Në fushën me bari sintetik në dalje të qytetit të Drenasit të mërkurën në mëngjes po stërviteshin dy skuadra. Një pjesë të fushës e shfrytëzonte ekipi i femrave të futbollit “Heroinat” nga Drenasi, ndërsa tjetrën “ekipi parë” i Feronikelit që përbëhej nga juniorët. Është kjo dëshmi se te Feronikeli gjërat nuk janë siç ishin vite më parë, kur dominonte në futbollin kosovar. Feronikeli në radhët e veta kishte ndër lojtarët më me zë në futbollin e vendit. Mirëpo tani gjërat nuk janë kështu.
Skuadra nga Drenasi ka mbetur edhe pa ata pak lojtarë me përvojë që i kishte në pjesën vjeshtore të Superligës së Kosovës në futboll. I janë larguar për shkak të problemeve financiare dhe organizative. Barrën për pjesën e mbetur të këtij sezoni do ta bartin juniorët e ekipit. Punën me të rinjtë e Feronikelit të mërkurën e udhëhoqi Fidan Rexhepi, derisa Faruk Elshani po i përcillte nga stoli për shkak se ishte i ftohur. Në fakt, që të dy pritet të jenë së bashku deri në fund të sezonit. Trajneri Rexhepi i njeh cilësitë e tyre, derisa Elshani do të përkujdeset për pjesën tjetër të drejtimit të skuadrës.
“Nga ekipi i parë nuk kanë mbetur ata lojtarë, të cilët kanë qenë të dëshmuar në futbollin e Kosovës. Mirëpo tash janë disa juniorë, të cilët kanë qenë pjesë e skuadrës edhe në stinorin vjeshtor. Pjesa tjetër vijnë nga juniorët. Disa nga ta janë edhe të gjeneratës 2005, 2004, 2003 dhe 2002. Do të vazhdojnë të luajnë me leje speciale që ta përfundojnë këtë sezon të Superligës së Kosovës”, tha për KOHËN trajneri Rexhepi.
Rexhepi e Elshani janë të vetëdijshëm për krizën e madhe që ka kapluar Feronikelin, por më shumë i frikësohen pjesës së mbetur të sezonit. Ata thonë se grupi në tërësi është i ri në moshë dhe mund të ketë edhe lëndime. Por problemi i madh qëndron në atë se skuadra mund t’i humbë ekuilibrat edhe në grupmoshat zinxhirë. Skuadrën e juniorëve të Feronikelit duhet ta plotësojnë kadetët.
“Jemi në konsultim edhe me trajnerin Faruk Elshani. Jemi në zhvillim të ekipit. Ata të cilët ndoshta nuk i përmbushin kriteret do të kthehen te juniorët, por juniorët do të marrin disa lojtarë edhe nga kadetët dhe kështu do të vazhdojmë deri në përfundim të sezonit”, vazhdoi tutje Rexhepi.
Rexhepi dhe Elshani kanë thënë se do ta respektojnë ligën deri në fund e do të luajnë në çdo ndeshje për fitore. E nga gjithë situata negative e krijuar në skuadër, të dy thonë se kjo mund ta ketë edhe anën pozitive.
“Disa nga këta futbollistë janë pjesë zinxhirë e shkollës së futbollit me të cilët kemi punuar. Ata do ta kenë rastin të dëshmohen, t'i tregojnë cilësitë e tyre te Feronikeli dhe në Superligën e Kosovës. Siç thonë, mund të jetë fat në fatkeqësi. Disa nga ta do ta kenë ndjenjën se si është të luash në Superligë. Shpresojmë që të mos ketë lëndime. Pastaj shpresojmë të dëshmohet talenti i tyre”, përfundoi Rexhepi.
Sokol Kiqina dhe Kaltrin Seferi janë prej lojtarëve më të rinj në ekip. Të dy janë 19-vjeçar. Kiqina beson se skuadra mund të marrë ndonjë barazim apo fitore deri në fund të sezonit.
“Do të jetë shumë e vështirë, sepse jemi të gjithë të rinj në moshë. Na është bashkangjitur edhe grupmosha e juniorëve. Do ta japim maksimumin. Besoj se mund të marrim ndonjë barazim apo fitore”, theksoi Kiqina.
Ndërkohë, Seferi është tjetër lojtar që ka dalë nga akademia e klubit dhe shpreson që t’ia dalin mbanë deri në fund.
“Kam dalë te seniorët kur gjërat në skuadër ishin mirë. Nuk e kemi ditur që do të vijë gjendja siç është tani. Besoj se me punë e angazhim do t’ia dalim disi”, theksoi Seferi.
Prej “veteranëve” të ekipit është Endrit Kastrati, njëri prej lojtarëve më me përvojë në skuadër. Thotë se pavarësisht situatës, duhet të jepet maksimumi nga secili.
“Përvoja është në pyetje, por do të mundohemi me punë dhe angazhim. Të shohim si do të jetë fundi. Duhet të punojmë shumë e të mos dorëzohemi. Të bëjmë paraqitje të mirë dhe të shikojmë për rezultate pozitive. Futbollit nuk i dihet”, përfundoi Kastrati.
Është raportuar se skuadra e Feronikelit ka pasur rreth 700 mijë euro të obligimeve të pashlyera nga viti 2019. Stinorin vjeshtor Feronikeli e ka përfunduar në pozitën e fundit në tabelë. Ka tubuar 11 pikë prej 18 ndeshjeve të zhvilluara, ku ka regjistruar tri fitore, dy barazime dhe plot 13 humbje. Feronikeli i ka fituar tre tituj kampioni të Kosovës, ndërsa ka edhe tri Kupa e dy Superkupa. Në vitin 2019 e prezantoi Kosovën në kualifikimet e Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës. Po ashtu, Nikli është klubi i vetëm elitar që fazën përgatitore për sezonin pranveror do ta kryejë në Kosovë.