Nuk është medalja më e vlefshme e ekipit të Kosovës në xhudo apo e Distria Krasniqit. Por e bronzta evropiane e fituar të enjten e ka gëzuar shumë trajnerin Driton Kuka. Trajneri që ka fituar krejt çka mund të fitohet në xhudo, me shumë mundësi do ta kujtojë gjithë jetën vendin e tretë në Kampionatin Evropian për seniorë, që në Pragë të Çekisë e zuri Distria Krasniqi.
Është situata globale dhe ajo që po e kalon ekipi i Kosovës në xhudo që e bën të veçantë medaljen e 24-vjeçares.
Distria në të vërtetë ishte favorite për medalje të artë evropiane në kategorinë deri 48 kilogramë. Ishte bartësja e parë. Në fund u rendit e treta, fitoi medalje të bronztë, por për trajnerin Kuka vlera e saj është e artë.
Distria e nisi ditën me fitore ndaj Aisha Gurbanlit të Azerbajxhanit. Shirine Boukli e Francës e mposhti në luftën e dytë pas një përballje të fortë. Lufta shkoi në kohën shtesë, ku Distria nuk ia doli. Ajo megjithatë shfrytëzoi rastin përmes repesazhit për të arritur maksimumin që ai ofron – medaljen e bronztë. E mposhti rusen Irina Dolgova e më pas francezen Melanie Clement. Ndaj Clementit fitoi me mbërthim.
Distria është në seri impresive. Merr medalje në secilën garë ku paraqitet. Në tri garat e kaluara fitoi tri të arta. Në Evropian, ngjarjen kryesore të vitit, u detyrua të kënaqet me të bronztën.
Është sukses shumë i madh nëse merret për bazë situata që ishte në ekipin e Kosovës në xhudo. Javën e kaluar u paraqit një rast me koronavirus në ekipin olimpik të xhudos, ndonëse pa asnjë simptomë. Kjo mbajti në ankth gjithë ekipin për ditë të tëra. Më së rëndi gjendjen e përjetoi trajneri Driton Kuka, që ka punuar prej shkurtit për këtë garë. Ai ka dhënë maksimumin për të mbajtur ekipin të paprekur nga koronavirusi. Madje për javë të tëra ekipi i xhudos kishte punuar në izolim, pa asnjë kontakt me të tjerët. Situata është menaxhuar mirë, por në momentin vendimtar, u paraqitën raste pozitive.
Në Evropian, Kuka ka planifikuar të garojë me plot nëntë xhudistë. Për shkak të lëndimeve dhe të të infektuarve, në Pragë kanë udhëtuar vetëm tri xhudiste. Pra një e treta e ekipit që planifikohej fillimisht. Të enjten garuan Distria dhe Flaka Loxha, që u ndal në luftën e dytë në kategorinë deri 57 kilogramë.
Të shtunën garon Loriana Kuka në kategorinë deri 78 kilogramë. Edhe ajo është pretendente për medalje. Shumë më tepër medalje do të synoheshin me Majlinda Kelmendin, Nora Gjakovën, Akil Gjakovën, Laura Fazliun dhe të tjerët që mungojnë.
“Medalja më ka gëzuar fort”, ka thënë Driton Kuka për KOHËN. Ai deri pak kohë para udhëtimit, të hënën, nuk e ka ditur se me cilët garues do të paraqitet në Pragë të Çekisë.
“Kemi kaluar ditët më të rënda si ekip prej shumë kohësh, me lëndime, garues me telashe me COVID-19 e gjëra tjera. Me përgatitje për këtë garë kishin filluar nëntë garues. Në fund po paraqitemi me dy garuese serioze dhe një debutuese”, ka shtuar Kuka.
Për Evropian ai çdo medalje e vlerëson me shumë peshë. Nxënësit e Kukës kanë fituar medalje të artë olimpike, disa medalje botërore e shumë medalje evropiane. Kjo e Distrisë përfundimisht do të mbetet prej më të veçantave. Vetë Distria ka medalje të bronztë botërore, vitin e kaluar. Vjet nuk mori pjesë në Evropian për shkak se nuk arriti peshën e kërkuar.
“Distria është llogaritur si më e mira në garë, por në Evropian për mua çdo medalje është e artë. Është medalja e parë elitare për Kosovën në vitin më të rëndë për sportin në nivel global. Pavarësisht rrethanave që e kanë zvogëluar ekipin në tre garues, xhudoja po vazhdon të sjellë medalje nga ngjarjet më të mëdha”, ka shtuar trajneri Kuka.
Puna e tij këtë herë u pengua nga gjëra që Kuka nuk i kontrollon dot. Por shpërblimi megjithatë erdhi. Ka shpresë për një tjetër medalje, që do të ishte sukses i jashtëzakonshëm në situatën e krijuar.
