Në atmosferë shumë të mirë është zhvilluar stërvitja e fundit e hendbollisteve të Kosovës në prag të ndeshjes me Poloninë. Hendbollistet janë parë të buzëqeshura, por edhe të përkushtuara për të dhënë më të mirën në ndeshjen e vështirë me polaket cilësore.
Kosova e Polonia takohen të enjten prej orës 17:45 në palestrën e vogël të Pallatit të Rinisë në Prishtinë. Në këtë palestër të mërkurën mbrëma selektori Agron Shabani ka udhëhequr stërvitjen e fundit.
“Në përgatitje jemi mbledhur tash e 4-5 ditë, por për fat të keq jo të kompletuar. U kompletuam sot në mëngjes. E kemi një qëllim, që e kemi menduar edhe shumë më herët. Të bëjmë një rezultat sa më të mirë kundër kundërshtarit që është një nivel pak më i lartë se ne. Por, shpresoj se do të na prijë e mbara dhe publikun e kemi pas vetes, dhe ta bëjmë atë që ne kemi dëshirë”, ka thënë selektori Shabani.
Një vit më parë Kosova i humbi thellë dy përballje me Poloninë. Përkundër kësaj, optimizmi te “Dardanet” ekziston.
“Po them 50-50 sepse vajzat janë të motivuara dhe për këtë them 50-50. Ndoshta para disa viteve nuk e kemi thënë këtë fjalë, por kam besim sepse edhe te vajzat e shoh që janë të motivuara për shansin 50-50”, ka shtuar Shabani.
Ndeshja me Poloninë i takon kualifikimeve për Euro 2024. Kosova është në Grupin 8, ku bën pjesë edhe Danimarka. Danezet i kanë fituar dy ndeshje me Kosovën dhe dy me Poloninë dhe tashmë janë kualifikuar.
Edhe vendi i dytë në grup garanton kualifikimin, ndërsa gjasa të mira ka edhe prej vendit të tretë.
Sa i takon rezultatit, shumë do të varet edhe nga forma e kapitenes Leonora Demaj.
“E di që nëse shihen rezultatet e kaluara, gjithkush mund të mendojë se e kemi shumë vështirë. Por, unë po e shoh një atmosferë shumë, shumë të mirë në përfaqësuese, që s’e kam parë shumë kohë. Jemi të angazhuara shumë, jemi duke e motivuar njëra-tjetrën dhe po e japim maksimumin në stërvitje. Unë po besoj që nëse nisim me lojë të mirë këtu në Prishtinë, pasi jemi vendës në lojën e parë, do ta arrijmë një rezultat shumë të mirë dhe pastaj për ndeshjen kthyese në Poloni, edhe atje do ta japim maksimumin”, ka theksuar Demaj.
Ajo pret përkrahje të fuqishme nga tribunat.
“Prindërit i kam këtu, kemi shumë familjarë. Shpresoj që e gjithë salla kësaj here të mbushet me publikun tonë. E kemi përkrahjen gjithmonë shumë të mirë. Por tash e gjithë puna është te ne lojtaret”, ka shtuar kapitenia Demaj.
Gjatë stërvitjeve me formë të lartë është shquar edhe portierja e talentuar, Aurora Kryeziu.
”Stërvitjet kanë qenë shumë të mira dhe shpresojmë që të fitojmë ndaj Polonisë dhe të shkojmë në Evropian”, ka thënë ajo.
Për nivelin e lartë të lojtareve të Polonisë ka folur njëra prej pivoteve të Kosovës, Dafina Mustafa.
“Ne po provojmë të bëjmë lojën më të mirë që mundemi. Normal kundërshtarja ka lojtare të mira, që luajnë në Champions League. Por ne po mundohemi të japim 100 për qind dhe të bëjmë një lojë të mirë. Jam shumë krenare që luaj për Kosovën dhe me këto vajza të cilat bëjnë stërvitje të mira”, ka thënë Mustafa.
E vetmja debutuese te Kosova është aloja e Ferizajt, Luljeta Sopjani. Ajo e vlerëson rastin që e ka fituar.
“Jam shumë e lumtur që më ka ardhur mundësia për të qenë pjesë e Kombëtares. Jemi duke ushtruar maksimalisht sa i përket lojës. Presim të kemi rezultate sa më pozitive. Nuk duhet të dorëzohemi asnjëherë. Kështu që, shpresojmë që të kemi një lojë të mirë”, ka thënë Sopjani.
Kualifikimet zhvillohen në tetë grupe të ndryshme. Dy të parët e secilit grup kualifikohen në Evropian e po ashtu katër përfaqësueset më të mira të pozitës së tretë nga të gjitha grupet. Pikërisht nga pozita e tretë Kosova e kërkon rastin. Fitorja eventuale ndaj Polonisë, Kosovës me shumë mundësi ia siguron paraqitjen në Evropian.