Është shumë e paqartë situata me klubin e futbollit nga Drenasi, që për kohë të gjatë është quajtur Feronikeli, ndërsa tani nga Federata e Futbollit e Kosovës është paraqitur si Feronikeli 74. Klubi nga Drenasi ishte në krizë të thellë në vitet e fundit, ndërsa tani me emër të ri ka nisur garimin në Ligën e Parë.
Nuk është saktësuar se a i takon klubit me emër të ri lavdia e klubit të dikurshëm dhe trofetë e tij. Për më tepër, situata ka mbetur e pasqaruar lidhur me obligimet e shumta që i ka pasur Feronikeli ndaj trajnerëve e lojtarëve.
Edhe në të kaluarën ka pasur raste të tilla në futbollin kosovar. Madje një pjesë e klubeve, që dikur ishim të suksesshme, tashmë janë shuar.
Por ky fenomen ka prekur edhe klubet e futsallit, përkatësisht futbollit të sallës.
Klube të suksesshme si Besa e Pejës dhe Feniksi i Drenasit nuk ekzistojnë më. Janë shuar ndonëse për disa vjet e kishin fjalën kryesore në futsallin kosovar.
Kosova tani mund ta humbë edhe një tjetër emër të madh të futsallit.
Te Liburni i Gjakovës po e mendojnë largimin nga elita e futsallit të Kosovës.
Te klubi gjakovar pretendojnë se po u bëhet e padrejtë dhe për një gjë të tillë kanë bërë edhe ankesa.
“Momentalisht nuk kemi vendosur që ta shuajmë klubin, por kemi pezulluar garat sepse kemi fakte dhe dëshmi reale që në tre vjetët e fundit kampioni shpallet në zyrë e jo në parket, nga një grup i keqbërësve që nuk kanë lidhje me futsall dhe nuk kanë kontribuuar asnjëherë për futsallin, por fortunat politike i kanë dërguar në FFK. Marrin rroga të majme e luajnë me djersën e lojtarëve e donatorëve. Nuk duam të jemi pjesë e kësaj maskarade derisa FFK-ja të reflektojë e t’i largojë këta keqbërës nga futsalli”, ka thënë kryetari i klubit Liburni nga Gjakova, Abaz Beqa.
Beqa bëri të ditur se ka bërë ankesë te Komiteti Ekzekutiv të FFK-së, por tash e 40 ditë nuk ka marrë asnjë përgjigje.
Liburni për njëmbëdhjetë vjet pjesëmarrje në gara është shpallur katër herë kampion i Kosovës dhe tri herë ishte fitues i Kupës. Beqa thotë se është klubi më i vjetër aktualisht në Superligë.
“Ne jemi takuar dy herë me presidentin Agim Ademi dhe na ka premtuar që do t’i marrë të gjitha masat dhe do të ndëshkohen gjithë ata që i kalojnë kompetencat dhe dëmtojnë FFK-në, e në veçanti futsallin. Kemi bërë padi edhe ndaj dy referëve të finales dhe delegatit. Presim ditët në vazhdim të konfirmohet aktakuza si e bazuar sepse nuk do të ndalemi me kaq. Do të vazhdojmë ankesat edhe në UEFA”, ka thënë Beqa, i cili akuzon gjyqtarët Besar Beqiri dhe Besart Ismajli, si dhe vëzhguesin Betim Sylejmani.
Kampion i Kosovës në futsall është shpallur Liqeni.
Skuadra nga Drenasi pritet që ta vazhdojë dominimin, pasi një prej kundërshtarëve më të fortë mund të largohet krejtësisht nga elita e futsallit kosovar.
“Ne kemi shumë donatorë dhe qëndrojmë mirë financiarisht dhe këtë FFK-ja e di shumë mirë. Në Liburn lojtarët paguhen përmes bankës dhe kanë paga të larta. Por nëse FFK-ja nuk reflekton, ne do ta pushojmë aktivitetin në Kosovë dhe do të fillojmë negociatat me Federatën Shqiptare dhe me Bashkinë e Bajram Currit për ta vazhduar aktivitetin në kuadër të FSHF-së. Dëmi që po bën FFK-ja për t’i mbrojtur disa keqbërës është i madh, sepse 18 persona nuk janë më në paga, janë në rrugë. Jemi klubi më i vjetër dhe më i suksesshmi”, ka thënë Beqa.
Edicioni i ri i Superligës së Kosovës në futsall pritet të nisë më 10 shtator.