Edhe pse pritej të startonte në vjeshtë, Liga Unike e basketbollit, e përbërë nga ekipe të Kosovës e Shqipërisë, do të nisë të martën. Fillimisht Liga Unike fillon në konkurrencën e femrave. Ky është edicioni i tretë te basketbollistet. Pas dhjetë xhirove do të luhet “Final 4” në fillim të muajit prill në Kosovë.
Edhe këtë edicion në Ligën Unike të basketbollisteve do të paraqiten gjashtë skuadra, tri nga Kosova dhe tri nga Shqipëria. Bëhet fjalë për skuadrat që ishin në tri vendet e para edicionin e shkuar në ligat përkatëse. Bashkimi, Prishtina dhe Penza do të paraqiten nga Kosova, ndërsa Shqipëria do të përfaqësohet me Flamurtarin e Vlorës, Partizanin e Tiranës dhe Tiranën.
Xhiroja e parë do të luhet të martën dhe të mërkurën, me dy ndeshje në Kosovë dhe një në Tiranë. Bashkimi – Flamurtari dhe Prishtina – Partizani janë ndeshjet e së martës dhe zhvillohen prej orës 17:00. Ndërsa të mërkurën (17:00) do të luhet dueli mes Tiranës dhe Penzës.
Kampion në fuqi i Ligës Unike është Partizani, ndërsa edicionin e parë të Ligës Unike te basketbollistet e pati fituar Prishtina.
“Edhe në këtë edicion do të marrin pjesë gjashtë skuadra, tri më të mirat e Kosovës dhe Shqipërisë, të renditura për edicionin e kaluar në ligat e tyre vendore. Gjithsej do të zhvillohen dhjetë xhiro, ku secila do të përballet me secilën, si vendas dhe si mysafir. Më pas do të zhvillohet “Final 4”, me katër skuadrat më të mira në renditje. “Final 4” do të zhvillohet më 2 e 3 prill në Kosovë, ku do të përcaktohet kampioni i kësaj lige”, thuhet në njoftimin e Ligës Unike.
Këtë edicion nuk luhet turneu i “Superkupës Mbarëkombëtare” sikurse edicionin e shkuar, për të paralajmëruan fillimin e kësaj gare.
Ky turne ishte mbajtur në Prizren dhe ishte fituar nga skuadra e Flamurtarit të Vlorës.
“Sigurisht që jemi gati për Ligën Unike edhe pse këtë edicion mbahet më vonë se në dy edicionet e mëparshme. Do të jetë një orar i ngjeshur me shumë ndeshje, pasi kemi edhe kampionatin edhe kupën por besoj se jemi gati. Besoj se edhe këtë edicion do të kemi ndeshje interesante pasi të gjitha ekipet pjesëmarrëse janë forcuar”, ka thënë trajneri i Bashkimit të Prizrenit, Viktor Kovaq.
Për dallim prej garave në Ligën Unike për basketbolliste, që kanë shkuar mirë dhe nuk ka pasur telashe, te basketbollistët ishte ndryshe.
Është zhvilluar vetëm një edicion i Ligës Unike, të cilin e ka fituar Golden Eagle Ylli. Edicionin e kaluar garat nisën me turneun e Superkupës, por pas xhirove të para të ligës garat u ndalën për shkak të pakënaqësive të ekipeve nga Shqipëria ndaj federatës së tyre. Kështu liga u ndërpre, ndonëse ajo ishte prezantuar me shumë bujë dhe kostoja financiare nuk ishte e vogël.
Liga Unike do të zhvillohet edhe te basketbollistët, por në formë turneu. Do të luhet “Final 8”, me katër skuadrat më të mira nga Kosova dhe Shqipëria të edicionit të kaluar. Ky turne do të mbahet në fund të muajit mars në Shqipëri.
Marrëveshja për vazhdimin e Ligës Unike është arritur në fillim të muajit dhjetor, pas takimit që krerët e Federatës së Basketbollit të Kosovës e patën me ata të Federatës Shqiptare të Basketbollit.