Sport

Nora vlerëson medaljen e artë, por e di se mund të përmirësohet ende

Nora Gjakova ka nxjerrë shumë përfundime pozitive nga suksesi në Grand Slamin në Baku të Azerbajxhanit. Xhudistja kosovare të premten e fitoi medaljen e artë në kategorinë deri 57 kilogramë. I fitoi po ashtu 1000 pikë, që do t’i mundësojnë ngritje të ndjeshme në ranglistën botërore dhe atë olimpike.

Nora kishte humbur dy finalet e kaluara në garat Grand Slam, por në Baku ishte e pandalshme. Shfaqi nivel superior dhe rreshtoi pesë fitore. Ndër të tjera, mposhti dy xhudistet që e kishin mundur në garat e kaluara.

Nëntë muaj para Lojërave të ardhshme Olimpike, Nora është e kënaqur me ngritjen graduale të formës. Ajo është kampione olimpike nga Tokio 2020.

“Mendoj se ende ka vend për përmirësim. Edhe pse progresi është i ngadaltë, është prapë progres dhe jam e kënaqur me mënyrën se si po përgatitemi deri më tash”, ka thënë Nora Gjakova të dielën për KOHËN.

Arleta Podolak e Polonisë, Seija Ballhaus e Gjermanisë, Priscilla Gneto e Francës, Hasret Bozkurt e Turqisë dhe Eteri Liparteliani e Gjeorgjisë ishin xhudistët që u mposhtën nga Nora në Baku.

“Më së shumti më gëzojnë fitoret ndaj garueseve që më kanë mposhtur në garat e fundit, Gneto e Bozkurt”, ka theksuar xhudistja pejane.

Tri prej fitoreve ajo i arriti në luftën në dysheme. Në dysheme fitoi në mënyra të ndryshme. Nora pranon se përballjet në dysheme me kundërshtaret po i menaxhon shumë mirë.

“Fitoret në dysheme po më japin vetëbesim. Ndihem shumë e sigurt kur më vjen rasti që të sulmoj në dysheme”, thotë ajo.

Në vitet e fundit ka fare pak raste kur Nora ka humbur ndonjë përballje të vendosur në luftën në dysheme.

Këtë vit, Nora ishte në finale të Grand Slamit në Kazakistan dhe në finale të Grand Slamit në Gjeorgji. Në Botëror ishte e shtata. Medalje të artë nuk kishte fituar që nga Lojërat Olimpike, të mbajtura në vitin 2021.

“Shkalla më e lartë e podiumit, përkatësisht medalja e artë më ka munguar shumë. Është ndjenjë krejt tjetër kur fiton medalje ari. Por në të njëjtën kohë kjo më ka shtyrë që të punoj më shumë”, ka theksuar Nora Gjakova.

Vend në podium, Nora kërkon edhe në “Parisi 2024”. Dhe e arta në Baku është sinjal shumë i mirë, që ka gëzuar edhe trajnerin Driton Kuka.

Xhudistja me përvojë thotë se është ndier shumë mirë në aspektin fizik. Ka pasur ndjenjën se është shumë e përgatitur dhe kjo i ka ndihmuar që t’i menaxhojë më lehtë luftërat.

Distria Krasniqi fitoi medalje të argjendtë në kategorinë deri 52 kg në Grand Slamin në Baku. Ndërkohë, paraqitje më të zbehtë kishin Akil Gjakova, Laura Fazliu e Loriana Kuka, tre adutët e tjerë të Kosovës për “Paris 2024”.

Trajneri Kuka ka kritikuar publikisht Akilin e Laurën, ndërsa ka pasur vetëm lavde për Norën.

Kohë për festë për Norën nuk ka. Ajo u kthehet menjëherë stërvitjeve me synimin e qartë – që në kryeqendrën franceze në verën e ardhshme të jetë në kulm të formës.

“Prioritet do të jetë përgatitja e mëtejme. Synojmë përmirësimin e xhudos, përgatitjen fizike si dhe mbetjen në Top-8 në ranglistën olimpike”, thotë Nora.

Ajo shquhet për seriozitetin dhe përkushtimin. Kështu që të gjitha këto synime janë më se të realizueshme.