Sport

Një seri e ndërprerë, një shpërthim i pamundësuar, por xhudistët vazhdojnë të sjellin medalje evropiane

Nora Gjakovës i është ndërprerë një seri impresive. Akil Gjakovës i është pamundësuar shpërthimi i shumëpritur në ngjarje të mëdha.

Por, ekipi i Kosovës në xhudo vazhdon të sjellë medalje nga ngjarjet kryesore sportive, me gjithë mungesën e dy prej xhudistëve kryesorë. Pati edhe mungesa të tjera në fakt.

Të dielën në Kosovë arriti ekipi i drejtuar nga Driton Kuka, që solli dy medalje nga kampionati evropian i mbajtur në Pragë të Çekisë. Distria Krasniqi fitoi të bronztën në kategorinë deri 48 kilogramë, ndërsa Loriana Kuka të bronztën në kategorinë deri 78 kilogramë. Janë këto medaljet e vetme që Kosova i ka fituar këtë vit në ngjarje të mëdha në nivelin senior.

Xhudoja e vazhdon serinë impresive të fitimit të medaljeve në ngjarjet kryesore sportive. Ka vite që Kosova merr medalje në çdo ngjarje me peshë, si kampionatet botërore e kampionatet evropiane.

Në Evropianin në Pragë, ngjarjen kryesore të xhudos për vitin 2020, është dashur që Kosovën ta prezantojnë nëntë xhudistë. Por, ekipi, për shkak të telasheve të ndryshme, është zvogëluar në tri xhudiste. Trajneri Kuka ka vendosur që Majlinda Kelmendin, kampionen olimpike, ta pushojë. Disa kanë munguar për shkak të lëndimeve e disa për shkak të infektimit me koronavirus.

Ka munguar edhe Nora Gjakova, që nga viti 2015 e deri në vitin 2019 ka fituar rregullisht medalje në kampionate evropiane për seniorë. Ajo kishte tri të bronzta rresht, një të artë e një të argjendtë. Këtë vit e përfundon pa medalje të fituar.

Ndërkohë, Akil Gjakova ka shpresuar që në këtë Evropian do të fitojë medaljen e parë në ngjarje të mëdha. Ka kohë që Akili llogaritet xhudist elitar, por i mungon ende medalja e madhe.

Ka munguar edhe Laura Fazliu, Shigeki Nakamura e ndonjë tjetër. Por, nuk kanë munguar medaljet. Ajo janë fituar nga Distria e Loriana, që vazhdojnë të konfirmohen si top-xhudiste evropiane.

“Janë dy medaljet më të vlefshme për Kosovën sivjet, të vetmet elitare për shtetin tonë në vitin 2020, marrë parasysh që në shumë sporte nuk janë mbajtur kampionatet. Ekipi ynë ka qenë i sakatuar, në kuptim të pjesëmarrjes në këtë garë, sidomos tre-katër adutë që i kemi pasur për medalje, përfshirë këtu Norën, Akilin, Laurën”, ka thënë trajneri Driton Kuka, pas kthimit në Kosovë nga Çekia.

“Akili e Nora kanë qenë adutë për medalje, Laura Fazliu ka pasur gjasa reale, është lënduar edhe japonezi Nakamura. Na ka përcjellë një fat i keq. Kemi edhe të infektuar në ekipin tonë. Janë duke u shëruar, në gjendje të mirë shëndetësore. Medaljet e fituara nga Distria e Loriana janë për krejt ekipin. Jemi përgatitur me përkushtim të madh dhe kemi pritur të jemi pjesë e kësaj gare. Tre garues e dy medalje është rezultat jashtëzakonisht i kënaqshëm, pasi ka filluar disi vështirë si garë”, ka shtuar Kuka.

Ai ka treguar se ekipi i xhudos javën e kaluar është testuar gati çdo ditë. Dhe është falënderues që trajtimi ndaj ekipit të xhudos është në nivel.

“Javën e kaluar kemi pasur më shumë se pesë testime. IKSHPK-ja ka qenë jashtëzakonisht korrekte me ne, pasi kemi qenë në situatë të vështirë. Na kanë qëndruar shumë afër, duke bërë testime në baza ditore. Po të shkonim atje dhe të dilnim pozitivë do të suspendohej i gjithë ekipi”, ka theksuar Driton Kuka.

Distria Krasniqi ka qenë bartësja e parë dhe është llogaritur pretendente për të artën në kategorinë deri 48 kilogramë. Por, ajo fitoi të bronztën. Loriana ishte pretendente për medalje dhe realizoi pritjet.

“Jam e kënaqur me rezultatin, por me luftërat e mia jo. Sidomos në luftën për të bronztë nuk kam qenë në nivelin e kërkuar. Por, prapë se prapë, kam arritur të marr medalje dhe kjo është me rëndësi”, ka thënë Loriana Kuka, që vjet kishte fituar medalje në Botëror dhe në Evropian. Ajo shpreson që vitin tjetër të fitojë medalje olimpike. Të njëjtin synim e ka edhe Distria Krasniqi.

“Jam e kënaqur me rezultatin, edhe pse për Evropian është dashur të kem performancë më të mirë. Kam pritur edhe unë performancë më të mirë. Por, me rëndësi është që jam kthyer me medalje dhe kam qenë prapë në podium”, ka theksuar Distria Krasniqi.

Në krye të federatës që sjell më së shumti medalje në Kosovë është Agron Kuka, vëllai i Dritoni dhe axha i Lorianës.

“Morëm pjesë me tri garuese. Patën paraqitje të mirë, jam shumë i kënaqur që u kthyem me dy medalje të bronzta. Edhe pse në kushte të jashtëzakonshme, me pandemi, dhe me kushte të veçanta në gara me protokolle strikte, më në fund arritëm që gjithë këtë punë dhe sakrificë gjatë kësaj kohe të çuditshme ta kurorëzojmë me medalje nga Kampionati Evropian”, ka theksuar Agron Kuka.