Sport

Pas Haalandit, Dabiqaj – pesë gola në një ndeshje

Pasi shënoi golin e katërt, mesfushori Albert Dabiqaj thotë se kërkoi me ngulm të shënonte edhe një gol tjetër.

Golin e pestë ia kërkonin edhe tifozët e Gjilanit, që kishin udhëtuar në Mitrovicë për ta përkrahur skuadrën në ndeshjen çerekfinale të Kupës së Kosovës kundër Trepçës ’89. Kapiteni i Gjilanit ia doli ta realizojë dëshirën e tij dhe të tifozëve gjilanas.

Tifozët insistonin në golin e pestë të mesfushorit, të inspiruar nga pesë golat e sulmuesit të Manchester Cityt, Erling Haaland, një natë më parë në Ligën e Kampionëve. Pesë gola në një ndeshje është e arritur e rrallë në futboll.

“Gjithmonë mendoj t’i ndihmoj ekipit sa më shumë edhe në fazën ofensive, pasi që roli im dihet. Haalandi më shkoi ndërmend, sepse kohë pas kohe edhe dëgjoja tifozët në tribuna që thërrisnin emrin tim dhe emrin e Haalandit”, ka thënë Dabiqaj të mërkurën mbrëma për KOHËN.

Për Dabiqajn është hera e parë në karrierë që shënon pesë gola.

“Po, kjo është hera e parë në karrierën time që kam realizuar pesë gola dhe sinqerisht është një ndjesi e veçantë”, është shprehur Dabiqaj.

Në fakt, edhe për sulmuesin norvegjez të Cityt, Erling Haaland, ishte hera e parë në karrierë që shënoi pesë gola në një ndeshje. Ai shënoi pesë gola në fitoren 7:0 të Cityt përballë Leipzigut në ndeshjen kthyese të një të tetës së finales të Ligës së Kampionëve.

Mesfushori Dabiqaj shënoi golin e pestë dy minuta para fundit të ndeshjes që Gjilani e fitoi ndaj Trepçës ’89 në “Riza Lushta” në Mitrovicë. Me pesë golat e Dabiqajt, Gjilani kaloi në gjysmëfinale të Kupës. Gjilani fitoi 5:1 përballë mitrovicasve. Katër golat e tjerë i shënoi në minutat dy, nëntë, 34 dhe 68. Edhe më të madhe e bën të arriturën fakti që Dabiqaj nuk luan në sulm.

26-vjeçari është shprehur i lumtur që ndihmoi ekipin e Gjilanit të kualifikohet në gjysmëfinale të Kupës.

“Normalisht ndihem shumë i kënaqur sepse kam ndihmuar ekipin të kualifikohet në gjysmëfinalen e Kupës. Kupa është një objektiv për ne dhe normalisht që çdo rezultat pozitiv është i rëndësishëm”, ka theksuar Albert Dabiqaj, njëri prej lojtarëve më të mirë në elitën kosovarë të futbollit.

Dabiqaj ka luajtur më herët edhe për Besën dhe Feronikelin. Dabiqaj edhe në të kaluarën ka pasur ndeshje të mëdha. Por, insiston se ndeshjen ndaj 89-shit do ta mbajë gjatë në mend.

“Kam pasur ndeshje shumë të mira gjatë karrierës, por këtë me pesë gola të realizuar normalisht që do ta mbaj mend gjatë”, ka theksuar futbollisti i skuadrës gjilanase.

Dabiqaj pret që me Gjilanin ta fitojë Kupën e Kosovës.

“Synimi im është t’i ndihmoj klubit sa më shumë, ndërsa klubi synon të jetë pjesëmarrës i rregullt i garave ndërkombëtare. Shpresojmë të mbyllim këtë edicion me një trofe, sepse klubi dhe tifozët më të vërtetë e meritojnë një të tillë”.

Paraqitjen e Dabiqajt e vlerësoi lart edhe trajneri i Gjilanit, Zekirija Ramadani. Ai tha se Dabiqaj jep kontribut të madh për Gjilanin.

“Rezultati nuk do koment. Albert Dabiqaj gjithmonë jep më të mirën e tij. Ai është lojtar i rëndësishëm. Jo vetëm Dabiqaj, por edhe gjithë të tjerët kanë dhënë më të mirën”, ka thënë Ramadani.