Sport

Nga Paraguai në Ferizaj për ta fituar Kupën e Kosovës

Sabrina Fiore Morinigo

Shtatë gola ndaj Samadrexhës në gjysmëfinale. Pesë ndaj Istogut në finale. Kontribut i çmuar edhe në mbrojtje dhe me asistime në sulm. Dhe në fund Sabrina Fiore Morinigo u shpall lojtarja më e vlefshme e turneut final të Kupës së Kosovës në hendboll.

Ajo e udhëhoqi Ferizajn drejt trofeut të parë të Kupës. Ky klub është themeluar në vitin 2018, ndërsa pjesë e Ferizajt nga janari është hendbollistja me përvojë. Sabrina Fiore erdhi në Ferizaj nga Paraguai i largët. Dhe la gjurmë të menjëhershme.

Në fakt Ferizaj bazohet në lojtare të huaja, njëjtë si Istogu dhe Samadrexha, skuadra tjetër pretendente. Lojtare nga Guinea, Brazili e Mali i Zi japin kontribut në Ferizaj. Dhe një lojtare nga Paraguai. Më e mira e Kupës.

“Në janar më erdhi ftesa, përmes shoqeve braziliane që tashmë luanin në klub. Dhe kjo e bëri më të lehtë që të vijë. E kam njohur klubin përmes tyre dhe përshtatja ishte më e lehtë për shkak të kësaj dhe ndihmës që klubi më ka ofruar. Nuk kam ditur shumë për ligën, por kisha lidhje me njerëz që kanë pasur informata dhe e kanë lavdëruar punën e klubit. Kështu që vendosa të vija”, ka thënë Fiore në një bisedë për KOHËN, të hënën.

Ajo ka nisur të luajë në Paraguai, në moshë shumë të re. Nisi në Asuncion, kryeqendrën e Paraguait, vendit në Amerikën e Jugut. Në moshën 14-vjeçare fitoi bursë për të luajtur në Brazil, që ende e ka hendbollin më të zhvilluar në Amerikën Latine. Përkrahjen më të madhe e kishte nga familja, përkatësisht nëna. Shkoi e vetme në Brazil për të luajtur dhe prej atëherë nuk është kthyer për të jetuar në Paraguai, pos për vizita familjes.

Në Brazil luajti plot dhjetë vjet për AAU-Concordia dhe kishte suksese të mëdha. Në vitin 2020 i kaloi gjashtë muaj në Spanjë, por u largua për shkak të pandemisë. Që nga viti 2008, Fiore e vesh fanellën e Paraguait.

“Kam luajtur një Kupë të Botës për shkolla, në shumë kampionate të Amerikës së Jugut dhe kampionate Pan-Amerikane. Kam luajtur edhe në Botërorin për të reja dhe po ashtu në tri Kupa të Botës për të rritura, në Serbi në vitin 2013, në Gjermani në vitin 2017 dhe në Spanjë në vitin 2021”, ka theksuar Fiore.

28-vjeçarja te Ferizaj po luan në pozitën e bekut, por pozita e saj më e shpeshtë gjatë karrierës ishte pivote. Në fakt si lojtare e vijës u shndërrua për shkak të një lëndimi të hershëm në shpinë. Për këtë arsye i është dashur të përshtatet në një pozitë ku i duhej të kërcente më pak. Te Ferizaj megjithatë po mbulon pozitë tjetër, të fundoret, dhe të paktën në ndeshjet për Kupë këtë e bëri me sukses.

“Ndryshimi i pozitave është i mundur për shkak të stërvitjeve bazike, lehtësisë së përshtatjes dhe sidomos për interesim që kam për lojën. Dëshira dhe përkushtimi më kanë karakterizuar si sporteve dhe kjo ka bërë që të mësoj të gjitha pozitat nga pak. Shpesh kam qenë ‘xhokere’, kam luajtur në shumë pozita gjatë karrierës. Nuk është e lehtë, shumicën e kohës e kam kaluar si pivote dhe kjo nuk ndryshon as tani. Vazhdoj të mësoj dhe të sfidoj veten duke ofruar më të mirën”, ka thënë hendbollistja paraguajase.

Ajo thotë se te Ferizaj e duan hendbollin, njëjtë si në klubet tjera. Tashmë ka vizituar vende të ndryshme në Kosovë dhe i kanë pëlqyer.

“Hendbolli po ashtu ndryshon nga Amerika. Atje kemi lojë më pozicionale, këtu vrapohet më shumë, ka më pak kohë për sulm dhe vendimet duhet të jenë më të shpejta”.

Sabrina Fiore thotë se synimi i Ferizajt tani është titulli i kampionit.  Ajo është e diplomuar për inxhinieri mjedisore dhe shëndetësore, ndërsa po studion edhe për Edukim Fizik. Ajo ka zgjedhur numrin 6 për shkak të babait, që e kishte basketbollist.

“Hendbolli më dha gjithçka që jam dhe kam sot: familjen, miqtë, studimet, njohuritë, udhëtimet. I jam shumë mirënjohës sportit. Mësoj çdo ditë prej tij”, ka thënë Sabrina Fiore, njëra prej lojtareve të shumta të huaja në hendbollin kosovar.