I armatosur me sharmin djaloshar dhe paraqitjet si të David Beckhamit dhe aftësitë e lojën e Paul Gascoignet, mesfushori Jack Grealish ka një përzierje të fuqishme të këtyre dy ish-futbollistëve që e ka parë atë të shfaqet shpejt si fytyra e futbollit anglez.
Tani që ai po fillon të shtojë trofe në listën e tij, ka edhe marrëveshje të marketingut që tashmë përfshijnë firmat “Gucci” dhe “Puma”, mundësitë duken të pafundme për lojtarin e Manchester Cityt, i cili është futbollisti më i shtrenjtë anglez i të gjitha kohërave. Grealish ishte tashmë një lojtar i spikatur në futbollin anglez përpara se të transferohej në vitin 2021 nga Aston Villa në City për 100 milionë funte. Afër fundit të edicionit të tij të dytë në City, 27-vjeçari Grealish më në fund e ka vendosur veten si një pjesë kyç e një skuadre fituese të Premier Leagues që po kërkon ta mbyllë edicionin me tripletë pasi do të luajë edhe në finalen e Kupës FA dhe Ligës së Kampionëve. Të shtunën City përballet me skuadrën e Manchester Unitedit në kuadër të Kupës FA. Megjithatë, Grealish është shumë më tepër se një futbollist këto ditë.
“Njerëz si Jack Grealish janë ikonat e reja të stilit të jetës sportive”, tha Alan Seymour, një akademik sportiv dhe autor i librave për biznes dhe marketing. “Ndërsa ai është pjekur dhe është përshtatur më shumë me atë që kërkohet prej tij si futbollist, në fushë dhe jashtë fushës, kjo është arsyeja pse ai është atje me personalitetet më të mira sportive jo vetëm në futboll, por edhe jashtë futbollit”.
Elementet e imazhit të një djaloshi të egër që e lanë në hije në vitet e para të karrierës mbeten ende.
Në kulmin e bllokimit mes pandemisë, Grealish përplasi makinën e tij në një pronë banimi dhe më vonë iu ndalua të drejtonte makinën për nëntë muaj. Më pas ishin imazhet e tij duke luajtur një rol të rëndësishëm në festimet e titullit të Premier Leagues së Cityt vitin e kaluar, kur ai u pa me birrë në dorë. Grealish e pranon pa turp se ky është ai. Kohët e fundit ai tha se mund të kishte qenë një promotor i klubeve të natës nëse nuk do të ishte futbollist. Por pjesa e dashur, simpatike e personalitetit të Grealishit është e pashmangshme. Shkëlqen në çdo intervistë që bën dhe ka miqësinë publike me një tifoz të ri të Cityt të quajtur Finley, i cili ka paralizë cerebrale. Ai është një anëtar i njohur i skuadrës së Cityt, duke krijuar një marrëdhënie veçanërisht të ngushtë me sulmuesin Erling Haaland jashtë fushës.
“Ndihem shumë më i sigurt në këtë skuadër”, tha Grealish, i cili u la jashtë në shumë prej ndeshjeve të mëdha të Cityt edicionin e kaluar derisa u përshtat me kërkesat e trajnerit Pep Guardiola. “Ndihem më në formë dhe i kthehem asaj që di, asaj që mund të bëj. Kjo është arsyeja pse City më bleu dhe unë kam shumë për të ofruar”.
Edhe markat e mëdha mendojnë kështu. Ai është një ambasador për shtëpinë e modës “Gucci” dhe për pajisjet audio “Bose”, si dhe këtë vit nënshkroi një marrëveshje këpucësh me kompaninë “Puma”, që thuhet se është më fitimprurësja për një lojtar britanik, me vlerë rreth 10 milionë funte në edicion gjatë pesë vjetëve të ardhshëm. Ai ka 7 milionë ndjekës në Instagram dhe 4.2 milionë në TikTok. Madje, shtypi britanik ka filluar të krahasojë Grealishin dhe të dashurën e tij, modelen Sasha Attëood, me David dhe Victoria Beckhamin.
“Ai ka sharmin dhe pëlqyeshmërinë djaloshare”, tha Seymour. “Përzierja e tij me Beckhamin është e qartë”.
Krahasimet me Gascoignen, vijnë në mënyrën se si Grealish e mban topin me një ritëm dhe direktivë të tillë, saqë ai është vazhdimisht një nga lojtarët më të faulluar në Premier League. Grealish e di se duhet të shënojë më shumë gola dhe të ketë më shumë asistime për t'u vlerësuar si një nga mesfushorët ofensivë më të mirë në botë, por teknika dhe prekja e tij e parë janë atje me lojtarët më të mirë të lojës.
Guardiola vlerëson, në veçanti, kontrollin që Grealish i sjell skuadrës dhe kjo është arsyeja pse ai tani është zgjedhja e parë për ndeshjet më të mëdha. Pritet të jetë titullar si në finalen e Kupës FA të shtunën ashtu edhe në finalen e Ligës së Kampionëve kundër Interit fundjavën e ardhshme.
“Ne kemi ende disa ndeshja të mëdha”, tha Grealish, “dhe ndihemi të pandalshëm”.