Halil Sylejmanit i janë bërë plot 25 vjet si udhëheqës i Federatës Atletike të Kosovës (FAK). Sylejmani kërkon besimin e delegatëve për ta udhëhequr FAK-un edhe në 4-vjeçarin e ardhshëm. Por presidenti aktual i FAK-ut duhet ta fitojë garën me ish-atletin, Musa Hajadari. Hajdari do të jetë kundërkandidat i Sylejmanit për president të Federatës Atletike të Kosovës.
Dy herë pjesëmarrës në Lojërat Olimpike, në vitin 2016 në Rio dhe tre vjet më parë në Tokio, beson se ka ardhur koha për ndryshime në udhëheqje të Federatës.
Ai thekson se është njeriu i duhur për “ta kthyer në rrugën e duhur atletikën”.
“Ia kam kushtuar gjithë jetën këtij sporti. Atletikën e kam dashur nga fëmijëria dhe mendoj se është koha për ndryshime. Nuk po them se nuk është punuar. Federata ka arritur njohje ndërkombëtare, por asnjëri nga ne nuk e kemi vendin në një vend të caktuar derisa të jemi gjallë. Vjen koha për ndryshime. Nganjëherë duhet edhe vullneti personal për të lëshuar rrugën. Por nuk ka gatishmëri për ta liruar vetë pozitën. Në atletikë kanë stagnuar shumë gjëra. Prandaj konsideroj që duhet ndryshime dhe ato besoj se mund të vijnë me ndryshimet në udhëheqje. Ka munguar mbështetja e atletëve elitarë. Është dashur më herët të jetë kjo mbështetje, por ka munguar”, ka thënë Hajdari.
Hajdari fitoi besimin për t’i përfaqësuar sportistët si anëtar i Bordit të Komitetit Olimpik të Kosovës.
Ai tregon edhe për arritjet e tjera në sport, ndërsa vlerëson se nën udhëheqjen e tij medaljet nga ngjarjet e mëdha nuk do t’i mungonin mbretëreshës së sporteve.
“Nga Lojërat Olimpike kërkohen medalje, pavarësisht a shkojmë me një apo me dy e më shumë atletë. Ka shtete që shkojnë me një atlet, por fitojnë medalje. Prandaj mendoj se edhe në të kaluarën por edhe tash mungon përkrahja për sportistët elitarë”, ka theksuar ai.
Hajdari thotë se zgjedhjet pritet të mbahen shpejt.
Në fakt, ende nuk ka njoftim për datën e zgjedhjeve. Por, puna në terren ka nisur.
“Unë besoj se kam mbështetjen e duhur dhe mund t’ia dalim së bashku të bëjmë ndryshimet. Kam pasur shumë kontakte me klube të ndryshime. Disa i mbesin besnik punës së kryetarit aktual. Është problem t’u ndryshohet sistemi komunist. Janë mësuar në atë formë, por besoj se kjo nuk do të ketë ndonjë rol të madh”.
Ai ka treguar se cilat do të ishin punët e para nëse fiton besimin e delegatëve.
“Në radhë të parë duhet të thellohet bashkëpunimi me Federatën Shqiptare të Atletikës. Mungon një bashkëpunim i mirëfilltë me Federatën Shqiptare të Atletikës. Duhet të bëhet një kampionat i përbashkët, pasi në atë formë do të rritej edhe konkurrenca. Për kaq vjet udhëheqje, asnjë përfaqësues botëror nuk kemi pasur për vizitë. Duhet të hapet më shumë. Presidenti i ardhshëm i Federatës duhet të jetë më i hapur me krerët e organizatave e federatave ndërkombëtare”, ka theksuar Hajdari.
Ai beson se ai do të jetë kryetar i ardhshëm i Federatës Atletike të Kosovës.
“Atletika është sport i rëndë, por me punë kolektive dhe mbështetje për sportistët elitarë dhe masivizim të atletikës, suksesi nuk do të mungojë. Me angazhim vjen edhe suksesi. Premtoj punë maksimale”, ka thënë Hajdari.
Në të vërtetë proces zgjedhor pritet të ketë këtë vit edhe në shumë federata të tjera sportive të Kosovës.
I gatshëm për t’i hyrë procesit zgjedhor është edhe presidenti aktual i FAK-ut, Halil Sylejmani. Ai është i hapur për garë demokratike.
“Nuk e kemi diskutuar çështjen e zgjedhjeve askund. Kemi disa organizime të rëndësishme. Më 22 shtator është Maratona e Prishtinës dhe pritet të jetë një organizim shembull. Unë jam i gatshëm për procesin zgjedhor kurdo që do të vendoset. Mund të shtyhet apo edhe me ndonjë kërkesë të jetë më shpejt procesi zgjedhor. Nuk është problem. Secili ka të drejtë të kandidojë. I kemi disa kushte edhe ne që duhet përmbushur për të qenë pjesë e garës. Ai nuk ka pasur asnjë funksion. Ka qenë atlet dhe anëtar i Bordit të KOK-ut. Ndryshe është të jesh anëtar e ndryshe udhëheqës”, ka thënë Sylejmani.
Presidenti aktual i FAK-ut vlerëson punën që ka bërë për 25 vjet.
“Jam themelues i Federatës në vitin 1991. Deri në vitin 2000 nuk kanë guxuar të afroheshin në Federatë. Mund të themi që kemi mbajtur gara nga viti 1999. I kam dërguar atletët në Turqi me financa të mia. Por, nuk ka problem. E rëndësishme është që kemi mbajtur gara, kemi shkuar në Shqipëri, Mal të Zi, Turqi dhe kudo që kemi pasur mundësi”, ka theksuar ai.
Sylejmani beson se ka mbështetjen e duhur edhe për një mandat të ri.
“Duhet t’i pyesni të tjerët për punën time. Por edhe nëse të tjerët, qoftë privatisht, më thonë se duhet të tërhiqem, do ta bëj. Unë në atletikë vetëm kam lënë, nuk kam përfituar asgjë. Edhe nëse zgjidhem sërish, njëjtë do të veproj deri në fund”, ka thënë Sylejmani.
Federata Atletike e Kosovës nuk është e vetmja që ka mospajtime të mëdha mes dy gupeve. Në disa federata është më e theksuar dhe më e thellë ndarja. Proceset zgjedhore janë zvarritur me muaj të tërë. Rast konkret është Federata e Karatesë e Kosovës.