Sulmuesi Albion Rrahmani hyri si zëvendësues dhe ia siguroi Ballkanit kualifikimin në çerekfinale të Kupës së Kosovës në futboll. Ballkani fitoi kundër Malishevës me rezultatin 1:0, të shtunën.
Rrahmani ka thënë të hënën për KOHËN se të nisësh stinorin me gol është gjëja më e mirë për një sulmues. Ai shton se kalimi i ekipit në çerekfinale ka rëndësi më të madhe se goli i tij.
“Ta nisësh stinorin me gol është mënyra më e mirë për një sulmues. Jam shumë i kënaqur që kam shënuar dhe e kam ndihmuar ekipin që të kalojë tutje në Kupë. Sigurisht meritat u takojnë të gjithëve në skuadër”, deklaroi Rrahmani.
Futbollisti nga Podujeva realizoi ndaj ish-skuadrës. Ai kishte bërë emër te Malisheva.
21-vjeçari kaloi formë të mirë edhe në ndeshjet përgatitore që Ballkani i zhvilloi në Antalia. Ai shënoi katër gola dhe bëri një asistim.
Rrahmani zbulon se në Antalia ka luajtur për t’i rënë në sy trajnerit Ilir Daja, i cili në janar erdhi në krye të Ballkanit.
“Përgatitjet kanë shkuar jashtëzakonisht mirë. Kemi zhvilluar edhe disa ndeshje miqësore. Jam i kënaqur me përgatitjet dhe me formën që kam kaluar dhe shpresoj që të vazhdoj kështu edhe në ndeshjet e radhës. Besoj që në ndeshjet miqësore kam arritur të jap më të mirën nga vetja dhe t’i bie në sy trajnerit. Me këtë formë besoj që do të kem minutazhë më të madhe se në gjashtë muajt që lamë pas. Sigurisht i takon trajnerit të vendos”, u shpreh Rrahmani.
Ai vlerëson se në stinorin vjeshtor nuk ka pasur hapësirë të madhe në skuadër.
“Patjetër që më ka munguar hapësira. Unë mendoj që po të kisha minutazhë më të madhe do të kisha shënuar më shumë gola. Sido që të jetë unë kam punuar, nuk jam ndalur dhe do të vazhdoj të punojë. Përkrahja që marr nga familja dhe menaxheri im, Kastriot Telaku, më japin motiv shtesë që të punojë për të arritur sa më lartë”.
Rrahmani synon që me Ballkanin ta fitojë titullin e kampionit.
“Synimet e mia janë që të jap maksimumin nga vetja në çdo ndeshje, ta ndihmoj ekipin drejt objektivave dhe në fund të shpallemi kampion të Kosovës”, deklaroi Rrahmani.
Në stinorin vjeshtor Rrahmani ka shënuar vetëm një gol në Superligë. Ka luajtur titullar vetëm ndaj Ulpianës, kurse në pesë duele të tjera ka hyrë si zëvendësues. Në total ka tri gola, dy i ka në Kupë. Ai nuk ka qenë zgjedhja e parë e trajnerit Bekim Isufi në vjeshtë.
Albion Rrahmani është pjesë e Kosovës U21. Kampionatin e kaluar Rrahmani ishte golashënuesi më i mirë në Ligën e Parë me Malishevën.
Stinorin pranveror Ballkani do ta nisë nga pozita e tretë.