Sport

Paqartësitë për stinorin 2019/20 po i shtyjnë klubet që të polemizojnë

Paqartësia rreth fatit të stinorit në Superligën e Kosovës në futboll ka shtyrë klubet që të polemizojnë se cili do të marrë pjesë në garat evropiane në rast se vendoset të mos vazhdohet edicioni.

Superliga e Kosovës, si shumica e ligave nëpër botë, është pezulluar shkaku i koronavirusit. Aktivitetet sportive në Kosovë nuk pritet të fillojnë para 1 qershorit, ndërsa atëherë është paraparë të fillohet me stërvitje. FFK-ja e ka vlerësuar këtë datë si tepër të vonshme.

Të dielën Prishtina, që në momentin kur është ndërprerë stinori pas 22 xhirove ka qenë e katërta me 41 pikë, ka thënë se e ka të garantuar daljen në Evropë nëse stinori nuk vazhdohet, ndonëse ka thënë se është për vazhdimin e stinorit. Prishtina ka 41 pikë sa i ka edhe Gjilani që zë vendin e tretë. Prishtina ka thënë se ka përparësi ndaj Gjilanit pasi ka bilanc pozitiv në ndeshje të ndërsjella. E po ashtu Prishtina ka vlerësuar se nëse kampionati nuk do të vazhdohej dhe nuk do të shpallej kampioni atëherë ajo do të duhej të garonte në Ligën e Kampionëve sipas koeficientit më të lartë në UEFA.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i trajnerit të Ballkanit, Ismet Munishi, që ka thënë se Ballkani duhet të shpallet kampion nëse nuk vazhdohet stinori. Ballkani kryeson renditjen me 44 pikë. Munishi madje në rrjetet sociale ka postuar edhe direktivat që ka dhënë UEFA në mbledhjen e 23 prillit, ku thuhet se nëse nuk vazhdohet stinori, për arsye legjitime, atëherë klubet që do të marrin pjesë në Evropë duhet të caktohen në bazë të meritave sportive bazuar në rezultatet e stinorit vendor 2019/20, raporton Koha.net.

Të hënën Gjilani ka reaguar në rrjetet sociale duke insistuar se është për vazhdimin e garave, por se nëse kjo nuk është e mundur atëherë sipas Rregulloreve të FFK-së do të dal në Evropë nga vendi i tretë. Federata e Futbollit të Kosovës nuk është duke dhënë ndonjë mendim, ndërsa po insiston se do të veprojë sipas udhëzimeve të UEFA-s. Por, po shpresohet të përfundohet stinori në fushë të gjelbër. “UEFA na ka dërguar një doracak dhe aty thuhet se asnjë federatë të mos marrë veprime të nxituara. UEFA është e mendimit që gjitha vendimet e federatave të jenë të njëjta, me kritere të njëjta. Edhe ne nuk do të vendosim pa konsultim me UEFA-n. Në parim janë lojë fjalësh anulimi, ndërprerja, pasi gjithçka do të varet nga vendimet e Komitetit Ekzekutiv të FFK-së me rekomandime të UEFA-s. Klubet nuk duhet të shqetësohen, sepse çdo vendim do të jetë publik e transparent. Nuk mund të japim ndonjë opsion tash për tash, pasi ende nuk ka përfunduar kampionati e as gara e Kupës. Ministria na ka dërguar një doracak se si dhe cilave masa duhet t’i përmbahemi në rast se do të ketë rifillim të garave”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu.