Sport

Palestra e “akullt” e Prizrenit

Klubet sportive të Prizrenit nuk po mund ta shfrytëzojnë palestrën "Sezai Surroi" për ndeshje, për shkak të temperaturave të ulëta. Gjatë ditës temperaturat shkojnë deri në 6 gradë, kurse pasdite dhe në mbrëmje deri në minus 5 gradë.

Me Rregulloren e Federatës së Basketbollit të Kosovë dhe të Ligës Unike, temperatura nuk mund të jetë më pak se 16 gradë celsius.

Shkaku i kësaj situate skuadrat prizrenase po luajnë si vendëse në Suharekë dhe Rahovec.

Ekipi i basketbollit Prizreni-16 ndeshjen e Ligës Unike kundër Tiranës, të mërkurën, e ka luajtur në Suharekë shkaku i të ftohtit. Sipas trajnerit Arbnor Rifati, kjo që po iu ndodh skuadrave të Prizrenit dhe sportistëve është e papranueshme. Sipas tij, bëhet fjalë për një problem që daton nga paslufta.

“Ky është një problem që shfaqet që nga viti 1999 në palestrën e Prizrenit dhe është problem për të gjitha klubet sportive. Kjo sallë është shfrytëzuar për vaksinim dhe aktualisht edhe parketi nuk është në gjendje të mirë. Para tri ditësh këtu është luajtur një ndeshje e Superligës dhe temperaturat kanë qenë alarmante. Është bërë një koment dhe një antipropagandë e sportit. Pastaj ne iu drejtuam me shkresë Komunës së Suharekës, gjegjësisht kryetarit Bali Muharremaj, i cili na ka hapur derën sa herë që kemi pasur nevojë”, tha Rifati të enjten për KOHËN.

Skuadra e Bashkimit në konkurrencën e femrave, derbin ndaj Penzës do ta luajë në Rahovec.

Vashat prizrenase as stërvitjet nuk po mund t’i kryejnë në palestrën e qytetit. Janë zhvendosur në sallën e një shkolle.

Kapitenia Ulpiana Emra tregon se katër basketbolliste janë sëmurë shkaku i temperaturës së ulët në palestër.

“Kjo është definitivisht jonjerëzore dhe johumane. Ne kemi pasur rastin t’i fillojmë stërvitjet në këtë palestër dhe na janë sëmurë katër lojtare shkaku i të ftohtit. Nuk kemi mundur ta durojmë të ftohtit dhe nuk është normale që të vije puna që të sëmuren lojtaret nga të ftohtit në palestër. Kjo e ka detyruar kryesinë e klubit që të vendosë që stërvitjet të mos i mbajmë këtu. Po ashtu, kemi vendosur që ndeshjet t’i zhvillojmë diku tjetër. Po penalizohemi shumë pasi po stërvitemi në salla që nuk janë as për së afërmi të nivelit të palestrës”, deklaroi Emra.

Ajo nënvizon se për lojtare është shumë e vështirë të stërviten në temperatura të ulëta.

“Kjo palestër ishte qendër vaksinimi dhe vazhdimisht e kemi kërkuar kthimin në këtë palestër. Palestra u kthye në kushte jonjerëzore. Edhe ngrohëset që kanë qenë kur ishte qendër vaksinimi, edhe ato i kanë marrë. Për ne si lojtare është shumë vështirë, pasi vjen shumë lehtë edhe te lëndimet. Ka pasur raste kur duart nuk na kanë lëvizur. Komuna duhet ta marrë parasysh këtë gjë dhe të fillojë të bëjë diçka në këtë aspekt, sepse i takon asaj”, theksoi Emra.

Arnor Rifati dhe Ulpiana Emra thonë se institucionet shtetërore duhet të intervenojnë sa më shpejt.

“Zgjidhjen duhet ta bëjnë ata të cilët nëpër fushata thirren për sportin, për masivizimin, ndërkombëtarizimin dhe integrimin e sportit. Kështu që ata duhet të bëjnë zgjidhje. Kjo është përgjegjësi e pushtetit qendror, pra Qeverisë në bashkëpunim me kryetarin e ri të Prizrenit me të cilin kam pasur disa biseda dhe kam parë një disponim. Pikërisht kryetari vjen nga komuniteti i basketbollit”, deklaroi Rifati.

“Komuna duhet ta marrë parasysh këtë gjë dhe të fillojë të bëjë diçka në këtë aspekt sepse i takon Komunës”, tha basketbollistja Emra.

Për mungesën e ngrohjes në palestër nuk ishte e njoftuar Komuna e Prizrenit. Drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Adem Morina, i cili e ka marrë detyrën qe dy javë, thotë se do të merret intensivisht me problemin.

“Palestra sportive ‘Sezai Surroi’ fatkeqësisht në këto momente është pa ngrohje qendrore dhe këtë informacion e mora nga ana e juaj, pasi kam dy javë që e kam marrë këtë pozitë. Ne biseduam me përfaqësuesit e palestrës dhe ata më njoftuan se që nga viti 2002 nuk funksionon ngrohja qendrore. Ne nuk duhet të ndalemi te ajo pjesë dhe t’ua lëmë fajin qeverisjeve të kaluara, por duhet të punojmë që ta rregullojmë këtë problem sa më shpejt. Unë që nga sot do të merrem intensivisht me këtë çështje dhe do të shikojmë të gjitha mundësitë buxhetore në bashkëpunim edhe me kryetarin dhe Ministrinë e Sportit, që të gjejmë një zgjidhje sa më të shpejtë”, u shpreh Morina.

Ai premton se brenda katër vjetësh "Sezai Surroi" do të shndërrohet në qendër moderne sportive.

“Unë mund t’iu them se brenda mandatit katërvjeçar, qendra ‘Sezai Surroi’ do të shndërrohet në njërën prej qendrave më të mira sportive në Kosovë. Ne e kemi projektin e rinovimit dhe do ta realizojmë brenda mandatit katërvjeçar”, tha me bindje Morina.

Palestra e Prizrenit ka vetëm dy ngrohëse të vogla, njëra pronë e Bashkimit, kurse tjetra e Prizreni-16. Kapaciteti i tyre është i vogël për ngrohjen e një palestre me hapësirë të madhe.

Ndërkohë jashtë funksionit janë pajisjet e tjera për ngrohje.

Palestra është pronë e Komunës së Prizrenit dhe menaxhohet nga Komuna. Palestra shfrytëzohet edhe nga shumë klube të tjera sportive, jo vetëm të basketbollit.

Për kohë të gjatë ka shërbyer si qendër për vaksinim.