Ian Wright ia doli. Jamie Vardy po ashtu. Mirëpo, arritja nga ligat amatore në Premier League është një rrugë e gjatë dhe shumë e vështirë.
Lojtari i West Hamit, Michail Antonio, jo vetëm që e ka arritur këtë, por gjithashtu ka shkruar historinë. Ai muajin e kaluar u bë golashënues rekordmen i klubit të tij në Premier League. Me gjithë suksesin, i cili përfshin një debutim ndërkombëtar me Xhamajkën në fillim të këtij muaji, sulmuesi 31-vjeçar nuk e ka harruar kurrë se ku filloi karrierën – në Isthmian League me skuadrën Tooting & Mitcham United.
“Marrëdhënia midis Michailit dhe klubit ende vazhdon”, thotë trajneri i Tottingut, Ashley Bosah. "Ai vjen jashtë sezonit dhe bën disa aktivitete argëtuese me ekipin e të rinjve. Edhe familja e tij është e lidhur ngushtë me klubin. Jashtë sezonit, Michaili huazon objektet tona për programin e tij individual”.
Shembullin e sulmuesit të West Hamit, ish-klub i tij amator synon ta përdorë te lojtarët e rinj.
“Ai është një person shumë i përulur, e di shumë mirë si është të luash në ligat e ulëta. Kur Antonio është aty, ne i motivojmë lojtarët tanë që të angazhohen, sepse mund të shkojnë hapave të tij”, shton Bosah. “Ai është i arritshëm. Ne përpiqemi të mos i lëmë fëmijët të emocionohen shumë kur Michaili është në klub, sepse ai është për seancat e tij stërvitore. Mirëpo, në momentin që i përfundon ato, ai ulet për të folur me trajnerët dhe të tjerët”.
Kishte “elasticitetin dhe nxitjen”
Antonio, i cili do të kthehet nga pezullimi kur West Hami të vizitojë Leedsin në Premier League të shtunën, nuk kishte një udhëtim të drejtpërdrejtë për në majë. Pasi u bashkua me Tootingun si nxënës, ai i kaloi shtatë vjet atje. I refuzuar nga një numër i klubeve profesionale gjatë adoleshencës, Antonio ishte 18 vjeç kur u transferua nga klubi i Championshipit, Readingu, në vitin 2008. Ndërsa mësoi shumë në nivelet profesionale me Readingun, ai kishte pesë huazime në katër sezone, me stacione në Cheltenham, Southampton, Colchester, Sheffield Wednesday dhe madje një lëvizje të shkurtër përsëri në Tooting.
Gjatë kohës së tij në League One me Southamptonin në sezonin 2009/10, ai bëri përshtypje te trajneri Alan Pardew, i cili si lojtar e kishte bërë vetë udhëtimin nga ligat amatore në elitën e futbollit anglez, duke luajtur te Crystal Palace ku ishte bashkëlojtar me Ian Wrightin.
“Ai ishte dikush që e njihja shumë herët, kështu që unë kam pikë të dobët për lojtarët si Antonio, pasi një gjë të tillë e kam përjetuar në lëkurën time. Ai më impresionoi në çdo aspekt dhe nuk jam i befasuar që ka arritur në Premier League”, pranon Pardew.
Antonio u transferua te Sheffield Wednesday në Championship në fillim të edicionit 2012/13, duke përfunduar kampanjën si golashënuesi më i mirë me nëntë gola. Ai pastaj u transferua te Nottingham Foresti, ku një edicion i suksesshëm rezultoi në transferimin te West Hami në vitin 2015 në Premier League. Edhe pse përfundoi sezonin e tij të parë te West Hami në krahun e djathtë, ai ka vazhduar të bëhet një forcë e madhe përpara.
“Talenti i tij ishte shumë i dukshëm që në fazat e hershme” thotë Bosah. “Ai kishte një numër provash para se të nënshkruante për Readingun dhe u vëzhgua edhe nga Tottenhami. Por mamaja e tij nuk ishte shumë e interesuar që ai të shkonte dhe të rrezikonte arsimimin e tij. Përveç faktit se ishte një individ shumë i talentuar, ai punoi shumë për atë që arriti”.
Antonio ka shijuar një fillim të fuqishëm këtë edicion duke u zgjedhur lojtari më i mirë i Premier Leagues për muajin gusht, pasi shënoi katër gola dhe dhuroi tri asistime në tri ndeshjet e para të West Hamit. Pastaj shënoi gol në fitoren e ekipit anglez kundër Dinamo Zagrebit në Ligën e Evropës.
“Shkalla e punës dhe përpjekja është e dukshme edhe sot në lojën e tij”, thotë Bosah. “Ky është një atribut që lojtarët mund ta shfrytëzojnë për të arritur në nivelin më të lartë”.
Antonio “la gjurmë këtu”
Antonio është bërë hero te West Hami. Shkroi historinë kur shënoi golin e 48-të në Premier League gjatë fitores së muajit të kaluar ndaj Leicesterit. Ai theu rekordin e golave të klubit në këtë garë, të cilin e ka mbajtur italiani Paolo Di Canio. Sulmuesi iu përgjigj arritjes së tij me një festë ikonike - duke ngritur një copë kartoni të tij në ajër para tifozëve vendas në “London Stadium”.
Trajneri i West Hamit, David Moyes, tha se festimi “nuk ishte diçka për të cilën jam i interesuar”, por Antonio shkroi në “Twitter” më pas: “Unë e dua futbollin, më pëlqen të shënoj gola, më pëlqen të shkruaj histori. Unë e dua këtë ekip dhe i dua të gjithë ata që më ndihmuan të arrij ku jam sot”.
Ai gjithashtu ka bërë debutimin ndërkombëtar për Xhamajkën, pasi ndërkohë hoqi dorë nga Anglia. Nuk i erdhi asgjë pas ftesës në vitin 2016 dhe 2017.
Ky sukses është ushqyer në Tooting&Mitcham – ekip që ka prodhuar disa lojtarë të tjerë për klubet e kategorive më të larta të Anglisë. Lidhja e Antonios me rrënjët e tij në ligën amatore është e rëndësishme, sipas Bosah.
“Ajo lidhje mes tij dhe Tooting&Mitcham është trashëgimi që shërben si frymëzim për klubin. Ne vazhdojmë të prodhojmë lojtarë që shkojnë në kategori më të larta. Ajo që Antonio la pas, inkurajoi kryetarin të vazhdojë punën e tij. Lojtarët tanë tashmë kanë arritur në Championship, League One dhe League Two”, insistoi Bosah. “Ne jemi shumë krenarë që jemi të lidhur me të. Ai duket se është një frymëzim për brezin që vjen”.