Debutoi furishëm në Superligën e Kosovës në futboll, duke shënuar dy gola për t’i siguruar Trepçës ’89 një pikë në duel me Dritën (2:2). Realizoi një gol edhe ndaj Gjilanit, kurse asistoi një herë kundër Llapit. Në tri ndeshje shënoi po aq gola. Bëhet fjalë për sulmuesin nga Nigeria, Christian Mba. Nigeriani është shndërruar në lojtarin vendimtar të ekipit nga Mitrovica, të kthyer në Superligë. Mba ishte shpallur edhe lojtari më i mirë i javës së parë, çmim që ndahet nga Federata e Futbollit e Kosovës.
Skuadra e Trepçës ’89 ka startuar me dy barazime dhe një humbje në Superligë. “Minatorët” janë ende pa fitore. Kanë luajtur vetëm tri ndeshje, pasi dueli me Ballkanin është shtyrë për shkak të pjesëmarrjes së skuadrës kampione në Ligën e Konferencës.
Në tri duele 89-shi ka shënuar pesë gola dhe në katër ishte i përfshirë Mba.
Nigeriani është pjesë e ekipit nga Mitrovica që nga fillimi i këtij viti dhe ka dhënë kontribut në rikthimin e Trepçës ’89 në elitë pas një edicioni në Ligën e Parë. Mba së bashku me Theophilus Solominin e Gjilanit i prijnë listës së shënuesve më të mirë ne Superligë. Starti i mirë i nigerianit Mba e ka befasuar edhe atë.
“Është një ndjenjë e jashtëzakonshme që në tri ndeshjet e para të Superligës t’i shënojë tri gola. Mbi të gjitha këta gola i kam shënuar kundër ekipeve të forta dhe që kanë histori në futbollin e Kosovës, si Drita dhe Gjilani. Sigurisht që ky është një start i mirë për mua, të cilin ndoshta nuk e kam pritur as vetë”, është shprehur Mba për KOHËN. “Kam besim në vete dhe gjithmonë kërkoj ta ndihmoj ekipin, qoftë me gola apo në mënyra të tjera. Punoj shumë për këtë dhe kjo më shtyn të kërkoj gjithnjë më shumë nga vetja”.
22-vjeçari para se të vinte në Kosovë ka luajtur në Nigeri.
“Para se të vija në Kosovë kam luajtur në Nigeri. Kam vetëm gjashtë muaj në futbollin e Kosovës dhe po ndihem shumë mirë. Shpresoj të vazhdoj me këtë formë deri në fund të sezonit dhe ta ndihmoj ekipin në arritjen e objektivave”, ka shtuar Mbae.
Ndeshjen e radhës në Superligë, Trepça ’89 e luan në shtëpi. E pret skuadrën e Malishevës, duel ky në të cilin e kërkon fitoren e parë. Ndeshja luhet në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë, të shtunën prej orës 15:00. Natyrisht edhe Mba dëshiron ta lërë gjurmën e tij.