Sport

Pak kushte e shumë ëndrra për gjimnastet e reja të Kosovës

Sara Pllana mori duartrokitje nga moshataret e saj kur mbi traun e gjimnastikës bëri yllin pa duar. Elementin me vështirësi të lartë, dymbëdhjetëvjeçarja e bëri pas disa tentimeve. Vendosmëria e saj u vlerësua më shumë se përfundimi me sukses i elementit. Vendosmëria i duhet për të ndjekur ëndrrat që ka në sportin e vështirë e shumë kërkues të gjimnastikës.

Ëndrrat e Sarës janë shumë më të mëdha se hapësira në të cilën ajo dhe gjimnastet e tjera të reja të klubit Vushtrria stërviten gati çdo ditë. “Salla” e gjimnastikës në një hapësirë të palestrës “Jeton Tërstena –Tota” në Vushtrri nuk i plotëson as për së afërmi kushtet e kërkuara.

Gjithçka është e improvizuar aty.

Por ëndrrat e Sarës dhe të bashkëmoshatareve të saj për gjimnastikë janë shumë të mëdha.

“Ëndrra ime është të marr pjesë në Lojërat Olimpike, por jo vetëm të marr pjesë, por t’i sjell vendit tim medalje, ashtu siç kanë bërë Majlinda Kelmendi dhe xhudistët e tjera”, thotë me zë të lartë Sara.

Gjimnastja e re e di se për të arritur sukseset e kampioneve olimpike të xhudos duhet shumë punë.

“Unë gjithmonë vij në ushtrime me dëshirë, sepse e di se për çfarë jam duke punuar dhe çka dua të arrij”, vazhdon Sara Pllana.

Image

Rrugën drejt medaljes olimpike shpreson ta ndjekë edhe dymbëdhjetëvjeçarja tjetër, Rea Berisha.

“Nëse kam motivin dhe pasionin që kam aktualisht, do të vazhdoj dhe do ta fitoj medaljen olimpike”, thotë me goxha bindje Rea.

Ajo me gjimnastikë ka nisur të merret që katër vjet. Garën e parë zyrtare me Kosovën e kishte në vitin 2022, në Kampionatin Ballkanik.

“Në gara zyrtare për Kosovën kam qenë në vitin 2022 në Kampionatin Ballkanik, ku isha shumë afër medaljes. Pastaj në garën e dytë isha në Greqi po ashtu në vitin 2022, ku arrita ta sjell kupën e parë për Kosovën dhe po ashtu medaljet e para për Kosovën në sportin e gjimnastikës”, ka treguar Rea Berisha.

Se vetëm pjesëmarrja në gara ndërkombëtare nuk mjafton, thotë edhe Vlera Gërguri. Ajo është 13-vjeçare.

“Dëshira për këtë sport ka nisur që në moshë të vogël, ku doja që me lëvizje të vogla e deri te elementet më të rënda ta përfaqësoja Kosovën në garat ndërkombëtare. Me medalje synoj ta çoj sa më lart Kosovën, pasi është sport i ri dhe i panjohur për Kosovën”, thotë Vlera.

Derisa Vlera, Rea dhe Sara po flisnin me shumë pasion për ëndrrat e tyre, trajnerja Doruntinë Ibrahimi, që dikur kishte të njëjtat mendime, ishte më e matur. Ajo thotë se vetëm kur gjimnastika do të ketë një sallë adekuate për stërvitje dhe gara, Kosova mund të synojë gjëra më të mëdha.

“Qëllimi ynë është që nëpër këto gara të fitojmë, sidomos në Ballkanikun që është caku ynë i parë. Por shpresoj që në një të ardhme të afërt edhe do ta fitojmë, pastaj janë Evropiani, Botërori, pse jo edhe Lojërat Olimpike. Por jo pa sallë, na duhet patjetër një sallë e gjimnastikës”, thotë Doruntinë Ibrahimi.

Trajnerja mezi mbajti lotët kur tha se dëshira e saj është që ëndrrën e lënë në gjysmë ta realizojnë nxënëset e saj. Pra, të fitojnë medalje nga ngjarjet e mëdha.

“Nuk di ta përshkruaj këtë ndjenjë. Nganjëherë kur ndalem dhe mendoj që në një të ardhme ka mundësi që të fitojnë këto vajza diçka të madhe, më vjen të qaj, sepse i besoj shumë punës që e bëj unë dhe punës që e bëjnë vajzat. Kështu që kam shumë emocione kur flas për këtë pjesë zakonisht”, thotë Ibrahimi e emocionuar.

“Më ka mbetur kështu si ëndërr, por shpresoj që në të ardhme këtë ëndërr që më është ndalur në gjysmë, ta arrij me gjimnastet e mia, me sportistet e mia”.

Ajo me gjimnastikë nisi si 12-vjeçare. Thotë se është shumë vonë për të arritur suksese të mëdha.

“Kam filluar vonë, pra në moshë të vonshme, saktësisht në moshën 12-vjeçare. Është goxha vonë, por kam vazhduar të stërvitem deri në moshën 18-vjeçare. Në këtë moshë kam hyrë gradualisht të punoj edhe si trajnere, duke asistuar fëmijë, duke mësuar pak si t’i mbaj fëmijët, duke mos i rrezikuar fëmijët, deri në këtë nivel ku jam tash”.

Image

Brengë e trajneres Doruntinë Ibrahimi natyrisht janë kushtet për stërvitje.

“Sinqerisht, kjo sallë nuk është për të arritur diçka të madhe. Ëndrrat i kemi shumë të mëdha, por sallën e kemi shumë të vogël. Kushtet që jeni duke i shikuar nuk i plotësojnë as kriteret minimale për gjimnastikë. Vetëm parteri i gjimnastikës është 12 me 12 metra, ndërsa komplet salla jonë është 11 me 9 metra”.

Edhe pse në hapësirë të vogël, vullneti dhe dëshira për punë nuk mungonin nga gjimnastet e vogla.

Motiv për t’i mësuar kishte trajnerja 24-vjeçare. Ajo asistohej nga trajneri Arlind Shaqiri, që po ashtu ishte aktiv gjatë stërvitjes të përcjellë nga KOHA.

Vërehej qartë se kushtet nuk ua mundësonin punën ashtu siç duhet. Megjithatë, të rejat e klubit të gjimnastikës Vushtrria praktikonin elemente të ndryshme.

Gjimnastet e reja ushtronin në parter dhe në vegla.

“Në këtë hapësirë mundohemi të ushtrojmë me të gjitha veglat, por është shumë e vështirë, sepse duhet gjithmonë të lëvizësh një vegël, ose të largosh diçka për të mos na penguar. Por edhe pse salla është e vogël, ëndrrat i kemi shumë të mëdha”, ka theksuar trajnera vushtrriase.

Ajo ua mësonte vajzave hapat e parë në sportin e gjimnastikës, i cili vite më parë ka filluar të ngrihet nga zeroja në Kosovë.

Prej klubit Vushtrria janë gjimnastet që e përfaqësojnë Kosovën rregullisht. Në Kampionatin Ballkanik kanë qenë tri prej tyre. Në sallën e vogël ishin dy kupa dhe tetë medalje.

“Suksesi jonë më i madh llogaritet ai i vitit 2022 , në garën Horizont Cup, ku me Rean kemi siguruar vendin e tretë në ‘all-around’, po ashtu në vitin 2023, në të njëjtën garë kemi siguruar vendin e parë me Sara Pllanën. Deri tash për Kosovën dhe klubin janë sukseset më të mëdha që janë arritur në këtë sport”, tregon Ibrahimi, që është edhe trajnere e Kosovës. Në stafin e trajnerëve të Kosovës janë edhe Arlind Shaqiri dhe Amir Januzi.

Gjimnastet e Vushtrrisë stërviten edhe në një prej sallave të Pallatit të Rinisë në Prishtinë. Edhe në Prishtinë kushtet nuk janë të mira. Por Ibrahimi thotë se gjimnastet kanë vullnetin e madh për të arritur sukses.

“Janë vajza që e duan shumë këtë sport, janë çika që punojnë pa ndalë, punojnë me orë të tëra. Ka raste kur ne ushtrojmë në Prishtinë dhe nga aty udhëtojmë për në Vushtrri dhe nuk dinë të thonë se jemi lodhur. Po t’i pyesësh, qëndrojnë vetëm këtu. Ëndrrat i kanë të mëdha dhe shpresoj që një ditë do t’i shoh në majat e këtij sporti dhe unë do të jem shumë krenare për këto vajza, sepse e di sa shumë punojnë dhe e di sa e duan sportin”, ka thënë Doruntinë Ibrahimi.

Federata e Gjimnastikës e Kosovës ka pak të arritura deri tash. Ky sport është shumë specifik dhe arritja në nivelin serioz është shumë sfiduese.

Por hapat e parë janë vënë. Medaljet e para janë fituar.