Pak metra larg dy institucioneve më të larta sportive, Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK) dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MKRS), një grup i federatave sportive kanë mbajtur konferencë për media. Në konferencën që zgjati dy orë, anëtarët e federatave akuzuan krerët e dy institucioneve më të larta sportive në vend. Madje, akuzat kanë qenë për ministrin e MKRS-së, Hajrulla Çekun, zëvendësministren Daulina Osmani për ndërhyrjet brutale dhe vendimet e paligjshme që sipas tyre, përbëjnë vepra penale. Ndaj ministrit Çeku është thënë se është ngritur padi në Gjykatën Themelore dhe kallëzim penal në Prokurorinë Themelore.
Padia është njoftuar se është bërë nga kryetari i Federatës së Notit të Kosovës, Astrit Haliti. Ndërsa kallëzimi penal nga nënkryetari i Federatës së Taekëondos së Kosovës, Nuhi Gashi. Po ashtu, akuza kanë pasur edhe ndaj kryetarit të KOK-ut, Ismet Krasniqit dhe sekretarit Besim Aliti për siç thanë “shkeljet e Statutit të KOK-ut dhe ndërhyrjet në punët e brendshme të federatave sportive, ndërhyrjet në punët e KAS-it dhe shkeljet në procesin e kategorizimit të sporteve të Kosovës”.
Zyrtarë të KOK-ut, i kanë cilësuar si të pabaza akuzat e grupit të pakënaqur të federatave të vendit, ndërsa nga ministri dhe zëvendësministrja nuk ka pasur përgjigje.
“Më 15.07.2022, ministri lëshon vendimin, i cili bazohet krejtësisht në rekomandimet e divizionit dhe KOK-ut dhe në marrëveshjen e këtyre personave, të cilët e kanë bërë në mënyrë jo të ligjshme. Bekim Govori ka bërë marrëveshje me Gazmend Preniqin që t’ia jap pozitën. Edhe vendimi është i jashtëligjshëm, sepse ministri është bazuar në marrëveshjen e tyre që nuk ka legjitimitet dhe rekomandimin e divizionit të federatave, të cilët nuk e dimë se çfarë kanë shkuar. Ne sot kemi dërguar kallëzim penal në prokurori, agjencinë për korrupsion, krime të larta dhe do të vazhdojmë tutje të luftojmë për të drejtat tona. As ministrit as kryetarit nuk i lejohet të bëjë pazare të tilla”, ka thënë Gashi në konferencën për media të mbajtur në Prishtinë.
Por, janë Gazmend Preniqi, Durim Berisha dhe Bekim Govori, që mohojnë të kenë bërë marrëveshje për postin e kryetarit të Federatës së Taekwondos. Govori është kryetari i fundi i zgjedhur i FTK-së, ndërsa Preniqi thirret si kryetar legjitim. Preniqi ka publikuar edhe vendimin e marrjes së licencës nga MKRS-ja. Në vendim të MKRS-së thuhet se “duke u bazuar në rekomandimin e Divizionit të Federatave dhe Komitetit Olimpik të Kosovës, vazhdon vlefshmërinë e licencës deri më 31.07.2022 për Federatën e Taekwondos të Kosovës, me përfaqësuesit legjitim sipas shkresës të datës 09.06.2022”.
Deri te vendimi për dhënie të licencës ka ardhur pas një kërkese të përbashkët të bërë nga Preniqi dhe Govori të datës 9 të muajit të kaluar.
Federata me dy kryetarë, dy nënkryetarë dhe dy sekretarë
Preniqi ka thënë se me vendimin për dhënie të licencës legjitimohet kryesia e Federatës së Taekwondos së Kosovës të dalë nga kuvendi i vitit 2016, e që sipas tij, me vendim të formës së prerë ishte vërtetuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë në vitin 2018.
“Jemi të kënaqur që më në fund institucioni përgjegjës për sport (MKRS) e ka kuptuar që e vetmja rrugë për të qeverisur mirë dhe drejt është rruga ligjore. Në cilësinë e kryetarit të Taekwondos të Kosovës i falënderoj bashkëpunëtorët e mi të ngushtë, sekretarin Durim Berisha dhe nënkryetarin Maxhun Berisha, që ishin mbështetja kryesore në rrugëtimin ligjor”, thuhet ndër të tjera në postimin e Preniqit.
Edhe Berisha mohon të ketë pasur një marrëveshje në mes të Preniqit dhe Govorit. Ai insiston se është një konfirmim i përbashkët për kryesinë legale të vërtetuar përmes vendimit gjyqësor dhe licencës së lëshuar në vitin 2018, e që sipas tij vendime që nuk janë respektuar nga vet Departamenti i Sportit dhe Komiteti Olimpik, të cilët jashtëligjshëm patën organizuar tubime me persona që as anëtarë të FTK-së nuk kanë qenë.
“Z. Govori sapo është informuar me faktet, ka shprehur gatishmërinë që ta respektoj ligjshmërinë. Ministri nuk ka lëshuar licencë të re, por e ka vazhduar sikurse te federatat tjera vlefshmërinë e licencës së vitit 2018 duke konfirmuar, sipas rekomandimit të organeve brenda MKRS-së se pas vitit 2016 nuk është mbajtur asnjëherë një Kuvend legal, ku janë ndryshuar përfaqësuesit e FTK-së. Gjykata ne shkallë të parë e ka refuzuar padinë në rastin e z. Preniqit, por jemi te bindur se vendimi do të ndryshohet në instanca më të larta, sepse është nxjerrë me shkelje të dispozitave esenciale të rëndësisë absolute. Ne kemi kërkuar vetëm realizimin e të drejtave tona dhe jemi të bindur se do t’i realizojmë të drejtat qe na takojnë. Ndaj neve është ushtruar arbitrarisht pushteti nga një strukturë e organizuar kriminale në MKRS dhe KOK”, thotë Berisha për KOHËN.
Megjithatë, Govori insiston se është ende kryetar i FTK-së, i zgjedhur gati dy vjet më herët. Govori i gëzohet marrjes së licencës nga MKRS-ja. Ai thotë se shumë shpejt do të thirret një kuvend zgjedhor. Vetë nuk shpreh gatishmërinë për t’u kandiduar për postin e kryetarit. Madje, interes për të qëndruar në udhëheqje të Federatës nuk kanë as Berisha e as Preniqi.
“Ne kemi bërë kërkesë të përbashkët në drejtim të MKRS-së, që të na lëshojnë licencën. I jemi drejtuar të na bëjnë një zgjidhje. Sipas një vendimi të gjykatës është dhënë verdikt se Preniqit i është bërë e padrejtë. Në atë kohë nuk kam qenë. Jam takuar me Gazmendin dhe kemi biseduar për të gjetur zgjidhjen, pasi federata është në bllokadë. Unë nuk do të jap dorëheqje nga posti i kryetarit deri në mbajtje të kuvendit. Nuk jam i interesuar të kandidoj, sepse gjendja është e tmerrshme. Krejt problemi është i një personi që dëshiron të jetë në udhëheqje. Me Nuhi Gashin nuk kam asnjë raport. Është nënkryetar, por nuk kemi asnjë raport”, ka thënë Govori.
Govori thotë se për kaq kohë sa ka drejtuar Federatën ka hasur në shumë telashe.
“Së pari gjashtë muaj kam pritur ta marr një email. Gati tetë muaj kam pritur për vulën, ndërsa kam pasur zero informata. Nuk kam qasje në emailin zyrtar. Nuhiu mendon se vetëm ai di, ndërsa ne të tjerët jo. Ai ka pesë klube, që i udhëheq, herë i dërgon sportistët e tij herë me një emër të një klubi tjetër herë me të tjetrit. Ka tentuar të bëjë favorizime, kur janë dërguar në gara. Janë gjithsej nëntë klube, por pesë i udhëheq ai. Ai i ka themeluar vetëm në letër”, ka theksuar Govori.
Në fakt, problemet kanë qenë të vazhdueshme në Federatën e Taekwondos së Kosovës. Por, probleme nuk ka pasur vetëm në këtë Federatë.
Në FNK kërkojnë ta fitojnë licencën nëpërmjet rrugëve ligjore
Së fundi, me telashe po përballet edhe Federata e Notit e Kosovës. FNK-ja nuk ka marrë licencë nga MKRS-ja për ta ushtruar veprimtarinë. Në fakt, ka kohë që në sportin e notit ka ndasi, ndërsa punë së fundi kishte edhe Komisioni i Arbitrazhit Sportiv (KAS) i Komitetit Olimpik të Kosovës. KAS-i më 24 mars ka aprovuar një padi të gjashtë klubeve, që e kishin paditur Federatën e Notit të Kosovës. KOK-u, ka publikuar vendimin e KAS-it. Klubet Aloha, Delfini, Illyria, Rainca, Niko dhe Hajvalia i ishin drejtuar me padi KAS-it për mosanëtarësimin e tyre nga Federata e Notit e Kosovës. Dhe vendimi i këtij organi është pro klubeve. Për mosrespektim të vendimit të KAS-it, KOK-u suspendoi pak kohë më parë FNK-në.
“I kemi dërguar letër kryetari të KAS-it dhe i kemi thënë se bazuar në interpretimin tuaj Federata e Notit e Kosovës pranon vendimin e KAS-it. Bazuar në statutin rregulloret në fuqi i ftojmë t’i sjellin dokumentet. Nuk mund ta pranojmë pa i sjellë dokumentet. Nuk mund ta pranojmë pa i plotësuar kriteret. Të gjitha ato klube që i plotësojnë kriteret bazuar në rregulloret në fuqi të FNK-së do të jenë pjesë e FNK-së dhe Federata do t’i njoftojë me kohë rreth gjithë procesit. Por, asnjëherë nuk kanë ardhur. Dhe, pas kësaj ka ardhur vendimi Bordit Ekzekutiv të KOK-ut për të suspenduar Federatën”, ka thënë Haliti.
Kryetari i Komisionit të Arbitrazhit Sportiv të Kosovës, Eroll Salihu pret që komuniteti i notarëve ta gjejë një zgjidhje.
“Nuk ka pasur mirëkuptim në Federatën e Notit e Kosovës. Duhet ta gjejnë një zgjidhje, pasi vendimi i KAS-it është final dhe duhet të respektohet. Ka hapësirë të zgjidhet çështja sa më shpejt. Nuk ka më sistem autoritar. E drejta e regjistrimit të klubeve është e shenjtë. Duhet të lihen inatet personale dhe besoj se do ta gjejnë një zgjidhje”, ka thënë Salihu.
FNK-ja, së fundi ka pasur pakënaqësi me punën e KOK-ut, dhe bashkë me dy federata tjera, atë të kikboksit dhe çiklizmit patën kërkuar votëbesim për drejtuesit e Komitetit Olimpik. Por kërkesa nuk u pranua. Si shenjë revolte, në Asamblenë e Punës të KOK-ut të mbajtur me dyer të mbyllura për media, patën lëshuar sallën një numër i madh i delegatëve. Ndër ta edhe ata të xhudos dhe kampionia olimpike, Majlinda Kelmendi.
“Kemi pritur që ndryshim të jetë pozitiv, është edhe më negativ se që ka qenë, sepse bordi i më hershëm nuk ka ndërhyrë kaq brutalisht sa ta suspendoj dhe ta prishë me çdo kusht”, ka theksuar Haliti.
Edhe kryetari i Federatës së Kikboksit të Kosovës, Fatmir Makolli ka theksuar se KOK-u është shkatërruar nën drejtimin e Ismet Krasniqit.
“Kur kemi kërkuar tri federata votëbesimin në kuvendin e punës, e kanë parë që nuk janë më stabil dhe mund të shkojnë në shtëpi. Nuk kanë punuar mirë, nëse do të punonin mirë do t’u duartrokitja. Por, që prej ardhjes në krye e kanë shkatërruar KOK-un”, është shprehur Makolli.
Kryetari i Federatës së Autosporteve të Kosovës, Ismet Rexhepi thotë se kërkesa për votëbesim është dashur të aprovohet nga Bordi i KOK-ut. Votëbesimi nënkupton rikonfirmimin e përkrahjes nga delegatët.
“Është një nen në statut ku thotë se delegatët mund të trajtojnë gjithçka, që nuk është e paraparë me statut. Nëse emërtimi, mosbesimi dhe shkarkimi paskan diferencë, pastaj në kuvend delegatë, të cilët kanë kërkuar votëbesimin ia sqarojnë delegatëve të vet se thonë se ne votëbesimin e kemi të barabartë me shkarkimin. Kërkojmë të futet në shqyrtim shkarkimi sepse delegatët e bëjnë vlerësimin në bazë të argumenteve, që japin këta sepse është kuvend pune nuk e kemi kohën e caktuar. Del në votim, kalon futet, nuk kalon vazhdon me tjerat”, ka thënë Rexhepi.
Paditet KOK-u, paralajmërohen rrugë tjera ligjore
Për legjitimitetin e Asamblesë së Punës të KOK-ut, delegatë të federatave të notit, xhudos, peshëngritjes, karlingut, skermës, lundrimit, autosporteve, kikboksit, motoçiklizimit, çiklizmit, aeronautikës dhe taekwondos, kanë paditur KOK-un në Komisionin e Arbitrazhit Sportiv.
“Kanë qenë 31 delegatë, që e kanë lëshuar, ndërkohë për të nënshkruar autorizimin janë përfshirë edhe të taekwondos, që prej 31 janë bërë 33 delegatë, që me nënshkrime e autorizojnë një proces të tillë. Ka shumë më shumë federata që janë kundër veprimeve të tyre, por për shkaqe të tyre personale nuk dalin në publik. Padinë ne e kemi dorëzuar në zyre të KOK-ut, pasi KAS-i nuk ka zyre të vet. Në momentin që e kemi dërguar lëndën e nënshkruar, pa iu dorëzuar lënda KAS-it sekretari i KOK-ut merr lëndën e kontrollon, së bashku me zyrtarë tjerë dhe nisin t’i kontaktojnë për të kërkuar sqarime pse e kanë nënshkruar me qëllim të presionit. Ai delegat i ka kthyer sekretarit dhe bordit se është ndërhyrje dhe kërkoj të ndalet ai presion”, ka thënë nënkryetari i Federatës së Lundrimit të Kosovës, Shasivar Haxhijaj.
Kryetari i Komisionit të Arbitrazhit Sportiv, Eroll Salihu pranon se do ta shqyrtojnë padinë e grupit të disa federatave sportive të vendit.
“Kam caktuar mbledhje të martën ose të mërkurën, i analizojmë dhe nëse shohim që është në kompetencë tonë atëherë secila palë e ka nga një arbitër. Kryetarin e gjykatës më takon ta caktoj unë. E kam materialin dhe do ta shoh. Janë nëntë anëtarë”, është shprehur Salihu.
Haxhijaj ka theksuar se politika është duke ndërhyrë në sport.
“Kjo nuk ka shumë adresa. Janë dy njerëz në KOK dhe dy në MKRS. Janë zëvendësministrja e MKRS-së, ministri, kryetari i KOK-ut dhe sekretari. Çdo gjë, që po ndodh në KOK dhe Lëvizjen Olimpike i ke këto adresa. Sa i përket padisë që e kemi bërë në KAS sa i përket përzierjeve dhe ndërhyrjeve i kemi treguar që është e dënueshme ndërhyrja e sekretarit dhe i kemi treguar që është e dënueshme me Kodin Penal të Kosovës. Neni 414 tregon se ai është keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe për të ka edhe burg nga 1 deri 10 vjet dhe jashtë kësaj ne kemi reaguar edhe për një proces tjetër, që ka të bëjë me kategorizimin e sportit. Për katër vite nuk ka pasur akuzë për keqpërdorim të pikëve dhe shtim të pikëve të federatave, ndërsa tash nën udhëheqjen e këtyre ka pasur shumë akuza”, është shprehur Haxhijaj.
Akuzat e krerëve të federatave të pranishme në konferencën e mbajtur të mërkurën i ka cilësuar të pabaza sekretari i KOK-ut, Besim Aliti.
“Janë të pabaza akuzat për ndërhyrje. Nuk ka fakte e as prova, janë thashetheme. Shasivari përfaqëson lundrimin. Ajo federatë është fiktive dhe nuk ka organizuar asgjë. Shasivari lufton për pozita dhe jo për të mirën e sportit. Komiteti Olimpik i Kosovës për mision ka mbrojtjen e sporteve, avancimin e sportit dhe KOK-ut si të tillë. Shasivari nuk është njeri i sportit, ai është njeri i politikës e jo i sportit. Vazhdon tendencën e përzierjes së politikës në sport. Personi, që flet për politizimin është anëtar i një partie politike dhe vjen nga politika. Jemi të interesuar ta vazhdojmë avancimin e proceseve për të parë Kosovën sa më mirë. E dua shtetin tim dhe dua ta shoh përpara”, i është përgjigjur sekretari i KOK-ut, Aliti, akuzave të ish-sekretarit të KOK-ut, Haxhijajt.
Ai ka thënë se KOK-u nuk ka kompetenca për të lëshuar licenca për federatat.
“KOK-u i është përgjigjur Nuhi Gashit në email. Nuk e di pse nuk e ka lexuar vendimin. KOK-u nuk ka kompetenca për licenca. Licencat i jep MKRS-ja dhe KOK-u, nuk ka ndërhyrë. KOK-u deri në kuvendin e ardhshëm të Federatës së Taekowndos së Kosovës e njeh strukturën aktuale. Bekim Govori është kryetar, ndërsa KOK-u ka suspenduar Federatën e Notit për mosrespektim të vendimit të KAS-it. Ne nuk kemi bërë asgjë kundër Federatës dhe mbi të gjitha, të gjitha vendimet janë të Bordit Ekzekutiv të KOK-ut”, ka thënë Aliti.
KOK-u prej 25 marsit të vitit të kaluar drejtohet nga Ismet Krasniqi. Në të vërtetë, prej kur Krasniqi mori drejtimin e KOK-ut një pjesë e federatave kanë qenë të pakënaqura. Pakënaqësitë janë shfaqur ende pa nisur ai punën mirë, për shkak se disa drejtues federatash mbetën jashtë bordit ekzekutiv të KOK-ut. Nuk është kursyer as sekretari Besim Aliti.