Futbollistet e Kosovës U17 shënuan fitoren më të thellë në histori të përfaqësueseve, që nga pranimi i Kosovës në UEFA dhe në FIFA (2016). Ato mposhtën Gjeorgjinë me rezultatin 13:0, të premten, në kuadër të kualifikimeve për Evropianin e vitit 2022.
Ky triumf erdhi në debutimin e grupmoshës U17 në garat evropiane. Trajneri Kushtrim Munishi thotë se kanë qenë të përgatitur për të arritur fitore, por jo me rezultat aq të thellë.
“Është ndjenjë e mirë kur shënon fitore të thellë dhe po ndihemi krenar. Në futboll nuk mund të parashikosh rezultatin, por duke pasur parasysh punën tonë që e kemi bërë me këto futbolliste në këtë periudhë dymujore, normalisht që edhe e kam pritur fitoren. Kemi punuar mjaft mirë, lojtaret kanë qenë të përkushtuara në stërvitje dhe kam qenë i bindur që ne mund ta arrijmë një gjë të tillë. Më meritore për këtë triumf janë lojtaret të cilat i kanë kryer detyrat në mënyrën më të mirë. Është rezultat që dëshmon se futbollistet tona kanë qenë mbi nivelin e futbollistëve të Gjeorgjisë, por Gjeorgjia nuk është kombëtare që duhet të nënçmohet”, tha Munishi për KOHËN.
Për fitoren historike flasin edhe dy futbollistet, Rreze Gashi dhe Elsa Raci. Ato mendojnë që fal angazhimit dhe punës që kanë bërë, ia kanë dalë që të shënojnë fitore të thellë.
“Ne e fituam ndeshjen e parë kundër Gjeorgjisë me një rezultat të thellë, 13:0, dhe e gjitha kjo erdhi si rezultat i punës së palodhshme të trajnerit Kushtrim Munishi dhe stafit të tij që na qëndroi afër në çdo aspekt. Ne si shpërblim ia kthyem me një fitore të rëndësishme për ekipin tonë. Ne ndihemi shumë të lumtura pasi është nder dhe privilegj ta përfaqësosh vendin tënd”, u shpreh Gashi.
“Ndeshjen ndaj Gjeorgjisë e kemi fituar me rezultat të thellë 13:0 duke zbatuar detyrat e trajnerit dhe duke luajtur lojë kolektive. Deri te goli i parë presioni nga ne ka qenë shumë i madh dhe pastaj kemi vazhduar me ritmin e njëjtë. Pas këtij triumfi përkrahja dhe respekti është më i madh dhe jemi shumë të lumtura. Nuk e kemi menduar që rezultati do të jetë kaq i thellë, pasi në ndeshjet e mëhershme Gjeorgjia nuk pa pasur humbje të tilla. Por, ne kemi besuar në fitore dhe kemi hyrë me qëllim që të marrim tri pikë”, deklaroi Raci.
Triumfi i thellë kundër Gjeorgjisë i ka dhënë zemër përfaqësueses kosovare, që tani synon fitore edhe ndaj Bjellorusisë. Përzgjedhësi Munishi pohon se edhe ndaj Bjellorusisë do të hyjnë për pikë të plota. E pranon se synojnë kalimin e grupit.
“Në ndeshjen ndaj Bjellorusisë ne duhet të përqendrohemi maksimalisht. Fitorja ndaj Gjeorgjisë nuk vlen nëse ne nuk e mposhtim Bjellorusinë. Ne jemi duke u përgatitur edhe për atë ndeshje. Jemi duke punuar me futbolliste, si në aspektin psikik e po ashtu edhe në atë teknik-taktik dhe kondicional. Me Bjellorusinë presim që të fitojmë. Për atë edhe i kemi nisur përgatitjet shumë herët. Synimi im ka qenë që me këto futbolliste të punojmë sa më shumë në Prishtinë që mundi të na shpaguhet dhe synimi i vetëm është që të kualifikohemi në rundin tjetër për kualifikim në Kampionatin Evropian”, u shpreh Munishi.
Fitore ndaj Bjellorusisë presin edhe futbollistet. Rreze Gashi thekson se motivi është rritur te vashat e Kosovës.
“Pas lojës së parë dhe fitores bindëse, kemi marrë një motiv të madh dhe shpresojmë që ta përsërisim suksesin edhe kundër Bjellorusisë dhe të bëhemi lidere të grupit”, deklaroi Gashi.
Kosova U17 përballet me Bjellorusinë të hënën prej orës 18:00. Së bashku me Kosovën dhe Bjellorusinë në grupin e parë kualifikuese të Ligës B janë edhe Gjeorgjia dhe Luksemburgu. Përfaqësuesja e cila renditet e para në grup kalon në Ligën A për fazën e dytë kualifikuese. Pos gjashtë fituesve të grupeve në Ligën B, në Ligën A kalon edhe përfaqësuesja me bilancin më të mirë në vendin e dytë. Ndeshjet e grupit të Kosovës po luhen në Luksemburg.