Skuadra e Nottingham Forestit edhe zyrtarisht ka shprehur interesim për mesfushorin e Interit, Roberto Gagliardini, raporton “Sky Sport Italia” të martën.
Bëhet e ditur se Nottinghami po insiston në transferimin e Gagliardinit gjatë këtij muaji, ndonëse mesfushorit italian i skadon kontrata me Interin në fund të sezonit.
Për transferimin e 28-vjeçarit mësohet se Nottinghami ka ofruar pesë milionë euro dhe marrëveshja me Interin mund të arrihet ditëve në vazhdim. Gagliardini është i gatshëm të largohet nga Interi për shkak të hapësirës së vogël këtë sezon, ku ka regjistruar 14 paraqitje në të gjitha garat.
Gagliardini iu bashkua Interit në vitin 2017 nga skuadra e Atalantas dhe deri më tani ka fituar katër trofe, përfshirë një titull kampioni të Italisë.