Sport

Osaikhwuwuomwan pajtohet ta thërrasin vetëm në emër

Një basketbollist me bagazh të madh, por me mbiemër tejet sfidues për t’u shqiptuar. Kështu mund të vlerësohet përforcimi më i ri te KB Vëllaznimi, holandezi Craig Osaikhwuwuomwan.

Skuadra gjakovare të martën mbrëma e prezantoi lojtarin e pozitës qendër, i cili është i gjatë 211 centimetra dhe do të jetë pjesë e basketbollit kosovar për pjesën e mbetur të këtij edicioni. Ai të premten do t’i bashkohet Vëllaznimit dhe nuk do t’u shkaktojë telashe vetëm ekipeve kundërshtare, por edhe të gjithë atyre që do të duan ta shqiptojnë mbiemrin e tij ashtu si duhet.

Osaikhwuwuomwan është mbiemër nigerian. Babai i basketbollistit është nga Nigeria, ndërsa ai ka lindur në Holandë, prej nga e ka nënën dhe ishte reprezentues i përfaqësueses holandeze.

Në një intervistë për KOHËN, të mërkurën, Craig ka thënë se prejse ka nisur rrugëtimin si basketbollist, çështja kryesore ka qenë mbiemri i tij. Kështu që e ka parasysh se mbiemri do të jetë çështje edhe në Kosovë. Thotë se nuk e ka problem edhe nëse mbiemrin ia shqiptojnë gabimisht, pasi pranon se nuk është aspak i lehtë për t’u shqiptuar. Osaikhwuwuomwan tregon se edhe vetë ka telashe për ta thënë mbiemrin e tij në gjuhën nigeriane dhe për këtë arsye e bën vetëm në gjuhën angleze.

“As unë nuk mund të shqiptoj si duhet në gjuhën nigeriane për shkak se kam vështirësi. Do të jetë në rregull nëse mbiemrin tim e shqiptojnë si duhet, por edhe nëse gabojnë apo nuk e shqiptojnë mirë nuk ka aspak lidhje. E them këtë për shkak se i kuptoj plotësisht pasi kjo çështja e mbiemrit me ka përcjellë gjatë tërë karrierës sime. Nuk i fajësoj nëse gabojnë, sepse nuk është aspak mbiemër i lehtë për t’u shqiptuar”, është shprehur Craig për KOHËN.

Video:

“Për mua nuk ka asnjë problem pasi fokusi im nuk do të jetë të shqiptimi i mbiemrit, por te paraqitjet e mira për ekipin tim pasi synimi im është të kontribuoj në rezultate sa më të mira”.

Ai thotë se edhe në Kosovë mund ta thërrasin me emër dhe shkronjën e parë të mbiemrit – Craig O. Zbulon se nuk do të jetë hera e parë që do ta thërrasin kështu, pasi edhe në klubet e tjera ishin pajtuar me një marrëveshje të tillë.

“Zakonisht në klube më kanë pyetur se si mund të më thërrasin për shkak të vështirësive për ta shqiptuar mbiemrin tim. Shpeshherë ua kam shqiptuar, por në fund më kanë thirrur edhe Craig O dhe kjo është korrekte dhe shumë mirë për mua. Pra, nuk e kam problem këtë situatë aspak pasi tashmë jam mësuar me të”, u shpreh Craig O. “Mbiemri im është nga Nigeria pasi babai im është nga ky vend, ndërsa nënën e kam nga Holanda, ku edhe kam lindur dhe ndërtuar karrierën time”.

33-vjeçari në vitin 2010 e ka nisur karrierën si basketbollist profesionist te skuadra nga Holanda, ABC Amsterdam. Në Holandë ka luajtur edhe për skuadrat e tjera si Matrixx Magixx, Aris Leeuwarden, Donar e Landstete Zwolle. Sukseset nuk i kanë munguar, pasi veçse në edicionin e parë ishte zgjedhur si lojtari më i mirë i ri në kampionat. Në Holandë ka fituar një titull kampioni, dy kupa dhe një Superkupë.

Në vitin 2017 u largua nga Holanda për ta vazhduar karrierën në Gjeorgji te skuadra Rustavi, ndërsa ka luajtur edhe në Gjermani te Bochumi, Letoni te Tallinna Kalev, Çeki te Deçin dhe së fundmi te Rilski i Bullgarisë. Me fanellën e Përfaqësueses së Holandës, Craig O ka 19 paraqitje.

“Në përgjithësi jam i kënaqur me karrierën time dhe sukseset që i kam pasur, sidomos në Holandë. Tani më pret një aventurë e re në Kosovë dhe me padurim po pres të paraqitem me fanellën e Vëllaznimit”, insistoi ai.

Edhe te Vëllaznimi, Craig vjen me synime të qarta - ta ndihmojë ekipin për trofe këtë edicion, sidomos atë të Kupës së Kosovës pasi turneu “Final 8” do të mbahet në Gjakovë.

“Synimi është që në secilin ekip që luaj, të luaj për trofe dhe ta ndihmoj ekipin që të ngrihet sa më lart. Besoj se mund t’ia dalim mbanë, pasi angazhimi im nuk do të mungoj në asnjë ndeshje apo stërvitje. Jam i gatshëm për këtë aventurë të re në karrierën time”, shtoi Craig.

Craig shton se ndihet krenar që do të jetë pjesë e basketbollit kosovar, sidomos Vëllaznimit, një ekip që thotë se ka përkrahje të madhe nga i gjithë qyteti. Ai me padurim pret të luaj para tifozëve të klubit.

“Kam dëgjuar vetëm gjëra të mira për basketbollin në Kosovë dhe atë prej lojtarëve që i njoh dhe që kanë luajtur në Kosovë. E di që njerëzit jetojnë me basketbollin, ka shumë shikues nëpër palestra dhe atmosfera është e zjarrtë. Veçse i kam shikuar disa ndeshje dhe personalisht jam i bindur për këtë”, u shpreh ai. “Po ashtu, jam i emocionuar që jam pjesë e Vëllaznimit, një ekip me një staf të mrekullueshëm dhe tifozë fantastikë. Do të jap gjithçka nga vetja për këtë ekip”.

Aktualisht, Vëllaznimi është i pesti në Superligë me 27 pikë të mbledhura pas 19 xhirove të zhvilluara dhe këtë vikend do të përballet me skuadrën e Istogut.