Suksesin që Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova e arritën verën e këtij viti në Lojërat Olimpike në Tokio, është vështirë të përshkruhet me fjalë. Gëzimi ishte i njëjtë për dy medaljet e arta të fituara nga xhudistet e klubit “Ippon” të Pejës. Suksesi i arritur në Tokio për një vend me më pak se dy milionë banorë, është bilanc i çmuar. Prandaj edhe është vendosur me pajtueshmëri të plotë dhe të padiskutueshme që çmimin “Sportistja më e mirë e vitit 2021” ta ndajnë dy xhudistet e arta të Kosovës, në edicionin e 23-të të manifestimit “Sportisti i Vitit” të Grupit KOHA. Epiteti i më të mirit në konkurrencën e meshkujve nga KOHA i takoi xhudistit Akil Gjakova. Për udhëheqjen e suksesit të fundit dhe të viteve të kaluara, merita të mëdha ka trajneri Driton Kuka. E Kuka u nderua me mirënjohje për vepër jetësore nga KOHA.
KOHA, përkatësisht gazeta “Koha Ditore”, ka shpërblyer sportistin më të mirë të vitit për herë të parë në vitin 1997. Dhe, qëllimi ishte që për suksesin e tyre të shpërbleheshin edhe xhudistët. Distria Krasniqi, që kishte një vit të jashtëzakonshëm, është shpallur edhe xhudistja më e mirë e vitit 2021 në botë. “Female Judoka of the Year” quhet çmimi që e ka fituar kampionia olimpike në kategorinë deri 48 kilogramë. Të jashtëzakonshëm e kishte vitin edhe Nora Gjakova.
Krasniqi 2021-tën e quajti vitin më të suksesshëm të karrierës së saj.
“Faleminderit për çmimin, sidomos të dyja bashkë me Norën edhe pse nuk do të më mbetej hatri nëse Nora do ta fitonte. Nora është model dhe ka shkëlqyer aty ku duhet. Ka qenë viti me i suksesshëm në karrierë. Pas sukseseve të mia jam shpallur së fundi edhe xhudistja më e mirë në botë e po ashtu edhe trajneri im Driton Kuka si trajneri më i mirë në botë. Falënderoj të gjithë që kanë dhënë kontribut në këtë sport e po ashtu edhe ata që kanë votuar të bëhem më e mira në botë. Familja janë tifozët më të mëdhenj të mi dhe shpresoj që edhe viti tjetër të jetë i suksesshëm për mua dhe të gjitha sportistet”, ka thënë Distria Krasniqi.
Edhe për Gjakovën ishte ky viti më i mirë i karrierës.
“Jam e lumtur që e kemi ndarë bashkë me Disin. Sa herë që kam arritur suksese kam thënë është viti më i mirë për mua, por ky më të vërtetë është viti më i mirë për mua. Falënderoj trajnerin Toni Kuka dhe të gjithë familjen time për përkrahje!”, ka thënë më pas Nora Gjakova.
Ndërkohë, Akil Gjakova ka fituar titullin e kampionit të Evropës. Kampion Evropian në xhudo u shpall më 17 prill në Lisbonë të Portugalisë. Garoi në kategorinë deri 73 kilogramë. Paraqitje të mirë kishte edhe në Lojërat Olimpike në Tokio, ku ishte me normë. Fillimisht, shënoi dy fitore e më pas dy humbje dhe kështu mbeti pa medalje. U rendit i shtati. Ka një vend të pestë në “Grand Slamin” e Tbilisit dhe një vend të shtatë në “Masters”.
“Falënderoj Grupin KOHA dhe në veçanti trajnerin tonë, kryetarin Agron Kuka dhe të gjithë shoqërinë time. Shpresoj t’i plotësoj dy rezultatet kulminante, atë të botërorit dhe olimpike”, tha Akil Gjakova.
Kuka me “Mirënjohje për Vepër Jetësore”
Trajneri i Krasniqit, motrës dhe vëllait Gjakova, Driton Kuka, është shpërblyer me mirënjohje për Vepër Jetësore. Kuka për shumë vjet rresht e ka fituar çmimin “Punëtor Sportiv i Vitit”. Kështu që, KOHA ka vendosur që këtë vit të mos e ndajë këtë çmim. Konkurrenca me Tonin aktualisht nuk ekziston. Trajneri më i mirë i xhudos në botë, këtë vit ka fituar dy medalje të arta olimpike, medalje botërore, titull e medalje evropiane. Lista e sukseseve të tij është shumë e gjatë. Ndonëse para Tonit janë edhe shumë dekada punë si trajner, KOHA ka vendosur ta nderojë me “Mirënjohjen për Vepër Jetësore”.
“Po i bie që po do me më qitë në pension, por është kënaqësi të shohësh të gjithë këta fitues. Është nder i veçantë në këtë vit të veçantë, ku i kam sjellë telashe jurisë për të bërë përzgjedhjen ne mes dy të artave. Por ku ka më kënaqësi. Këto rezultate janë meritë e shumë gjeneratave dhe dhashtë Zoti të përcillen rezultatet tona edhe në sportet e tjera”, ka thënë Kuka.
Te klubet, më i miri i meshkujve është shpallur Prishtina (futboll), që fitoi titullin e kampionit, ndërsa te femrat klubi më i mirë u shpall ai i futbollit, Mitrovica. Prishtina në Evropë garat i nisi në turneun parakualifikues për Ligën e Kampionëve. Fitoi 2:0 ndaj Folgores e me rezultat të njëjtë e mposhti Inter d’Escaldes. Në raundin e parë kualifikues u eliminua nga Ferencvaroshi. Garimin evropian e vazhdoi në Ligën e Konferencës. Fillimisht në raundin e dytë e kaloi ekipin nga Uellsi, Connah’s. Ndërsa në raundin e tretë u eliminua nga Bodo/Glimti i Norvegjisë. Ndërkohë, Mitrovica ka fituar titullin e kampionit dhe Kupën e Kosovës për edicionin 2020/2021. Stinorin vjeshtor e përfundoi në pozitën e dytë.
Mitrovica ka luajtur në Ligën e Kampionëve. Në raundin kualifikues, fillimisht u mposht nga Valerenga e Norvegjisë (5:0). Më pas fitoi 3:0 ndaj skuadrës moldave, Agarista. Por nuk avancoi tutje.
“Falënderoj Grupin KOHA për këtë çmim! Shpresoj edhe vitin tjetër Prishtina ta fitojë këtë çmim”, ka thënë Debatik Curri, ndihmëstrajner te Prishtina.
Grevist Bytyqi fiton çmimin “Majlinda Kelmendi”
Xhudoja ka merituar një çmim edhe te të rinjtë. Erza Muminoviq është shpallur sportistja më e mirë e re e vitit. Çmimi “Sportisti më i mirë i ri i vitit”, sërish i takoi
atletit Muhamet Ramadani. Ramadani vazhdon me rezultate të mira në hedhje të gjyles. Ai në vitin 2021 fitoi titullin e kampionit të Evropës në grupmoshën U20. Pos titullit të Evropës, Ramadani ka edhe dy tituj ballkanikë për grupmoshën U20 dhe një medalje të bronztë në kampionatin kontinental për shtete të vogla, në grupmoshën e seniorëve.
“Falënderoj KOHËN për çmimin e po ashtu edhe Federatën! Jam i lumtur për epitetin e më të mirit. Për këtë çmim ka vlerë të madhe babai im që më ka përcjellë gjatë tërë karrierës. Shpresoj ta bëj krenar edhe me suksese të tjera”, ka thënë Ramadani.
Falënderuese është shprehur edhe Erza, që ka fituar medalje në dy ngjarjet kryesore të vitit. Më 9 shtator fitoi medaljen e bronztë në Kampionatin Evropian për juniorë, që u mbajt në Luksemburg. Ndërsa më 6 tetor fitoi medaljen e bronztë në Botërorin për juniorë, që u mbajt në Itali. Ka edhe një vend të shtatë në Kupën Evropiane në Zagreb.
“Faleminderit Grupi KOHA për çmimin! Ishte vit i mirë për mua marrë parasysh medaljen në botëror e evropian për të rinj. Falënderoj trajnerin Driton Kuka për punën e palodhshme që bën. Krenari që ushtroj me tri kampione olimpike. Shpresoj një ditë të fitoj medalje olimpike”, tha Muminoviq.
Grupi KOHA ka formuar çmimin “Majlinda Kelmendi” për kontributin e saj për vendin dhe për arritjet në sport. Për këtë vit KOHA ka vendosur që çmimi “Majlinda Kelmendi” t’i jepet atletit Grevist Bytyqi për frymëzim në sport.
“Ky çmim më jep motiv të vazhdoj më tutje dhe me krenari. Falënderoj Grupin KOHA për këtë çmim! Respekt për të gjithë!”, tha Bytyqi, që çmimin e pranoi nga Flaka Surroi.
“Mirënjohje të veçantë” KOHA vendosi t’ia ndajë ish-kryetarit të Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Besim Hasani, për kontributin në procesin e ndërkombëtarizimit të sportit kosovar, si dhe Shaban Ramadanit për punën e bërë për ngritjen e atletit Muhamet Ramadani.
Ndonëse në situatë pandemie, KOHA me numër të kufizuar të pjesëmarrësve vendosi të shpallë më të mirët e vitit në sport. Kështu, tradita më e gjatë e shpalljes së më të mirëve të vitit vazhdon.
{gallery}
Fituesit e vitit 2021
Sportistja më e mirë e re e vitit
Erza Muminoviq (xhudo)
Sportisti më i mirë i ri i vitit
Muhamet Ramadani (atletikë)
Çmimi “Majlinda Kelmendi”
Grevist Bytyqi (atletikë)
Klubi më i mirë i vitit – femrat
Mitrovica (futboll)
Klubi më i mirë i vitit - meshkujt
Prishtina (futboll)
Mirënjohje për vepër jetësore
Driton Kuka
Sportisti më i mirë i vitit
Akil Gjakova (xhudo)
Sportistja më e mirë e vitit
Distria Krasniqi (xhudo)
Nora Gjakova (xhudo)
*****
Fituesit e deritashëm
1997 - Zijadin Kryeziu
2000 - Besnik Hasi
2001 - Kushtrim Munishi
2002 - Luan Krasniqi
2003 - Afrim Latifi - Kaltrinë Krasniqi
2004 - Luan Krasniqi - Besire Domaniku
2005 - Luan Krasniqi - Majlinda Kelmendi
2006 - Habib Ademi - Daulina Osmani
2007 - Arben Muqolli - Majlinda Kelmendi
2008 - Visar Berisha - Majlinda Kelmendi
2009 - Majlinda Kelmendi
2010 - Majlinda Kelmendi
2011 - Majlinda Kelmendi
2012 - Nora Gjakova - Shpëtim Idrizi
2013 - Nora Gjakova - Dardan Berisha
2014 - Nora Gjakova - Dardan Berisha
2015 - Nora Gjakova - Dardan Berisha
2016 - Nora Gjakova - Herolind Nishevci
2017 - Nora Gjakova - Dardan Berisha
2018 – Nora Gjakova – Akil Gjakova
2019 – Loriana Kuka – Vedat Muriqi
2020 – Distria Krasniqi – Amir Rrahmani
2021- Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova – Akil Gjakova