Sport

Nora e Loriana në Grand Slamin në Baku

Pasi fituan medalje në Grand Slamin në Abu Dabi, xhudistet Nora Gjakova e Loriana Kuka rruga drejt rikthimit në nivelin më të lartë i dërgon në Baku të Azerbajxhanit.

Prej të premtes e deri të dielën mbahet Grand Slami në Baku. Marrin pjesë 366 xhudistë nga 61 shtete të ndryshme.

Kampionia olimpike, Nora Gjakova, është bartësja e parë në kategorinë deri 57 kilogramë. Kështu që vlerësohet pretendente për medalje.

Loriana Kuka garon në kategorinë deri 78 kilogramë dhe është vetëm bartësja e shtatë.

Nora garon të premten, ndërsa Loriana të dielën. Dhjetë ditë më parë, Nora Gjakova fitoi medaljen e argjendtë në Grand Slamin në Abu Dabi. Ndërkohë, Loriana fitoi medalje bronzi në garën e njëjtë.

Për Norën ishte gara e parë që nga Lojërat Olimpike të Tokios, 15 muaj më herët. Në Tokio ajo preku kulmin, duke fituar të artën olimpike. Kthimi i saj me medalje u vlerësua shumë i rëndësishëm. Ajo më herët këtë vit i ishte nënshtruar një operimi në krah dhe rehabilitimi ka zgjatur shumë.

Edhe medalja e Lorianës u vlerësua shumë e rëndësishme. Ajo po kthehet në formë më të mirë. Për të dyja gara në Baku shërben për të dëshmuar se janë në rrugën e duhur.

“E rëndësishme është që të dyja kanë progres dhe po lëvizin sigurt drejt formës së duhur. Pres që kjo të konfirmohet edhe në garën e kësaj fundjave, që është e fortë. Realisht kanë gjasa që të hyjnë në zonën e medaljeve”, ka thënë Driton Kuka, selektor i Kosovës në xhudo.

Ai ka vendosur të dërgojë vetëm dy xhudiste në Baku. Të tjerat vazhdojnë punën për garat e ardhshme. Aktualisht Akil Gjakova po mungon për shkak të një operimi në krah.