Është ende në garë për titull, ndonëse ka pesë pikë më pak se lideri Ballkani dhe katër më pak se Llapi i vendit të dytë.
“Na pret një ndeshje e vështirë. Gjithmonë përballë Prishtinës kanë qenë ndeshje të rënda. Por, unë mendoj që jemi përgatitur dhe jemi të gatshëm në aspektin psikologjik e fizik për t’u përballur me Prishtinën. Nuk ka ndeshje të lehtë. Këtë e pamë edhe përballë Fushë Kosovës. Por, kur bëhet fjalë për skuadra me renome siç është Prishtina, një gjë jam i sigurt që motivi te futbollistët do të jetë edhe më i lartë. Më së paku energji një trajner harxhon në aspektin e motivimit të skuadrës kur ke përballë skuadra me histori. Kemi besim tek ekipi, kemi kualitet brenda grupit. Normal, objektivi jonë nuk na lejon të bëjmë dy hapa pas, njëri pas tjetrit”, ka thënë Zekirija Ramadani.
Përkrah Ramadanit në konferencë ishte sulmuesi Blerim Krasniqi. Ai tha se ndaj Prishtinës do të japin maksimumin, si në çdo ndeshje tjetër.
“Është ndeshja jonë e radhës. Duhet ta japim maksimumin gjithë lojtarët që të marrim pikët maksimale. Normalisht se do të jetë vështirë, sepse Prishtina është një ekip prej më të mirëve në ligë. Do të japim gjithçka për të arritur tri pikët, pastaj do t’i marrim ndeshjet një nga një, të japim maksimumin. Besoj që nuk do të jetë e lehtë”, ka deklaruar Krasniqi.
Në dy ndeshjet e para të edicionit aktual, Drita fitoi 3:0 në shtëpi, kurse Prishtina fitoi 1:0 si vendase. Në dhjetë ndeshjet e fundit bilanc më të mirë ka skuadra gjilanase, që ka arritur gjashtë fitore. Dy fitore i ka Prishtina, ndërsa dy ndeshje janë mbyllur baras.
Mesfushori Drilon Islami, që po vlerësohet shumë për paraqitjet këtë edicion te Prishtina, ka thënë se rezultatet pozitive në ndeshjet e fundit lënë shpresë për një tjetër ndeshje të mirë.
“Jemi në formë të mirë, vijmë pas disa ndeshjeve pozitive dhe shpresojmë se edhe nesër do të jemi në ditën tonë më të mirë. Presim ndeshje të fortë, sepse gjithmonë dy skuadrat kanë prodhuar ndeshje të forta. Ne angazhohemi për rezultat pozitiv si në çdo ndeshje tjetër”, ka deklaruar Islami për faqen zyrtare të Prishtinës.
Të shtunën në program janë edhe dy ndeshje tjera të xhiros së 24-t.
Dukagjini në stadiumin “18 Qershori” në Klinë e pret Fushë Kosovën, ndërsa Llapi në “Zahir Pajaziti” luan kundër Gjilanit.
Të dielën janë ndeshjet Liria – Feronikeli 74 dhe Ballkani – Malisheva. Kampioni, Ballkani, në mesjavë e eliminoi Malishevën në çerekfinale të Kupës, duke e mposhtur në udhëtim me rezultatin 3:0.
Superliga –24
E shtunë (13:00)
Drita – Prishtina
Dukagjini – Fushë Kosova
Llapi – Gjilani
E diel (13:00)
Liria – Feronikeli 74
Ballkani – Malisheva
1. Ballkani 23 14 6 3 41:21 48
2. Llapi 23 14 5 4 36:17 47
3. Drita 23 13 4 6 29:14 43
4. Malisheva 23 13 2 8 39:28 41
5. Prishtina 23 7 13 3 26:21 34
6. Dukagjini 23 7 9 7 26:28 30
7. Feronikeli 74 23 6 5 12 21:35 23
8. Gjilani 23 5 7 11 18:24 22
9. Fushë Kosova 23 3 6 14 15:37 15
10. Liria 23 1 7 15 15:41 10