Sport

Një derbi të shtunën e një të dielën

Derbi i madh mes Trepçës e Pejës e hap xhiron e 24-t të Superligës së Kosovës në basketboll. Ndeshja e dy finalisteve të plejofit të edicionit të kaluar, zhvillohet të shtunën prej orës 17:00 në palestrën “Minatori” në Mitrovicë.

Trepça është lidere e klasifikimit me 44 pikë dhe thuajse e ka siguruar pozitën e parë për plejof. Peja është e dyta me 40 pikë. Edhe kampionia aktuale, Peja, ka bërë shkëputje ndaj skuadrës së tretë dhe të katërt në tabelë, Golden Eagle Yllit dhe Sigal Prishtinës. Këto dy skuadra i kanë nga 37 pikë.

Peja e ka mposhtur Trepçën në ndeshjen e parë të këtij edicioni. Më pas skuadra mitrovicase i shënoi dy fitore.

“Xehetarët” janë në seri të rrallë prej 16 fitoreve. Në këtë seri përfshihen edhe ato dy fitore ndaj ekipit pejan. Për më tepër, Trepça e ka fituar edhe Kupën e Kosovës. Pra gjithsej ka 19 fitore rresht. Në mesjavë mitrovicasit e fituan derbin ndaj Sigal Prishtinës në kryeqytet me rezultat 78:75. Peja e mposhti bindshëm Proton Cable Prizrenin me rezultatin 101:69.

Skuadra pejane nuk ka pasur vazhdimësi të rezultateve pozitive. Në garën për Kupë u eliminua shumë herët, ndërsa tani synon ngritje të formës dhe mbrojtje të titullit të kampionit.

Të shtunën prej orës 19:00 është ndeshja Proton Cable Prizreni – Vëllaznimi.

Derbi i dytë i xhiros është të dielën prej orës 17:00. Në Suharekë, Golden Eagle Ylli dhe Sigal Prishtina luajnë për pozitën e tretë në tabelë. Dy skuadrat kanë bërë ndryshime në javët e kaluara dhe janë në kërkim të formës më të mirë. Dhe derbi mund të shërbejë si matës për forcën e vërtetë të Yllit e Prishtinës.

Xhiroja e 24-t mbyllet me ndeshjen mes Bashkimit dhe Istogut, që zhvillohet të dielën nga ora 19:00. Istogu është dorëzuar dhe po luan me vendorë. Kështu që Bashkimi mund të llogarisë në dy pikë të reja, me shpresë që më pas ta sulmojë pozitën e pestë që aktualisht e mban Vëllaznimi.

Në plejof vazhdojnë gjashtë skuadrat e para në tabelë.

Superliga në basketboll – XXIV

E shtunë

Trepça – Peja (17:00)

P.C. Prizreni – Vëllaznimi (19:00)

E diel

G.E. Ylli – S. Prishtina (17:00)

Bashkimi – Istogu (19:00)


1. Trepça 23 44

2. Peja 23 40

3. G.E. Ylli 23 37

4. S. Prishtina 23 37

5. Vëllaznimi 23 33

6. Bashkimi 23 31

7. P.C. Prizreni 23 30

8. Istogu 23 24