Pas portierit Florian Smakiqi, edhe Dren Gashi e Qemajl Elshani të premten e kanë konfirmuar largimin nga skuadra e Feronikelit.
Numri i futbollistëve që do të shkojnë hapave të Smakiqit, Elshanit e Gashit mund të rritet ditëve në vijim. Këtë e kanë pranuar edhe zyrtarët e klubit nga Drenasi që është në telashe të mëdha financiare. Në fakt te Feronikeli kanë paralajmëruar se nëse nuk gjendet ndonjë sponsor, atëherë javën e ardhshme do t’i lirojnë të gjithë futbollistët dhe garat për pjesën e mbetur të këtij edicioni në Superligë do t’i vazhdojnë me juniorë.
Drejtori i Niklit, Artan Berisha, ka thënë se gjendja nuk është aspak e mirë, përkundër tentimeve për të gjetur një zgjidhje që do ta shpëtonte klubin drenicas. Në të vërtetë, Berisha ka thënë se të gjithë lojtarët e ekipit të parë janë në pritje të vendimit përfundimtar, i cili do të mësohet gjatë javës së ardhshme.
“Jemi duke tentuar të bëjmë një zgjidhje për këtë situatë dhe ka kohë që jemi në bisedime me disa sponsorë. Por deri më tani asgjë nuk ka konkrete. Lojtarët janë duke pritur vendimin final të klubit, të cilin të gjithë do ta mësojmë pas disa ditësh”, është shprehur Berisha, të premten. “Stërvitjet ende nuk i kemi filluar për shkak se situata aspak nuk është e mirë për momentin”.
Në njoftimin e tij, Gashi, që u transferua te Feronikeli para fillimit të këtij edicioni, shkroi se ishte i detyruar të largohet për shkak të gjendjes financiare në klub.
“Dua të njoftoj se kam ndërprerë bashkëpunimin me Feronikelin për shkak të gjendjes së klubit që tashmë është e ditur”, ka shkruar ndër të tjera Dren Gashi.
Drejtori Berisha tha se nuk mund t’i ndalin edhe lojtarët e tjerë nëse nuk arrijnë t’i përmbushin kontratat e firmosura me ta. Në rast se largohen të gjithë lojtarët, atëherë Feronikeli në stinorin pranveror do të luajë me njomakë.
“Nëse nuk do të ketë ndonjë zgjedhje të situatës në të cilën jemi, lojtarët mund të largohen. Nuk mund t’i ndalim lojtarët për t’u larguar nëse nuk arrijmë t’i përmbushim kontratat që i kemi me ta. Nuk mund ta dimë ende se çfarë do të ndodhë, por do të shohim se si do të rrjedhin gjërat në ditët në vazhdim”, ka thënë Berisha. “Nëse largohen të gjithë lojtarët e ekipit të parë, atëherë do ta mbyllim edicionin me juniorë”.
Skuadra e Feronikelit nuk ka pasur aspak rezultate të mira në stinorin vjeshtor, gjë që lidhet me fondin e vogël të lojtarëve. Gjendja ka ardhur për shkak të vështirësive që klubi ka pasur që nga fillimi. Iu bllokuan transferimet për shkak të borxheve të mëdha që i ka dhe te Feronikeli më herët patën thënë se e kishin pritur një situatë të tillë.
Stinorin vjeshtor Feronikeli e ka përfunduar në pozitën e fundit në tabelë. Ka tubuar 11 pikë prej 18 ndeshjeve të zhvilluara, ku ka regjistruar tri fitore, dy barazime dhe plot 13 humbje.
Feronikeli i ka shtatë pikë më pak se vendi i parafundit, ndërsa në një kategori më poshtë do të bien dy skuadrat e fundit.
Krahas faktit që është ekipi me më së shumti humbje në elitën e futbollit kosovar, Feronikeli ka edhe efikasitetin më të dobët, me gjithsej pesë gola të shënuar, karshi 24 të pranuar. Feronikeli i ka fituar tre tituj kampioni të Kosovës, ndërsa ka edhe tri Kupa e dy Superkupa.
Në vitin 2019 e prezantoi Kosovën në kualifikimet e Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës. Në Champions e fitoi turneun parakualifikues, që u mbajt në Prishtinë, duke mposhtur Lincolnin 1:0 dhe Santa Coloman 2:1. Por, u eliminua në rrethin e parë kualifikues nga The New Saints. Ndërkaq, në rrethin e dytë të Ligës së Evropës u eliminua nga Slovan Bratislava.
Rënia e jashtëzakonshme e Feronikelit rikonfirmon mungesën e stabilitetit te klubet kosovare të futbollit. Klubi, që tri vjet më parë kishte fituar kampionatin, tani nuk është në gjendje t’i mbajë lojtarët.