Sport

Nuhiu i zhgënjyer me barazimin ndaj Ulpianës

Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, nuk është ndarë aspak i kënaqur me barazimin e ekipit të tij ndaj Ulpianës në udhëtim.

Dueli i luajtur në Lipjan që i takoi xhiros së nëntë, përfundoi me shifrat 1:1.

Nuhiu tha se ekipi i tij në ndeshjet e fundit po ndëshkohet nga një goditje e vetme. Drita nuk di për fitore në katër ndeshjet e fundit, duke regjistruar dy barazime dhe po aq humbje.

“Realisht, nuk di çka të them. Kemi ca ndeshje që nga një goditje po ndëshkohem. Gjatë tërë ndeshjes dominuam, ishim kërkues por edhe nuk patëm raste për ta përfunduar ndeshjen. Përballë kishim një ekip të disiplinuar dhe të vendosur mirë në fushë. Unë dua që t’i kthehemi fitoreve, por kjo nuk po ndodhë”, ka thënë Nuhiu.

“Pa diskutim se do të gjejmë mënyrën për t’u kthyer te fitoret pasi i njohim tashmë të gjitha ekipet. Nuk do të ketë ndeshje të lehta, por do të vazhdojmë. Ky grup ka cilësi dhe thjeshtë vetëm na duhet një fitore për të dalë nga këto rezultate në katër ndeshjet e fundit. Do të luftojmë deri në fund të edicionit për titullin e kampionit dhe pse jo mos ta fitojmë”, shtoi ai.