Pas humbjes në derbin kundër Gjilanit, Drita është mposhtur edhe në udhëtim te skuadra e Dukagjinit në Klinë me rezultatin 2:1.
Trajneri i skuadrës së “bardhekaltërve”, Ardian Nuhiu, tha pas ndeshjes se ka qenë një pakujdesi në mbrojtje që u kushtoi shumë, ndërsa bëri thirrje që skuadra të mbetet e bashkuar e të shoh para.
“Sot pamë një ndeshje të luftuar nga të dyja skuadrat. Pjesën e parë luftuam shumë dhe morëm epërsinë, ndërsa të dytën nuk e nisëm mirë. Pas kartonit të kuq të marrë nga kundërshtari u munduam ta fitonim ndeshjen. Ishte një pakujdesi në aspektin e mbrojtjes dhe erdhi ndëshkimi. E kërkuam golin me çdo kusht dhe nuk është se lamë shumë hapësira, por ishte pakujdesi në mbrojtje. Kampionati është shumë i gjatë dhe ka shumë ndeshje. Duhet të punojmë për ta luajtur ndeshjen e radhës. Duhet të mobilizohemi, të jemi të bashkuar më shumë se kurrë më parë. Do ta analizojmë këtë ndeshje dhe kundërshtarin e radhës”, tha Nuhiu pas ndeshjes.
Drita pas shtatë ndeshjeve renditet në vendin e pestë me 11 pikë, aq sa ka edhe Malisheva në vendin e katërt.
Dukagjini nga ana tjetër e shënoi fitoren e parë sezonale dhe zë pozitën e tetë me gjashtë pikë, aq sa ka edhe Ulpiana në vendin e nëntë.
Në fundjavë, Drita do të jetë nikoqire në derbin kundër Prishtinës, derisa Dukagjini udhëton te Llapi.