Në kohë pandemie, me pak stërvitje e me shumë mungesa, Shqipëria e Kosova e luajnë edhe një ndeshje vëllazërore. Të mërkurën në Elbasan nga ora 16:00 zhvillohet miqësorja që u paraprin ndeshjeve në kuadër të Ligës së Kombeve të UEFA-s.
Situata në asnjërin ekip nuk është më e mira e mundshme. Si Kosova, ashtu edhe Shqipëria janë në fund të kampanjës në edicionin e dytë të Ligës së Kombeve. Të dyja ekipet kanë shpresuar për rezultate më të mira.
Kosova është e treta në Grupin 3 të Ligës C me dy pikë nga katër ndeshje. Ka barazuar me Moldavinë, ka humbur me Greqinë e Slloveninë, ndërsa në fund barazoi me Greqinë. Muajin e kaluar Kosova e humbi mundësinë për kualifikim në “Euro 2020”, duke pësuar nga Maqedonia e Veriut.
Edhe Shqipëria është e treta, por në Grupin 4 të Ligës C. Shqipëria fillimisht fitoi 2:0 ndaj Bjellorusisë. Më pas humbi 1:0 nga Lituania. Në dy ndeshjet e fundi ka barazuar pa gola me Kazakistanin e Lituaninë.
Ndeshja në Elbasan në fakt nuk do të zhvillohej sikur UEFA të mos kishte obliguar të gjitha ekipet përfaqësuese që të zhvillojnë miqësore më 11 apo 12 nëntor. Për të shmangur udhëtimet e gjata dhe komplikimet, FSHF-ja dhe FFK-ja kanë vendosur për ndeshje mes Shqipërisë dhe Kosovës, ndonëse Shqipërisë i dështoi paraprakisht një miqësore tjetër.
Kosova është grumbulluar në Durrës. Ndeshja do të luhet pa shikues në stadium, që do ta bëjë edhe më të zbehtë atë. Por nuk përjashtohet mundësia që në fushën e blertë skuadrat të ofrojnë ndeshje të mirë e ndoshta edhe dramatike.
Këtë herë Shqipëria i ka bërë nder Kosovës e Kosova i ka bërë nder Shqipërisë. Në të kaluarën, Shqipëria ka nderuar shumë herë Kosovën duke i ofruar mundësinë për miqësore. Deri më tani, nuk ka pasur ndeshje vëllazërore në kuadër të garave zyrtare.
Kosova ndeshjen e parë zyrtare të saj e ka luajtur pikërisht ndaj Shqipërisë. Pasi në vitin 1992, pas pavarësimit të sportit, Kosova luajti një ndeshje miqësore me Shkëndijën e Tetovës, në vitin 1993 u aranzhua miqësorja e parë ndërshtetërore. Natyrisht me Shqipërinë.
Ndeshja ishte luajtur më 14 shkurt në stadiumin “Selman Stërmasi” në Tiranë, ndërsa prezentë ishin 14 mijë shikues. Shqipëria fitoi 3:1.
“Ishte ditë e diel, ishte ndeshja e parë kontrolluese për Shqipërinë që tri ditë më vonë luajti me Irlandën e Veriut në kualifikimet për Botëror. Ka qenë një ndeshje shumë me rëndësi, ndeshja e parë ndërshtetërore. Ishte ndeshje vëllazërore në fakt. Kishim përbërje të fortë, lojtarë shumë domethënës për atë kohë. Pas kthimit nga Shqipëria jemi marrë në biseda informative nga okupatori. Atmosfera ishte e jashtëzakonshme në ndeshje, ndërsa ajo mbetet një moment shumë i rëndësishëm në historinë e futbollit kosovar”, ka thënë Ajet Shosholli, selektor i atëhershëm i Kosovës.
Shosholli vlerëson se ndeshja e së mërkurës për nga rëndësia nuk i afrohet asaj të vitit 1993. Situata me koronavirus dhe mungesa e shikuesve zbeh atmosferën. Edhe para ndeshjes nuk duket se ka ndonjë interesim të madh për ndeshjen.
Golin e vetëm për Kosovën në ndeshjen e vitit 1993 e kishte shënuar Kushtrim Munishi.
“Ka qenë ndeshje historike mes dy shteteve. Për ne ishte shumë e mirëseardhur sepse luanim për herë të parë kundër shtetit amë, në kohën kur ishim të bllokuar. Kishim vështirësi të mëdha për të kaluar kufirin, por të gjitha u harruan kur dolëm në fushë. Qëllimi ka qenë të luajmë ndeshjen me Shqipërinë. Atmosfera ishte fantastike, kemi kaluar shumë mirë. Kjo tani është shumë më e zbehtë, pa tifozë dhe në këtë situatë të rënduar. Vlera ndoshta është e njëjtë, po luajnë dy shtete të një kombi”, ka thënë Munishi.
Shqipëria kishte nderuar Kosovën edhe në vitin 2002. Më 7 shtator në Prishtinë, Shqipëria me ekipin më të fortë të saj, fitoi 1:0 ndaj Kosovës. Rreth 25 mijë shikues ishin në stadiumin e Prishtinës. Arsim Abazi kishte realizuar autogol. Për Kosovën ajo ishte ndeshja e parë pas luftës.
Në vitin 2010 , me rastin e përvjetorit të pavarësisë së Kosovës, Shqipëria fitoi 3:2 një miqësore tjetër të luajtur në Prishtinë. Shqipëria në atë ndeshje ishte me ekipin B.
Karakter festiv kishte edhe ndeshja e 13 nëntorit të vitit 2015. Shqipëria kishte siguruar kualifikimin e parë dhe të vetëm në ngjarje të madhe, në “Euro 2016”. Dhe për të festuar atë të arritur ishte organizuar ndeshja në Prishtinë që përfundoi 2:2. Atmosfera ishte e mirë, ndonëse kishte edhe ndërhyrje të ashpra e ngapak tension.
Më 29 maj të vitit 2018, Kosova e Shqipëria u përballën në Zuerich të Zvicrës. Në stadium ishin mbi 18 mijë shikues, thuajse të gjithë shqiptarë. Ndeshja ishte miqësore, kurse Kosova fitoi bindshëm, 3:0. Ishte fitorja e parë e Kosovës ndaj Shqipërisë. Arbër Zeneli realizoi dy gola e Edon Zhegrova një.
Kosova ishte në fillim të një serie pozitive që zgjati goxha shumë. Ndërkohë Shqipëria po kërkonte dhe vazhdon të kërkojë ngritjen pas paraqitjes në “Euro 2016”.
Ndeshja në Elbasan i gjen dy ekipet në moment jo shumë të mirë. Shpresohet mbi të gjitha në atmosferë vëllazërore dhe lojë të mirë në fushë. Të dy ekipet do të kërkojnë fitoren, por mbi të gjitha do të kërkojnë të përgatiten për ndeshjet zyrtare që i presin.