Qendërmbrojtësi Leard Sadriu karrierën do ta vazhdojë në Slloveni te skuadra Mura, që garon në elitën e këtij vendi.
21-vjeçari është prezantuar të martën te Mura, me të cilën ka nënshkruar kontratë deri në vitin 2025. Sadriu bëhet lojtari i tretë shqiptar te skuadra sllovene, pas Mirlind Dakut dhe Dardan Shabanhaxhajt.
Ferizajasi Sadriu nga mosha 16-vjeçare ishte pjesë e Shkëndijës së Tetovës. Tek ekipi tetovar kishte kaluar nga Ferizaj. Një vit e gjysmë i ka kaluar si i huazuar te Skënderbeu i Korçës.
Sadriu ka treguar për KOHËN se interesimi i Muras ka zgjatur disa muaj. Drejtuesit e klubit nga Sllovenia e kanë parë futbollistin edhe te përfaqësuesja U21 e Kosovës, e cila kishte barazuar në dy ndeshje ndaj Sllovenisë U21.
“Marrëveshja është arritur ndërmjet dy klubeve, Shkëndijës dhe Muras, për transferimin tim te klubi nga Sllovenia. Interesimi i Muras për mua ka qenë edhe para ndeshjeve që i kemi luajtur në Ligën e Konferencës. Por, marrëveshja u arrit dhe përfundoi pas ndeshjeve evropiane. Interesimi i Muras ka filluar qysh nga ndeshjet me Kosovën U21. Unë isha kapiten i U21 të Kosovës. Kanë qenë edhe disa ekipe të tjera të interesuara, por unë e kam parë të arsyeshme që si hap të radhës të zgjedh Muran dhe kampionatin në Slloveni, që njihet si kampionat mjaft i mirë për lojtarë të rinj”, tha Sadriu.
Ai e pranon se të luhet me sukses për grupmoshat e reja të Kosovës mund të depërtohet në Evropë.
U21 ka pasur disa ndeshje të mira së fundmi, sidomos me selektorin Albert Bunjaki. Kemi arritur dy barazime kundër Sllovenisë U21. Në Slloveni mediat na kanë cilësuar si ekip që jemi vetëm për ta rregulluar golaverazhin Sllovenia. Paraqitja ka qenë fantastike si në Prishtinë e po ashtu edhe në Slloveni. Të luash dhe ta përfaqësosh kombëtaren është shumë e lehtë të biesh në sy të ekipeve evropiane”, theksoi Sadriu.
Nga transferimi i futbollistit kosovar do të përfitojë Shkëndija e Tetovës.
“Shkëndija ka përfituar dëmshpërblim pasi kam pasur edhe një vit kontratë. Shumën nuk e di se sa është, pasi nuk jam marrë me atë pjesë. Shkëndija do ta ketë edhe një përqindje të kartonit tim. Unë kam nënshkruar kontratë për tre vjet me Muran”, thotë Sadriu.
Para se ta pranonte ofertën e Muras, mbrojtësi ka biseduar me sulmuesin Mirlind Daku.
“Me Mirlind Dakun kemi qenë bashkë te Kosova U21 dhe e njoh shumë mirë. Normal, kur ka ardhur oferta, unë kam raporte shumë të mira dhe kam biseduar me Mirlindin. Ai më ka treguar që është kampionat i mirë dhe ia vlen, është klub me kushte të mira dhe u jep hapësirë lojtarëve të rinj”, shtoi Sadriu.
“Çdo fillim është i vështirë. Unë i falënderoj shumë të gjithë te Mura. Kam vetëm dy stërvitje dhe po më duket që jam qe një kohë të gjatë këtu. Më kanë pritur në mënyrë perfekte”.
Sadriu nuk ka luajtur për ekipin e parë të Ferizajt, pasi si 16-vjeçar iu bashkua Shkëndijës.
“Kalimi te Shkëndija në moshën 16-vjeçare më ka ndihmuar shumë që të zhvillohem si lojtar. Pastaj kalimi te Skënderbeu në Shqipëri për një vit e gjysmë si huazim më ka ndihmuar shumë. Kampionati në Shqipëri është shumë i fortë. Më pas u riktheva te Shkëndija dhe u paraqita edhe në garat evropiane. Gjithë kjo punë dhe sakrificë mendoj që është shpërblyer me kalimin te Mura. Ëndrra e çdo futbollisti në Ballkan është që të kalojë në nivele evropiane dhe në liga më të forta. Për mua kalimi te Mura është motiv shumë i madh që të punoj sa më shumë dhe ta bind stafin dhe të gjithë që mund të luajë dhe pse jo të bëhem gati edhe për nivele më të larta”, theksoi Sadriu.
Përveç depërtimit në klube më të mëdha evropiane, Leard Sadriu synon që ta veshë fanellën e Kosovës.
“Unë kam qenë kapiten i Kosovës U21. Më nuk kam të drejtë të luaj për këtë grupmoshë pasi e kam kaluar moshën. Tani synimi im është që ta vesh fanellën e Kosovës A. Besoj që ky do të jetë një motiv për mua që të kem suksese me klubin që të marr ftesën e Kosovës”, përfundoi Sadriu.