Sport

Nora e Distria, “rivale” për të artën në Evropianin në Prishtinë

Nora Gjakova e Distria Krasniqi kanë shumë të përbashkëta. Janë xhudiste kulmore, janë nxënëse të Driton Kukës, janë nga Peja dhe janë kampione olimpike në fuqi. Ka shumë e shumë vjet që Nora e Distria ndajnë sallën e njëjtë për stërvitje, ndërsa edhe në shumicën e garave paraqiten së bashku. Deri më tani megjithatë nuk janë përballur njëra me tjetrën në garat e xhudos.

Kjo ka gjasë të ndryshojë të shtunën në Prishtinë, në Kampionatin e Hapur Evropian. Është kjo ngjarje e re e Unionit Evropian të Xhudos, në të cilën të gjitha xhudistet pjesëmarrëse garojnë në të njëjtën kategori, njëjtë si të gjithë xhudistët pjesëmarrës. Derisa xhudistët garojnë në kategorinë deri 73 kilogramë, xhudistet garojnë në kategorinë deri 57 kilogramë. Të drejtë pjesëmarrjeje kanë edhe xhudistet e kategorisë deri 48 kg dhe ato deri 52 kg. Por jo edhe xhudistet e kategorisë mbi 57 kilogramë.

Nora Gjakova garon në kategorinë deri 57 kilogramë dhe në këtë kategori është kampione olimpike. Ndërkohë Distria Krasniqi garon aktualisht në kategorinë deri 52 kilogramë. Medaljen e artë olimpike në Tokio në vitin 2021 e kishte fituar në kategorinë deri 48 kilogramë.

Deri më tani Distria është e vetmja xhudiste e paraqitur për të garuar në Evropianin e Hapur në Prishtinë, që nuk i takon kategorisë deri 57 kg.

Image

Federata Ndërkombëtare e Xhudos renditjen e bartëseve e ka bërë duke u bazuar në kategorinë deri 57 kg. Rrjedhimisht Nora është bartësja e parë, ndërsa Distria nuk është bartëse fare.

Por nuk përjashtohet mundësia që Nora e Distria t’i shkojnë deri në fund garës. Pra mund të ndodhë që dy sportistet më të mira kosovare të takohen në finale, gjysmëfinale apo fazë më të hershme të garës, varësisht nga shorti.

“Është gara e parë e madhe e xhudos në vendin tonë. Paraqitja para shikuesve tanë sjell një lloj presioni për garuesit. Megjithatë, garuesit tanë janë të përgatitur si duhet dhe të shohim si do të rrjedhin gjërat. Garuesit tanë janë pretendente për medalje, por konkurrenca është shumë e fortë. Si te xhudistët, ashtu edhe te xhudistet ka garues elitarë të Evropës”, ka thënë trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka.

Nora është e shtata në ranglistën botërore në kategorinë deri 57 kg. Më 3 nëntor fitoi të bronztën në Kampionatin e rregullt Evropian. Në shtator në Grand Slamin në Baku kishte fituar të artën. Në qershor në Grand Slamin në Kazakistani kishte fituar medaljen e argjendtë. Në Botërorin e këtij viti ishte e shtata, ndërsa ka medalje të argjendtë këtë vit edhe nga Grand Slami në Tbilisi.

Distria në Evropianin e rregullt ishte e dyta. E dyta ishte edhe në Mastersin në Hungari dhe në Grand Slamin në Baku të Azerbajxhanit. Në Botëror u rendit e pesta, ndërsa në pjesën e parë të vitit ishte e artë në Grand Slamin në Paris dhe e argjendtë në Grand Slamin në Tbilisi.

Gjeorgjiania Eteri Liparteliani është bartësja e dytë në Prishtinë. Është xhudiste cilësore, njëjtë si bartësja e tretë, izraelitja Timna Nelson Levy. Francezja Priscilla Gneto, britanikja Lele Nairne, sllovenja Kaja Kajzer janë të tjerat pretendente për medaljen e artë dhe çmimin e madh në Prishtinë. Por Nora e Distria janë prej kandidateve më të forta.

Te xhudistët Kosovën e përfaqësojnë Akil Gjakova e Dardan Cena. Konkurrenca te xhudistët është edhe më e madhe.

Kampionati i Hapur Evropian organizohet në kuadër të programit shtetëror “Kosova, shtet i xhudos”. Gara është atraktive edhe për shkak të shpërblimit financiar, ndonëse nuk organizohet në momentin më të mirë të mundshëm. Si në rrallë ndonjë garë tjetër të xhudos, fondi i përgjithshëm shpërblyes është 300 mijë euro. Evropiani i Hapur do të kryhet brenda ditës së shtunë dhe mbahet në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.

Kampioni dhe kampionia do të shpërblehen me nga 55 mijë euro. Finalistët në të dy konkurrencat marrin nga 35 mijë euro, ndërsa vendi i tretë garanton 20 mijë euro. Xhudistët dhe xhudistet që përfundojnë në vendin e pestë do të shpërblehen me nga 10 mijë euro.