Trajneri i skuadrës së Llapit, Tahir Batatina, është i vendosur që ta shkruajë edhe një faqe të re të historisë së ekipit llapjan. Pasi me Llapin e fitoi Kupën e Kosovës sezonin e shkuar, Batatina ia ka vënë syrin edhe trofeut të Superkupës për ta filluar edicionin 2021/22 me “këmbë të mbarë”.
Pra Llapi për herë të parë luan për Superkupë dhe menjëherë kërkon suksesin. Në ndeshjen e Superkupës, që zhvillohet të martën prej orës 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri”, Llapi do të përballet me Prishtinën, kampionen e sezonit të fundit.
Batatina pranon se do të jetë një ndeshje e vështirë, por shton se Llapi është i vendosur për ta fituar këtë trofe, me të cilin do të paralajmëronte synimet e mëdha që i ka për sezonin e ri.
Ndeshja e Superkupës i paraprin edicionit 2021/22 të Superligës që starton këtë fundjavë. Gjithashtu, për herë të parë do të përdoret edhe sistemi VAR, i cili do të “debutojë” në ndeshjen e Superkupës.
“Jemi përgatitur mirë për sezonin e ri dhe ndeshjen e Superkupës. Do të jetë një ndeshje e vështirë, por ne do të japim maksimumin si skuadër për ta fituar edhe trofeun e dytë në histori të klubit. Duam ta fitojmë trofeun e parë të Superkupës pas atij të Kupës, dhe kjo do të ishte historike për të gjithë qytetin e Podujevës. Përballë kemi një ekip shumë të fortë, por jemi të gatshëm për të paralajmëruar synimet tona të mëdha me suksesin në Superkupë”, ka thënë Batatina për KOHËN. “Po ashtu jemi edhe maksimalisht të motivuar për suksesin e radhës. Synimi është ta nisim edicionin e ri, ashtu siç e mbyllëm të vjetrin, me trofe. Do ta kemi edhe mbështetjen e tifozëve tanë dhe pres të japim gjithçka nga vetja për të dëshmuar se jemi gati për fillimin e sezonit të ri”.
Përderisa Llapi është në kërkim të trofeut të parë të Superkupës, Prishtina e ka fituar këtë trofe dhjetë herë. Edhe Prishtina po kërkon fitoren në këtë ndeshje, në prag të sezonit të ri. Prishtina ka pasur ecuri pozitive në garat evropiane duke arritur deri në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës. Verën e kishte të ngarkuar me plot tetë ndeshje evropiane. Dhe tani u kthehet sfidave vendore.
“Është ndeshje e rëndësishme, pasi flitet për trofe. Në do të futemi në ndeshje për ta fituar trofeun dhe për ta vazhduar suksesin edhe në fillim të sezonit. Mbi të gjitha do ta kemi edhe përkrahjen e tifozëve tanë dhe duam të fitojmë dhe të festojmë së bashku me ta”, ka thënë mbrojtësi i krahut të majtë, Gledi Mici për “Sportin Total”.
“Besoj se do të jetë një ndeshje interesante dhe natyrisht që duam ta mbrojmë këtë trofe, të cilin e kemi fituar edhe sezonin e shkuar”.
Pra, Prishtina dhe Llapi vijnë pas paraqitjeve në garat evropiane. Prishtina edicionin e ri e nisi në Ligën e Kampionëve për t’u eliminuar në kualifikimet e Ligës së Evropës. Prishtina e fitoi turneun parakualifikues të Championsit, por u eliminua në raundin e parë nga Ferencvaroshi. Ndërkohë, në Ligën e Konferencës, Prishtina u eliminua nga kampioni i Norvegjisë, Bodo/Glimti. Ndërkohë, Llapi nuk arriti ta kalonte raundin e parë të Ligës së Konferencës, në të cilin u eliminua nga skuadra e Shkupit. Te dyja ekipet janë përforcuar për edicionin e ri, e po ashtu kanë larguar disa lojtarë. Në stadium pritet të jenë të pranishëm rreth 3,500 shikues. Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, mund të përdoret vetëm 30 për qind e kapacitetit të stadiumit. Ndërkohë sa i përket Superligës së Kosovës, Prishtina në xhiron e parë është mysafire e Malishevës, skuadër që po debuton në elitë. Ndërsa Llapi do të përballet me Ulpianën, ekip i rikthyer në Superligën e Kosovës.